Ahmeti takohet me ambasadorin e Malit të Zi në Maqedoni

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, kë pritur në një takim pune Ambasadorin e Malit të Zi në Maqedoni, Dushan Mrdoviç. Bashkëbiseduesit diskutuan rreth marrëdhënieve midis dy vendeve tona, perspektivave të Ballkanit perëndimor si dhe për aktualitete politike.

Ambasadori i Malit të Zi theksoi rolin e rëndësishëm të komunitetit shqiptar në Mal të Zi, në veçanti drejt arritjes së pavarësisë së këtij vendi, por edhe në zhvillimet e mëtejme. Mali i Zi po ec me hapa të sigurt drejt integrimit në NATO dhe Bashkimit Evropian.

Gjithashtu u diskutua rreth letrës së Kryetarit Ahmeti dërguar Kryetarit të Asamblesë Parlamentare të OSBE, Krivokapiç në të cilën e fton atë që të ushtron autoritetin e tij për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së emrit dhe Ambasadori Mrdiç paralajmëroi vizitën e z. Krivokapiç në të ardhmen e afërt.

Kryetari Ahmeti theksoi kontributin e të gjitha subjekteve politike shqiptare në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri për ta përkrahur pavarësinë e Malit të Zi si dhe foli për përvojat e tija konstruktive me udhëheqësit politik të Malit të Zi.

Ahmeti u përqendrua në rëndësinë e procesit integrues të Maqedonisë, por edhe të vendeve të rajonit në NATO dhe Bashkimin Evropian me ç ‘rast theksoi që Maqedonia dhe Mali i Zi duhet të përkrahen mes vete për ta arritur këtë synim të ndërsjellë.

Kryetari Ahmeti gjithashtu foli për takimet e veta në nivele të larta ndërkombëtare që arritën të rikthejnë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar për nevojën urgjente të zgjidhjes së çështjes së emrit si një parakusht për të vijuar proceset integruese.

Kryetari Ahmeti nënvizoi që ka ardhur koha që të ndërmerren vendime të guximshme politike që do ta garantojnë të ardhmen e vendit tonë, ngjashëm me veprimet e guximshme të politikanëve të Malit të Zi për të arritur pavarësinë e vendit të tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button