Xhelil Bajrami: Maqedonia është e gatshme për një kryeministër shqiptar

Situata politike në Maqedoni vijon të mbetet e tensionuar, vetëm dy ditë më parë një pjesë e partive politike vendosën të mos marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme, të caktuara për tu mbajtur më datë 5 qershor. Ndërsa prej kohësh ka bërë “bujë” deklarata e Presidentit Ivanov për amnistinë e politikanëve të përfshirë në afera.

Xhelil Bajrami, ish- ministër i Mjedisit në Maqedoni, në një intervistë për gazetën “Express” shprehet se një qeveri kalimtare me një raport specifik me Brukselin dhe donatorët e tjerë ndërkombëtarë duke pasur synim kryesor realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe ruajtjen e stabilitetit financiar do te ishte e mirëpritur.

Bajrami hedh idenë e zgjedhjes së një kryeministri shqiptar në Maqedoni, duke nënvizuar se kjo ide përtej pritshmërive ka gjetur mjaft mbështetje.

Ai shprehet i gatshëm për të dhënë kontributin e tij, me një rikthim aktiv në jetën politike të Maqedonisë.

Zoti Bajrami si e shihni situatën aktuale politike në Maqedoni?

Maqedonia ka hyrë në një spirale krize prej disa muajsh dhe për fat të keq u humb edhe rasti i një zgjidhjeje përmes zgjedhjeve më 5 qershor. Ka shumë rëndësi fakti që pavarësisht dimensioneve që ka kriza politike në vend, ajo synohet të zgjidhet me mjete demokratike. Personalisht mbështes vetëm zgjidhje me mjete dhe forma demokratike dhe jo nëpërmjet sjelljeve ekstreme. Natyrisht protestat e qytetarëve dhe reagimet publike janë pjesë e sjelljes demokratike të një shoqërie të civilizuar.

Sipas jush cila do të ishte një zgjidhje për të dalë nga kjo krizë?

E thashë edhe më parë që unë mbështes vetëm zgjidhje demokratike dhe pavarësisht kohës kur mund të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme pas dështimit të afatit të 5 qershorit, rëndësi ka që më së fundi të gjitha palët të pajtohen me rezultatin. Shtyrjet e një pas njëshme të dy afateve zgjedhore treguan se palët e përfshira në këtë proces së bashku me faktorin ndërkombëtar i kushtojnë rëndësi integritetit të zgjedhjeve dhe krijimit të një paqeje sociale afatgjatë. Ne duhet të punojmë në këtë drejtim. Lidhur me zgjidhjen afatshkurtër, pavarësisht se nuk ka një precedent të tillë, rimbledhja e parlamentit le të shërbeje sa për t’i dhënë votëbesim një qeverie të re teknicienësh me bazë të gjerë dhe të shpërndahet. Vijimi i punës së parlamentit aktual pas shpërndarjes së tij do të ishte rast sui generis. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë në vende normale. Një qeveri kalimtare me një raport specifik me Brukselin dhe donatorët e tjerë ndërkombëtarë duke pasur synim kryesor realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe ruajtjen e stabilitetit financiar do te ishte e mirëpritur.

Ju keni hedhur një ide për një kryeministër shqiptar në Maqedoni. Sa është e mundur kjo gjë dhe a janë gati në Maqedoni për këtë ndryshim?

Ideja e një Kryeministri shqiptar në Maqedoni mund të them se ka gjetur mbështetje më të madhe sesa e kam menduar në fillim. Qarqe të shumta intelektuale në Maqedoni dhe jashtë saj e kanë parë realizimin ë kësaj ideje si një element shtesë për krijimin e besueshmërisë mes palëve në konfliktin politik dhe thyerjen e tabuve të së kaluarës. Faktori ndërkombëtar që në përgjithësi është i çliruar nga atavizmat prej të cilave vuan Ballkani, idenë e një Kryeministri shqiptar në Maqedoni e sheh si ide progresive nga e cila fitojnë të gjithë. Vini re çfarë ndodhi në një nga kryeqytetet më të vjetra, më të mëdha dhe më të civilizuara të Evropës, Londrën. Atje u zgjodh për herë të parë një mysliman. Ne duhet të frymëzohemi nga shembujt pozitiv dhe të inkurajohemi dhe besojmë më shumë njëri tjetrin. Unë jam i bindur që, në mos sot, nesër ka për të ndodhur që edhe Maqedonia ta ketë kryeministrin shqiptar, sepse kjo fundja reflekton një realitet të një vendi multietnik, ku shqiptaret janë pjesë shtet formuese.

