Dëshmia e shokëve të klasës: Adriatiku u vra pranë nesh

Një ditë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në shkollën profesionale “Beqir Çela” në Shkozet të Durrësit, krahas tronditjes psikologjike që kanë pasur nxënësit dhe stafi pedagogjik, mësimi ka vijuar normalisht.

Vetëm një grup nxënësish të vitit të dytë, por edhe disa shokë të viktimës, janë organizuar për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Adriatik Totës, vrarë në sy të tyre. Ata tregojnë momentet e vështira që kaluan kur dëgjuan krismat dhe më pas moshatarin e tyre të përgjakur. Para nisjes drejt shtëpisë së 16-vjeçarit, nxënësit tregojnë momentin kur kanë dëgjuar dy të shtëna me armë zjarri, njëri prej të cilëve i mori jetën shokut të tyre. Edison B. dhe Aurel B., dy prej shokëve të klasës së viktimës Adriatik Tota, tregojnë momentet kur ndodhi krimi. Ata shprehen se nuk kanë vënë re ndonjë sjellje të çuditshme tek Adriatiku mëngjesin e së mërkurës, madje tregojnë se ishte i qeshur dhe gazmor, si gjithnjë.

Ku ndodheshit në momentin që ndodhi ngjarja?

Edisoni: Ndodheshim së bashku me shokët e klasës në repartin e praktikës mekanike. Në total ishin rreth 22 nxënës të ndarë në dy sektorë. Adriatiku ndodhej në sektorin ku mësohej riparimi i motorit. Nuk arritëm të shikonim momentin kur autori nxori armën, pasi ishim të përqendruar në shpjegimin që po bëhej nga mësuesi i autoteknikës, por dëgjuam dy të shtëna me armë zjarri. Kur kthyem kokën, pamë Adriatikun të shtrirë përtokë dhe nga koka po i rridhte gjak, ndërsa autori u largua me shpejtësi.

Si reaguat në ato momente dhe a tentoi ndonjëri prej jush të neutralizonte autorin?

Aureli: Në fakt gjithçka ndodhi brenda pak sekondave, nuk arritëm të kuptonin atë çfarë po ndodhte. Të gjithë u trembëm nga të shtënat e armëve dhe mbetëm të shtangur në vend. Askush nuk tentoi ta ndalonte autorin, por vetëm e pamë teksa largohej me shpejtësi.

Çfarë bëtë pas kësaj?

Edisoni: Ishim të shokuar, pamë të shtrirë përtokë dhe të mbuluar nga gjaku shokun e klasës sonë. Mësuesi na tha të qëndronim larg kësaj skene dhe njëri prej nesh njoftoi policinë dhe autoambulancën. Ata mbërritën menjëherë, por ishte e kotë, Adriatiku kishte vdekur. U tronditëm jashtëzakonisht shumë.

A arritët ta identifikonit personin që qëlloi mbi Adriatikun?

Edisoni: Për vetë mënyrën si u zhvillua ngjarja, nuk arritëm të kuptonim se kush qëlloi mbi të. Ne e pamë vetëm në momentin kur u largua me shpejtësi dhe në kokë mbante një kapuç, çka na pengoi të kuptonim se kush qëlloi mbi shokun e klasës sonë. Por pak sekonda më pas e kuptuam se personi që qëlloi në drejtim të Adriatikut ishte nxënës i vitit të parë. Nuk e kuptuam arsyen se përse e qëlloi Adriatikun, pasi nuk ishim në dijeni të ndonjë sherri mes tyre. Madje Adriatiku ishte shumë i qetë dhe gazmor gjatë orëve të para të mësimit.

Ju jeni shoqëruar së bashku me të tjerë nxënës edhe nga policia në cilësinë e dëshmitarit. Çfarë thatë?

Aureli: Asgjë më shumë se çfarë ju thamë juve. Na pyetën se çfarë arritëm të shihnim nga ngjarja dhe se mos e njihnim autorin. Pasi na morën disa herë në pyetje, na lanë të lirë. Di që nga dëshmitë e dhëna nga të paktën 27 nxënës, policia arriti të identifikonte autorin. Këtu janë shumë nxënës dhe fakti që autori ishte në vit të parë, domethënë i ri, nuk është se e njihnim personalisht.

Kishit njohje të mëparshme me autorin e ngjarjes? Po viktima si sillej, kishte probleme apo konflikte mes tyre?

Aureli: Siç ju thashë, autorin nuk e njihnim shumë, pasi nuk ishte pjesë e grupit tonë. Ne jemi viti i dytë, ndërsa ai ishte në të parin dhe atë e shikonim vetëm në orën e praktikës, pikërisht në repartin ku ndodhi ngjarja. Ndërsa Adriatikun e kishim shok klase dhe kishim njohje të mirë mes njëri-tjetrit. Të paktën nga ne nuk është konstatuar ndonjë konflikt mes autorit dhe viktimës që mund të merrte të tilla përmasa. Zënkat mes shokëve janë normale, por askujt nuk mund t’i shkonte ndër mend që mund të ndodhte një ngjarje e tillë. Adriatiku kishte një sjellje të mirë dhe në dijeninë tonë, nuk kishte ndonjë konflikt, aq më pak me autorin.

Si ndiheni në shkollë pas kësaj ngjarjeje? Jeni të frikësuar?

Edisoni: Të frikësuar nuk jemi, por të tronditur psikologjikisht. Kjo ngjarje na ka shokuar të gjithëve. Krahas kësaj, do të ishte mirë që edhe në shkollën tonë, të paktën të qëndronte ndonjë efektiv policie, ndoshta jo me kohë të plotë, por me kohë të pjesshme, siç qëndrojnë në të gjitha shkollat. Do të ishim akoma më të sigurt nëse policia do të ishte e pranishme.

Qirinj në shkollë për viktimën

Organizata joqeveritare “Reago” u mblodh para shkollës profesionale “Beqir Cela” në Shkozet për të ndezur qirinj në kujtim të jetës së adoleshentit Adriatik Tota, i cili u vra me armë zjarri nga një bashkëmoshatar në repartin e praktikës mekanike gjatë orës së mësimit. Kryetari i kësaj organizate, Leonard Dedej, tha se nëpërmjet këtij gjesti ata shprehin indinjatën e tyre me qëllim që të tilla ngjarje të mos përsëriten në të ardhmen dhe të forcohet siguria nëpër shkolla. Pjesë e kësaj nisme, krahas përfaqësuesve të organizatës, janë bërë edhe nxënës të shkollës “Beqir Çela”, të cilët kanë ndezur nga një qiri në kujtim të shokut të tyre. /Panorama

Lajme të ngjashme

Back to top button