Leishmanioza e lëkurës, sëmundja shpërfytyruese që ka kapluar Lindjen e Mesme

Një sëmundje tropikale shpërfytyruese ka përfshirë Lindjen e Mesme, si rezulat i kombinimit të konfliktit të rëndë disavjeçar dhe shkatërrimit të infrastrukturës së kujdesit shëndetësor në zonat e okupuara nga ISIS.

Leishmanioza e lëkurës është sëmundje që transmetohet ekskluzivisht përmes kafshimit nga mizat e rërës dhe mund të shkaktojnë plagë tmerrësisht të hapura, si dhe vatra të deformuara të lëkurës, rruzulla apo papula nëse lihen pa trajtuar.

Leishmaniaza është sëmundje endemike në Siri me shekuj, dhe ka qenë e njohur si “E keqja e Alepos”. Deri në vitin 1960, prevalenca e sëmundjes ka qenë e kufizuar në dy zona, Alepo dhe Damask. Vazhdimi i luftës në Siri që ka rezultuar me krizën e refugjatëve, ka shkaktuar një shpërthim katastrofik të sëmundjes, ku zonat më të prekura janë ato nën kontrollin e ISIS.

Hulumtimet e publikuara të enjtën në gazetën shkencore PLOS, kanë gjetur se qindra mijëra njerëz të cilët jetojnë nëpër kampe refugjatësh apo që janë bllokuar në zona të konfliktit, janë prekur nga sëmundja.

Rreth 4.2 milion sirianë janë zhvendosur nëpër vendet fqinje, ku Turqia, Libani dhe Jordania kanë pranuar shumicën e këtyre refugjatëve.

Si rezultat, leishmanioza e lëkurës ka filluar të shfaqet në zonat me sirianët e zhvendosur, dhe tashmë ekzistojnë rezervuarë të sëmundjes krah për krah njëra me tjetrën.

Peter Hotez, i dërguari i SHBA për çështje shkencore për Lindjen e Mesme, thotë se nëse nuk sigurohen ilaçet esenciale për personat që gjenden në zona të luftës të prekur me këtë sëmundje, shumë lehtë mund të presim një situatë të ngjashme me sëmundjen e Ebolas në Afrikën Perëndimore në vitin 2014.

Kujdesi shëndetësor i Sirisë është shkatërruar nga konflikti që po zgjat me vite.

Edhe pse sëmundja është e shërueshme, numri i pacientëve prej 23,000 syresh para luftës civile në vitin 2011, është dyfishuar në 41,000 në vitin 2013, sipas hulumtimit të PLOS.

Vendet fqinje të cilët kanë pranuar miliona refugjatë, po ashtu raportojnë për raste të leishmaniozës. Ndër to Libani, Turqia dhe Jordani.

Ndërsa në Libinë jugore janë raportuar rritje e rasteve të leishmaniozës, në Jemen njoftohet për 10,000 raste të reja të sëmundjes për çdo vit.

Dhe për njerëz që emigrojnë në Arabinë Saudite, janë ngritur shqetësimet se sëmundja mund të përhapet akoma më tutje.

Dr. Waleed Al-Salem, këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë në Riad, thotë se me gjithë rritjen e rasteve të leishmaniozës së lëkurës, nuk ka rrezik të përhapjes së sëmundjes në vendet e Evropës, si Britania apo Gjermania, njofton The Indipendent, transmeton  Klan K.

“Shumë zona në Siri si dhe vendbanime të përkohshme të refugjatëve janë predospozuar për raste të sëmundjes, për shkak të faktorëve siç janë grumbullimi i plehërave, kanalizimi i keq dhe strehimi i dobët.

Gjitha këto, edhe numri i madh i mizave të rërës dhe shërbimet mjekësore që lënë shumë për të dëshiruar, kanë krijuar një mjedis të përshtatshëm për lulëzimin e sëmundjes.

“Vendet ku numri i këtyre mizave nuk është i madh, standardi jetësor dhe shërbimet mjekësore janë shumë më të avancuara, nuk janë të rrezikuara nga kjo sëmundje”, shprehet ai.

Mizat e rërës, jo njerëzit, janë ato që përhapin sëmundjen. Ato gjenden në zonat tropikale dhe subtropikale, por janë të paafta për të jetuar në vende me klimë të ftohtë.

Leishmanioza është tashmë endemike në jug të Evropës, si Spanjë, Itali dhe jug të Francës, por sëmundja manifestohet vetëm në rastet me imunitet të dobësuar.

Këto miza të rërës janë më të vogla sesa mushkajat, dhe nevojiten mes 2 deri 6 muaj për t’u manifestuar infeksioni.

Leishmanioza e lëkurës është një prej 17 sëmundjeve tropikale të kategorizuara sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Organizata thotë se me një vetëdijësim të popullatës për sëmundjen, monitorimi më i mirë, trajnimet me mjekët dhe kontrolli i vektorit, gjitha këto mund të luajnë rol të rëndësishëm në ndalimin e sëmundjes.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button