Ali Ahmeti: Kemi përparuar në të gjitha sferat e jetës shoqërore

Me rastin e përvjetorit të 14 të themelimit të Bashkimit Demokratik për Integrim, kreu i BDI-së- Ali Ahmeti ka shprehur uratat më të sinqerta për të gjithë bashkëpunëtorët, anëtarët, përkrahësit, simpatizantët, bashkëveprimtarët si dhe për të gjithë qytetarët.

“5 qershori i vitit 2002 do të mbetet përgjithmonë një datë e shënuar për të gjithë ne, dita kur të gjithë bashkë vendosëm që të themelojmë subjektin trashëgues dhe pasardhës të Ushtrisë Çlirimitare Kombëtare, Bashkimin Demokratik për Integrim. Në 14 vitet e veprimtarisë së deritanshme, Bashkimi Demokratik për Integrim u mishërua me qytetarët dhe qëndroi gjithmonë bashkë duke ju prirë atyre në ballafaqimin me sukses të sfidave të shumta të cilat na dolën përpara, ndërsa arritëm të shënojmë edhe shumë përparime në të gjitha sferat e jetës shoqërore. Përvjetori jonë i 14 vjen në rrethana shumë sfiduese për të na përkujtuar që na mbetet edhe shumë punë para nesh të cilën përsëri do ta realizojmë bashkë, prandaj ftoj çdo anëtar dhe bashkëpunëtor që të punojë me përkushtimin më të madh në realizimin e orientimeve tona kombëtare, synimeve integruese si dhe ne drejtim të zbatimit të përcaktimeve tona programore në dobi të qytetarëve, ndërsa njëkohësisht siguroj përkrahësit dhe qytetarët që ne asnjëhere nuk do t’i shmangemi këtyre përcaktimeve të përpiluara bashkë”, nënvizon Ahmeti.

Sipas Ahmetit gjatë këtyre viteve, Bashkimi Demokratik për Integrim ka instaluar vlera afirmative të cilat vlerësohen nga qytetarët, përfshirë promovimin e demokracisë së mirëfilltë, shmangies së ofendimeve, sharjeve, por edhe revanshizmit ndaj konkurentëve politik.

“BDI ka promovuar vlera shtettformuese pavarësisht dallimeve që janë prezente tek bashkëqytetarët tanë të cilët akoma nuk e shohin procesin konsensual si të pashmangshëm por edhe përfitues për vendin. U angazhuam për ngritje të cilësisë së arsimit, hapje të universiteteve, shkollave të mesme dhe fillore, avancuam qeverisjen lokale dhe e përafruam pushtetin tek qytetari, vijuam me promovimin e dialogut, kompromisit dhe mirëkuptimit, ndërtuam dialog konstruktiv dhe bashkëpunues me Brukselin dhe Vashingtonin, i primë reformave dhe vepruam me guxim dhe vizion në momente vendimtare”, tha Ahmeti.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Askush nuk sheh avancim,por vetèm disavancim dhe shkelje te te drejtave elementare ….
    Ky njeri me zort po na detyron ta pranojme nje gje qe nuk eshte e till, vetem e vetem se Ai ashtu ka qejf…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button