Hulumtim: Termocentrali i Osllomesë kërcënim serioz për qytetarët!

Termocentrali i Osllomesë ndodhet në fushëgropën e Kërçovës, dhe prodhon energji elektrike nga djegia e qymyrit, i cili nxirret nga pjesa sipërfaqësore e këtij vendi. Ai filloi me punë në vitin 1980 kurse sot numëron 780 të punësuar. Drejtori aktual i këtij termocentrali është Mile Kragueski kurse ai funksionon në kuadër të ELEM (Elektranat e Maqedonisë). Përveç anës pozitive që ka, si një nga prodhuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike në Republikën e Maqedonisë, ka edhe anën e tij të errët, gjegjësisht, mjaftë të rrezikshme për banorët e kësaj ane. Fjala është për ndotjen e ambientit jetësor për banorët e kësaj ane dhe ndikimi gjithmonë e më i madh në botën bimore dhe shtazore. 

Studiuesit
Në përpjekje për të treguar se deri sa arrin shkalla e ndotjes së ajrit në Kërçovë dhe rrethinë e shkaktuar nga ky termocentral, gjatë periudhës 2010 – 2011, një studim i bërë nga biologu, Gafur Ajruli dhe prof. Adem Xheladini, flet për shifra shumë herë më të larta të elementeve ndotëse nga mesatarja e lejuar.

Në studimin e tyre, thuhet:
“Nga tymtari i lartë i këtij termocentrali, gjatë djegies së qymyrit lëshohet monoksidi i karbonit, dyoksidi i sulfurit, oksidet e azotit, dyoksidi i karbonit dhe pluhuri, të cilat janë të dëmshme për cilësinë e jetës së banorëve dhe organizmave të gjalla në këtë rrethinë, ndaj dhe paraqesin rrezik të vazhdueshëm. Sa i përket këtij problemi shumë pak janë bërë hulumtime dhe rrezikshmëria është tejet e lartë. Kohët e fundit është vërejtur rritje e numrit të vdekshmërisë dhe rrudhje e kualitetit të botës bimore si dhe dëmtim i prodhimeve kopshtare, të cilat në të shkuarën paraqisnin ekzistencë, ndaj dhe jemi përpjekur që në hulumtimin që kemi bërë të nxjerrim në sipërfaqe të dhëna konkrete lidhur me këtë rrezik të vazhdueshëm. Ndotësit të cilët lëshohen nga tymtari i këtij termocentrali, negativisht ndikojnë ndaj botës bimore dhe shtazore të këtij vendi, por e keqja më e madhe e këtyre ndotësve është ndaj shëndetit të njeriut, duke shkaktuar sëmundje të rënda kancerogjene.”

Tejkalimi i limiteve të ndotjes
Në faqen elektronike të Ministrisë së ambientit jetësor qëndron tabela e elementeve kimike të cilët nëse gjenden në sasi të madhe në ajër, sjellin deri te ndikimi i madh në jetën e njerëzve, bimëve dhe shtazëve. Kufijtë maksimal të lejuar të sasisë së këtyre elementeve në ajër, janë paraqitur në tabelën më poshtë.

µg/m3 – mikrogram (një e milionta pjesë e gramit) thye për metër kub, është njësi për matjen e grimcave në ajër.

Gjatë datës 13 janar 2014 duke marrë si bazë faqen elektronikehttp://airquality.moepp.gov.mk/?page_id=4 vërehet që sasia e grimcave të pezulluara më të vogla se 10 µg/m3 kanë arritur sasinë e 900 µg/m3 për dallim nga 50 µg/m3 të lejuara brenda një dite dhe kjo është rreth 18 herë më shumë nga sasia e lejuar. (Shih fotografinë më poshtë).

Për më tepër, në tabelën lart shkruhet se numri maksimal i lejuar i këtyre tejkalimeve të vlerave të lejuara të ndotjes është 35 herë në vit. Kurse ne vërejmë se vetëm gjatë periudhës një mujore nga data 1 dhjetor deri më datë 31 dhjetor 2013, ajo është tejkaluar çdo ditë. (Shih fotografinë më poshtë. Vija e kuqe qëndron për të treguar kufirin e vlerës së lejuar.)

I pyetur për ndotjen e ajrit që Termocentrali i Osllomesë shkakton në Kërçovë dhe vendbanimet përreth tij, zëdhënësi i ELEM, Mirçe Kotevski, tha: “Termocentrali ka pasur gjithmonë filtra. Filtri përbëhet nga katër njësi dhe të njëjtat janë përfshirë komplet në riparimet e vitit 2011 dhe 2012, kështu që tani kemi komplet filtër të ri që aspak nuk e ndot ajrin. Në termocentralin e Osllomesë vazhdimisht bëhen kontrolle, matje të kualitetit të ajrit të ambientit nga ana e firmës së autorizuar e cila ka laborator të akredituar për matje të këtilla në dy lokacione në afërsi të termocentralit. Rezultatet e deritanishme kanë treguar se kualiteti i ajrit të ambientit është në kufijtë e parashikuar dhe të lejuar të vlerave të Ministrisë së mjedisit jetësor në Republikën e Maqedonisë.”

