Projekti “Alo mjek”, asnjë mjek shqiptar nuk është lajmëruar për punësim?

Që nga fillimi i projektit alo mjek në shtator të vitit 2014 janë pranuar mbi 90 mijë thirrje, nga të cilat, asnjë nuk është përgjigjur në gjuhën shqipe. Arsyeja? Sepse në shpalljen publike nuk është lajmëruar asnjë mjek shqiptar. Sipas drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit, Besim Koka, të interesuarit ende mund të paraqiten për tu bërë pjesë e këtij projekti, transmeton televizioni 21.

“Kemi bërë një shpallje publike në gazetat shqipe dhe maqedone dhe për fat të keq nuk është paraqitur asnjë mjek shqiptar. Pas asaj kam bërë disa herë përpjekje që të inkuadroj mjekë shqiptarë por, ne edhe nuk kemi mjekë të pa punë. Të gjithë mjekët duhet ta dijnë që mund të kontribojnë në këtë projekt edhe nëse janë të punësuar”, u shpreh Besim Koka, Drejtor i Shtëpisë së Shëndetit, Shkup.

Ai thotë se të interesuarit duhen të jenë mjekë të specializuar, me së paku me dhjetë vjet përvojë pune, ndërsa sa i përket orarit, ata mund të punojnë 4,6 ose 8 orë.  Në këtë projekt mund të marrin pjesë edhe mjekë të pensionuar.

Ndërkohë nga shoqata e mjekëve shqiptar, Nevzad Elezi beson se komunikimet me pacientët duhet patjetër të jenë vizuele.

“Specialistët shqiptarë kanë qenë shum pak të interesuar,  prandaj edhe nuk ka. Aryseja ka qenë që paraprakisht patëm diskutuar që në këtë mënyrë anashkalohet profesioni mjek, prandaj edhe konkursi njëdorë ka dështuar. Jo vetëm shoqata jonë, por kemi biseduar edhe me shoqata si motra tona, dhe në përgjethsi mjekët janë kundër këtij projekti“, tha Nevzad Elezi, kryetar i Shoqatës së Mjekëve Shqiptar të Maqedonisë.

Për Dushan Petrovskin, projekti “alo mjek” është një projekt i mirëpritur nga të gjithë qytetarët, e sidomos më të moshuarit që kanë shumë pyetje e pak mundësi për të shkuar në mjek. Ai thotë se ka përdorur në një rast edhe vet Alo mjek dhe ka gjetur ndihmën që ka kërkuar.

Po, e kam përdorur projektin alo mjek, jam i kënaqur nga e njëjta sepse në momentin kur nuk mundesha ta dërgoj fëmijën tim në mjek, kur kishte temperaturë të lartë, më këshilluan ta pastroj me ujë të ftohtë, në këtë mënyrë iu zvogëlua temperature, ndërsa un atë nuk e kam ditur. Duhet edhe  të tjerët ta përdorin sepse me të vërtet mund ti ndihmojë në çfarë do kohe, pa shkuar në mjek”, u shpreh Dushan Petrovski, qytetar.

25 mjekë të specializuar në fusha të ndryshme janë në dispozicionin e qytetarëve që tu përgjigjen në pyetjet e tyre, t’i këshillojnë dhe sipas nevojës ti udhëzojnë ata. Numri është 15-123 dhe është në funksion 24 orë në ditë. Sipas të dhënave të deritanishme, nga Shtëpia e Shëndetit thonë se shumica e thirrjeve janë kryesisht për simptomat respiratore, tension të lartë, ethe, kollitje dhe infektimi me virus.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button