Kodheli: NATO të hapë një faqe të re dialogu dhe partneriteti me Kosovën

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli, në panelin e Komisionit të Mbrojtjes dhe Sigurisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s që po zhvillon punimet në Tiranë, ka mbajtur një fjalim duke u ndalur në disa çështja, si lufta kundër terrorizmit, fenomeni i luftëtarëve të huaj, kriza e refugjatëve, mbështetja për Kosovën, etj, raporton Anadolu Agency (AA).

Kodheli në fillim të fjalës së saj ka theksuar se NATO është një komunitet vlerash, ku bashkohet demokracia, liria individuale, të drejtat e njeriut dhe shteti ligjor.

Sipas saj, gjithëpërfshirja është një domosdoshmëri dhe duhet një qasje konstruktive me të gjitha vendet e rajonit. “Jemi të mendimit se ka ardhur koha që NATO të hapë një faqe të re dialogu dhe partneriteti të strukturuar me Kosovën”, u shpreh ajo.

“DAESH dhe grupe të tjera terroriste, të furnizuar nga fenomeni i luftëtarëve të huaj në të gjithë botën, janë një kërcënim real jo vetëm për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, por edhe për shoqëritë tona. Ngjarjet tragjike në Ankara, Paris, Bruksel apo vende të tjera, janë një mesazh i qartë, për qëllimin që ata kanë. Për më tepër, dështimi dhe mosfunksionimi i shteteve, ndërthurur me dhunën në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, ka shkaktuar një valë masive të refugjatëve në shtëpitë tona apo në vende fqinje me ne”, u shpreh Kodheli.

Ajo u shpreh më tej se në ditët e sotme migrimi dhe terrorizmi janë në krye të sfidave ndërshtetërore që kërkojnë zgjidhje ndërshtetërore.

“Të merresh me këto sfida multidimensionale nuk është një detyrë e lehtë, por gjykoj se nuk ka një zgjidhje të mesme. Dështimi i menaxhimit të sfidave të përmendura më sipër do të thotë copëzim i unitetit në kontinentin evropian dhe fatkeqësisht, janë shumë ata që presin që kjo gjë të ndodhë. Për më tepër, me këto konflikte të reja, ne nuk duhet të harrojmë rajonet që lehtësisht mund të preken nga trazirat ndërkombëtare, për shkak të paqëndrueshmërisë dhe dobësive të tyre. Ballkani Perëndimor është një prej tyre, relativisht larg nga Rusia dhe Lindja e Mesme, por i ndikuar kryesisht nga paratë dhe ideologjia e Moskës dhe fondamentalizmit”, ka shtuar më tej Kodheli.

Ajo ka theksuar se rruga drejt anëtarësimit në BE është më e ndërlikuar për Ballkanin Perëndimor, dhe kjo vlen edhe për Shqipërinë, ndërsa ka shtuar se Shqipëria mbështeti fuqishëm Malin e Zi drejt NATO-s . Ajo ka pohuar gjithashtu se Shqipëria do të mbështesë praninë e shtuar të NATO-s në Evropën Juglindore.

“Ne jemi në proces shqyrtimi dhe krijimi të hapësirave ligjore, për të mbështetur përpjekjet e koalicionit anti-DAESH në terren, si dhe jemi duke vlerësuar nga afër përfshirjen në operacionin detar të NATO-s në Detin Egje, për të ndihmuar në krizën e refugjatëve. Mbetet shumë e rëndësishme për t’u theksuar ndihma e Shqipërisë në projektimin e stabilitetit përtej kufijve të NATO-s. Aktualisht personeli ynë po këshillon dhe ndihmon disa vende partnere, si Gjeorgjia, Ukraina, etj, për të ndërtuar kapacitetet e tyre mbrojtëse dhe ripërtëritëse”, ka shtuar ministrja e Mbrojtjes.

Ajo ka konfirmuar se tashmë po përshpejtohen përpjekjet për të krijuar një Qendër Ekselence të NATO-s në Shqipëri, kundër fenomenit të luftëtarëve të huaj (NATO Foreign Fighters Center of Excellence).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button