Në Pejë e Klinë mbi 3 mijë veta hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës

Të hënën, në njërin nga sportelet e Komunës së Pejës, dy mërgimtarë kanë dorëzuar kërkesat e tyre për të hequr dorë nga shtetësia e Kosovës.

Nga 10 maji i vitit 2009 kur ka filluar edhe e drejta e aplikimit për shlyerjen e shtetësisë, sipas shefit të ofiqarisë së Pejës, Shefqet Thaçi, dy mijë persona nga Komuna e Pejës kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Për Thaçin kjo është shqetësuese, por, sipas tij, ky është realiteti. Në mesin e disa dokumenteve që duhet t’i ketë një aplikues, që nuk “dëshiron” më të quhet shtetas kosovar, duhet ta ketë edhe vërtetimin që nuk ka obligime ndaj komunës për tatim në pronë ose që e ka të shlyer tatimin.

“Te unë vijë me marrë një vërtetim që nuk kanë obligime tatimi në pronë. Por edhe nëse kanë pronë në emër të vet, ata si shtetas të huaj kanë të drejtë me pas pronë në emrin e vet në Kosovë, por duhet me i pas obligimet e shlyera ndaj arkës komunale”, tregon drejtori për Buxhet e Financa në Pejë, Jeton Abazaj.

Edhe në komunën fqinje të Pejës, në Klinë, nuk është i vogël numri i mërgimtarëve që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës. Shefi i ofiqarisë së Klinës, Muhamet Gashi, tha për KD-në se në këtë komunë, nga maji i vitit 2009 e deri këtë javë, shtetësinë e Kosovës e kanë shlyer 1 mijë e 50 persona.

Shlyerja e shtetësisë së Kosovës nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë në vendet të ndryshme të Perëndimit, në të cilat nuk lejohet mbajtja e dyshtetësisë, nuk kalon pa lënë probleme para. Njëri prej tyre është edhe mbetja e emrave të ish- shtetasve tanë në listat e votimit.

“Mbetja e emrave në listat e votuesve të personave që kanë hequr dorë nga shtetësia është njëri nga problemet kryesore, pasi këto lista edhe nuk po pastrohen rregullisht nga këta emra. E emrat e tyre të mbetur në listat e votimit japin mundësinë e keqpërdorimit dhe të manipulimit në procesin e votimit”, e potencon këtë problem, Qenan Bardhaj nga OJQ “Syri i Vizionit” në Pejë, e cila si bashkëthemeluese e organizatës “Demokracia në Veprim”, ka përgjegjësi monitorimin e zgjedhjeve në Rajonin e Pejës dhe të Gjakovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button