Abraham: Të gjitha shtetet e botës duhat ta ndihmojnë Sirinë

Aktori Murray Abraham, fitues i çmimit Oscar, duke folur si pjesëtar i një familjeje emigrante e cila kishte ardhur në SHBA nga Siria vite më parë tha se të gjitha shtetet e botës duhet ta ndihmojnë Sirinë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Sipas meje, e tërë bota duhet edhe njëherë të mendojë se pse njerëzimi ekziston në botë. Çdokush ka harruar se është njeri”, tha Abraham.

Murray Abraham, fitoi çmimin Oscar në vitin 1984 për rolin e kompozitorit Antonio Salieri në filmin “Amadeus” i cili përshkruan jetën e Mozartit. Ai pas pjesëmarrjes në mbledhjen e organizuar në Kongresin e SHBA-ve në lidhje me refugjatët, iu përgjigj pyetjeve të gazetarit të AA-së.

Duke treguar se babai i tij ka lindur në Siri dhe se familja e tij ka ardhur në SHBA shumë vite më parë si emigrantë, Abraham rrëfeu se në Siri ende ka të afërt dhe e theksoi nevojën për ndihmë ndaj popullit të Sirisë

Abraham kritikoi rritjen e armiqësisë ndaj refugjatëve. “Duhet bërë çdo gjë për t’u dalë në ndihmë këtyre njerëzve”, tha ai.

Ndërkaq, lidhur me pranimin e refugjatëve, ai kërkoi që “SHBA-të të cilat e kanë sistemin më të fortë të kontrollimit në botë, t’ua hapin dyert refugjatëve”.

“Dua që populli amerikan të zgjohet. Sirianët nuk janë armiq. Ata janë njerëz që kanë nevojë për ndihmë. Edhe unë jam sirian. Shumë njerëz nga populli im kanë dhënë kontribute të shumta për këtë vend. Për shembull, dy vëllezërit e mi gjithashtu ishin në ushtri. Tani të dy prehen në varrezën e ushtarëve”, tha Abraham.

Duke treguar se familja e tij është nga të krishterët e Sirisë, Abraham u shpreh se si të krishterët, njashtu edhe muslimanët po përjetojnë dhimbje të mëdha. Sa i përket asaj se nëse ka kontakte me të afërmit në Siri, ai tha se “Është e vështirë të kontaktoj me ta. Zakonisht kontaktimi bëhet përmes mesazheve që i sjellin persona të tjerë”.

– “Sirianët nuk janë terroristë”

Abraham tha se në SHBA ekzistojnë persona dhe organizata që janë të gatshëm t’i pranojnë sirianët dhe se mund të gjenden vende strehimi dhe punë për refugjatët. Sipas tij, këta njerëz nuk do të jenë barrë për ta.

“Nuk duhet ta harrojmë këtë: Si do të ndiheshit nëse do të detyroheshit ta braktisni vendin tuaj? Nëse keni gjetur vend për qëndrim në ndonjë shtet tjetër, kur problemet të zgjidhen a nuk do të ktheheshit në vendin tuaj? Unë do të kthehesha. Domethënë, them sikur për një kohë t’ua zgjatnim dorën e ndihmës këtyre njerëzve dhe të mos frikësoheshim. Sirianët nuk janë terroristë. Të afërmit e mi nuk janë terroristë”, thotë Abraham.

– “Nuk ka nevojë të jesh i famshëm”

Aktori i famshëm u bëri thirrje të gjithëve që mund ta ngrisin zërin duke thënë:

“Do të bëja gjithçka që ka dallim. Nuk e di nëse prania ime hyn në ndonjë punë. Unë nuk kam ide mburrjeje me identitetin tim. Besoj se çdo kush mund të thotë diç. Nuk ka nevojë të jesh person që ka fituar famë falë programeve televizive për ta ngritur zërin dhe për të thënë ‘kjo është ajo që duhet bërë’. Gjithkush mund ta bëjë këtë. Nuk po flas vetëm për refugjatët nga Siria. Po flas duke i përfshirë të gjithë refugjatët”, tha ai.

Abraham tregon se si fëmijë kam jetuar në El Paso dhe është rritur duke menduar se është meksikan.

“Flas edhe spanjollisht. Shokët e mi kishin jetuar në Meksikë. Shkonim në shtëpinë e njëri-tjetrit. Tani është e tmerrshme të mendohet ndarja duke i kthyer këta njerëz prapa. Në këtë shtet ka vend për të gjithë. Nëse do të hiqnim dorë nga bombardimet në vende të tjera dhe paratë t’i përdornim për ta zhvilluar Amerikën dhe për të krijuar mundësi pune, mund të gjejmë shumë gjëra që njerëzit mund të bëjnë. E di se mund ta bëjmë këtë”, shprehet Abraham.

Murray Abraham lindi në vitin 1939 në qytetin Pittsburgh. Babai i tij ishte një riparues veturash i cili migroi nga Siria në vitin 1920, ndërkohë që nëna e tij ishte amerikane me prejardhje italiane. Abraham u rrit në qytetin El Paso të Teksasit në afërsi me kufirin meksikan, ndërkaq karrierën e aktrimit e filloi me inkurajimin e njërit prej mësuesve.

Abraham vazhdoi me aktrim në New York dhe Los Angeles, ndërsa në vitin 1983 mori rol në filmin “Scarface” së bashku me Al Pacino-n. Më 1984, ai e fitoi çmimin Oscar në kategorinë “aktori më i mirë mashkull, për rolin në filmin “Amadeus”. Gjithashtu, ai u shpërblye edhe me çmimin “Globi i Artë”.

Aktori i famshëm i cili më pas kishte vazhduar të luaj në shumë filma, mori role edhe nëpër seriale televizive. Së fundi, Abraham hyri në listën e kandidatëve për çmimin “Emy”, për rolin e zyrtarit të CIA-s në serialin “Homeland”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button