Sulejman Rexhepi: Ramazani nxit njeriun që të angazhohet për të mirën

Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë (BFI), Sulejman Rexhepi, ka dërguar një mesazh me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit në të cilën fton besimtarët të falënderojnë Allahun Fuqiplotë që ka bërë të mundur që sërish të presin Ramazanin, këtë muaj të agjërimit, të mëshirës dhe bereqetit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Shenja më e përkryer e së mirës është përulësia, reflektimi, devotshmëria! Shenja më dalluese e së keqes është lakmia, epshi, djallëzia. Përmes agjërimit pa dyshim që luftohen të gjitha shenjat dalluese të së keqes”, shkruan Rexhepi sipas të cilit agjërimi e nxit njeriun që të reflektojë mirë e mbarë, të angazhohet për të mirën dhe të bukurën, të veprojë ndershëm dhe besueshëm.

“Të dashur besimtarë! Muaji i Ramazanit është periudhë e shtimit të ibadeteve, të lutjeve, por edhe i reflektimeve mbi spastrimin e shpirtit, mbi gjetjen e rrugëdaljeve nga problemet e përditshme. Vetëm në këtë muaj, në momentin e reflektimeve, çuditërisht ndjehet një nevojë e zjarrtë për dituri, për arsimim, për edukim, për të qenë model i përhershëm i njeriut të mirë. Agjërimi, si veprim, është akt i mrekullueshëm, sepse bëhet për Zotin, sepse të bën të mirë, të butë, të dashur. Është i vështirë, por është një sprovë e këndshme, është i rëndë por është shumë i shpërblyeshëm. Lumë ai që e pret këtë muaj të agjërimit”, shkruan mes tjerash kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, i cili ka ftuar besimtarët që këtë Muaj ta përmbushin vetëm me ibadete dhe me akte solidare.

“Me lutje drejtuar Zotit të Madhërishëm që këtë Muaj ta kalojmë mirë e mbarë – ju qoftë për hajër të gjithëve ky Muaj i shenjtë. Mëshira, dashuria, bekimi i Zotit të Gjithëmëshirshëm qoftë mbi ne, mbi popullin tonë, mbi muslimanët dhe mbi gjithë njerëzimin. Paqja e këtij Muaji mbisundoftë përjetë”, përfundon mesazhi i kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button