Në fakt, nuk kemi gjetur asnjë tregues eksplicit që të na tregojë se kjo ndotje e madhe e ambientit në Kërçovë vjen si pasojë e ndotësve të lëshuar nga termocentrali. Por këtë e dëshmojnë disa faktorë tjerë të rëndësishëm. (Shih fotografinë më poshtë).

Qasja mjekësore
Doktori i Qendrës klinike në Kërçovë, Aqif Ismaili, thotë se te qytetarët e Kërçovës, vitet e fundit është rritur shumë numri i sëmundjeve që vijnë si pasojë e ndotjes që shkakton Termocentrali i Osllomesë. “Nga këto sëmundje, do të veçoja me shumë sëmundjet e mushkërive dhe kancerogjene. Tepër shqetësues është fakti që këto sëmundje, gjithmonë e më shumë, prekin gjeneratat e reja dhe kanë pasoja të mëdha mbi brezat e rinj. Pacientët me këto sëmundje, i kemi gjithmonë e më të rinj në moshë dhe kjo nuk ndodh edhe në qytetet tjera. Kërçova ka një numër të madh të pacientëve që diagnostikohen me sëmundjet që sapo përmendëm dhe termocentrali, padyshim, që është shkaktari më i madh.”


Gjatë stinës së dimrit, gjegjësisht gjatë kohës me borë, qytetarëve të Kërçovës ju ndodh shpesh që në mëngjes, të përballen me borën e cila ka marrë ngjyrën e hirtë. Këtë e dëshmon fotografia e mëposhtme ku dallohen qartazi hapat e bardha në borën e shndërruar në ngjyrë hiri.

Qytetarët për termocentralin 
Në anketën e realizuar me qytetarë të moshës madhore nga Kërçova, 4 % e tyre (që është gjegjësisht vetëm 1 i anketuar), mendojnë që termocentrali i plotëson të gjitha kushtet për mbrojtjen e ambientit jetësor, 73 % mendojnë që ai nuk i plotëson aspak kushtet që përkthehet me 19 të anketuar, 4 veta ose 15 % mendojnë që termocentrali i plotëson kushtet deri diku dhe 2 të anketuar janë përgjigjur me “nuk e di”. Gjithsej 85 % e të anketuarve e shohin Termocentralin e Osllomesë si ndotës shumë të madh të ambientit jetësor kurse 4 % e të anketuarve e shohin si aspak të rrezikshëm. Gjithsej anketës i janë përgjigjur 26 persona të moshave të ndryshme me pika të ndryshme banimi në Kërçovë dhe rrethinë. Anketa u krye në mënyrë virtuale.

Ndërkaq, zëdhënësi Kotevski në deklaratën e tij tha se “kemi pasur ankesa të këtilla nga vendbanimet përreth, por që nga ndërtimi i sistemit të largimit të hirit dhe ndërrimin e të gjithë njësive të filtrit, nuk kemi më reagime nga vendbanimet përreth.” – shtoi Kotevski.
Në Paktin ndërkombëtar për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore të njeriut, thuhet se vendet anëtare njohin të drejtën e çdo individi për të gëzuar standardin më të lart të mundshëm të shëndetit fizik dhe mendor. Hapat që duhet të merren nga shtetet anëtare të këtij pakti për të realizim të plotë të kësaj të drejte duhet të përfshijnë:

Dispozita për reduktimin e vdekshmërisë gjatë lindjes, reduktim të vdekshmërisë foshnjore dhe për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës.
Përmirësimin e të gjithë aspekteve të higjienës së mjedisit dhe higjienës industriale.
Parandalimin, trajtimin dhe kontrollimin e sëmundjeve epidemike, sëmundjeve endemike, profesionale etj.
Krijimin e kushteve që do të siguronin shërbime mjekësore dhe ndihmë mjekësore në rast sëmundjeje.

Numri i madh të punësuarve tregon se jo pak familje ushqehen dhe jetojnë me të ardhurat që fitojnë nga puna e tyre në këtë termocentral. Andaj ato me të drejtë nuk pranuan që të flasin mbi ndotjen që shkakton termocentrali në ambientin përreth tij. Gjithsesi me përmirësimin e kushteve dhe reduktimin e ndotjes, do të përmirësoheshin jo vetëm kushtet e tyre të punës por edhe kualiteti i shëndetit dhe higjienës i të gjithë qytetarëve të Kërçovës dhe rrethinës.
Qytetarët vazhdojnë të mbeten të heshtur sa i takon kësaj çështje që rezulton e rrezikshme për shëndetin e tyre por kjo nuk do të thotë që shteti duhet të vazhdojë të mos ndërmarrë hapa seriozë për përmirësimin e jetesës së këtyre qytetarëve dhe reduktimin e ndotjes që ky termocentral shkakton.

Ky tekst është punuar në kuadër të projektit “Përforcim i bashkëpunimit në mes organizatave qytetare dhe mediave për promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes” që e realizon Instituti i Maqedonisë për Media dhe e financon Bashkimi Evropian nëpërmjet programit EIDHR. Përmbajtja e tekstit është vetëm përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i reflekton qëndrimet e BE ose IMM.  

Lajme të ngjashme

Back to top button