Gjiknuri: Konfliktet sjellin rreziqe për përfundimin e projekteve

Ministri shqiptar i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, gjatë një fjalimi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, duke u ndalur tek Korridori Jugor i Gazit, ka pohuar se Shqipëria mund të bëhet një qendër e rëndësishme e këtij korridori, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas tij zhvillimi ekonomik është themeli i paqes dhe stabilitetit dhe në këndvështrimin e sigurisë energjitike është bërë një variabël i rëndësishëm në arritjen e këtij qëllimi, ndërsa ka shtuar se kjo është e një rëndësie të veçantë për të gjithë anëtarët e NATO-s, mbi të gjitha për anëtarët e Bashkimit Evropian.

Kriza në Ukrainë u shpreh Gjiknuri tregoi edhe një herë nevojën për të diversifikuar burimet energjitike dhe në këtë kontekst ai vlerëson se Korridori Jugor i Gazit është përpjekja më serioze në arritjen e një qëllimi të tillë.

“Gazsjellësi Jonian Adriatik ka potencialin për të transformuar Shqipërinë në një qendër të mundshme rajonale të energjisë. Ky projekt ka tashmë një studim fizibiliteti dhe të gjitha vendet pjesëmarrëse janë duke punuar në drejtimin për të bërë këtë projekt një realitet”, u shpreh Gjiknuri.

Ndërkohë Gjiknuri, duke iu referuar konfliktit Armeni- Azerbajxhan ka deklaruar se këto lloj konfliktesh sjellin rreziqe për përfundimin në kohë të projekteve energjetike.

“Çdo lloj konflikti që vendos në pikëpyetje sigurinë e vendeve sjell rreziqe për kompletimin e projekteve në kohë. Prandaj edhe NATO është e interesuar për paqen dhe stabilitetin e gjithë Korridorit të Jugut dhe gjithë vendeve që janë anëtare të këtij korridori. Ne shpresojmë që stabiliteti i Azerbajxhanit të jetë i siguruar”, ka theksuar ministri Gjiknuri.

Edhe gjatë ditës së dytë të punimeve të Asamblenë Parlamentare të NATO-s ka patur përplasje mes përfaqësuesve të Azerbajxhanit dhe Armenisë, ku përfaqësuesi azer ka shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e konflikteve.

Ndërkohë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu i tij i malazez, Milo Gjukanoviç do të mbajnë fjalën e tyre në përfundim të punimeve nesër. Sesioni i Pranverës i Asamblesë Parlamentare të NATO-s ka mbledhur së bashku më shumë se 250 delegatë nëTiranë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button