Si ju duket deklarata e Ivanov për amnistinë e politikanëve?

Për fat të keq Presidenti Ivanov me deklaratën ë tij të amnistisë, i dha një goditje institucionit të Presidencës dhe themeleve të kushtetushmerisë. Ai goditi sistemin e pavarur te drejtësisë,  i cila edhe pa këtë ndërhyrje presidenciale, mjaft i kontestuar është. Me ndërhyrjen e tij Ivanov jo vetëm e përfshiu Presidencën në vallen e institucioneve qe janë në krizë, por edhe vetë u dëshmua pale në rreshtim politik dhe partiak. Ai krijoi një precedent të rrezikshëm dhe kontribuoi në dështimin e zgjedhjeve të 5 qershorit duke shtyrë zgjidhjen politike. Unë kam përshtypjen se izolimi ndërkombëtar i Presidentit Ivanov do pasohet me shkarkimin e tij nga parlamenti i ri.

Mendoni se do të ketë zgjedhje normale në Maqedoni më 5 qershor?

Unë nuk besoj se mund të zhvillohen zgjedhje vetëm me një parti. Pavarësisht se formalisht ligji ja lejon pjesëmarrjen në zgjedhje partisë VMRO-DPMNE, politikisht, moralisht por edhe administrativisht ajo nuk besoj se do shkojë deri në fund të garës. Kjo parti besoj se do të tërhiqet nga zgjedhjet, pavarësisht panikut dhe debatit të brendshëm me të cilin po ballafaqohet. Dorëzimi i formularëve dhe listave në KQZ nga kjo parti, mendoj se është thjeshte një formë presioni që po e përdor ish-Kryeministri Gruevski në bisedimet ndërpartiake dhe ato me faktorin ndërkombëtar.

Ju keni shprehur aspirata për rikthim në politike, pse ky rikthim pas kaq kohësh?

Unë nuk po rikthehem në politike, për shkak se kam qenë, jam dhe do mbetem një pjesë e saj. Pjesëmarrja në politike, sigurisht që ka disa forma. Ka momente të një pjesëmarrjeje direkte, aktive dhe të përditshme, por ka edhe momente të një angazhimi jashtë strukturor dhe jo domosdoshmërisht i rreshtuar ne një grupim politik apo në një strukturë administrative. Të gjithë ne jemi të përfshirë në hallet tona të përditshme. Ka ndodhur që kriza e pazakonte në Maqedoni më ka “rikthyer” mua siç po rikthen edhe modelin e negociatorëve ndërkombëtare, të cilët nuk i kishim parë që nga viti 2001.

Rikthim me një parti të re të krijuar nga ju apo pjesë e ndonjë partie ekzistuese?

Nëse kriza vazhdon dhe ne mendojmë që nga përditshmëria jonë duhet të japim akoma më shumë kohë dhe energji për të kontribuar për zgjidhjen e saj dhe për përfaqësimin më të mirë të interesave të shqiptarëve, asnjë lloj forme klasike angazhimi nuk përjashtohet. Për mua nuk ka rëndësi nëse do të jem pjesë e një strukture politike aktuale apo nëse do të jem pjese e një partie të re. Natyrisht, ne secilin rast nuk dua të jem në politikë thjeshte për politike, por dua të sjell një formë të re mendimi, sjelljeje dhe ofertë më të qartë politike për vendin dhe shqiptarët.  Kriza e deritanishme ka prodhuar disa parti, por fatkeqësisht ende shumë pak alternativa. Shqiptarët sot, përveçse një lidership të ri përfaqësues, kanë nevojë për një alternativë të besueshme larg klisheve dhe tullumbaceve propogandistike. Nëse në Maqedoni do te lind nevoja dhe krijohen kushtet e përshtatshme për t’iu përgjigjur ftesës së ndonjë grupimi të ri politik, do ta konsideroj me seriozitet përfshirjen time në një politike aktive të përditshme, që simbolikisht mund të konsiderohet, siç e thatë dhe ju një “rikthim” në politikë. Aktualisht jam në një bashkëpunim dhe dialog intensiv me ekspertët më të mirë politik në Maqedoni dhe me miq ndërkombëtar për të ofruar ide dhe alternativa për daljen e vendit nga kriza. Në një rast tjetër, me kontributin e këtyre personaliteteve dhe shumë te tjerëve, do të ndjehem mjaftueshmërisht i inkurajuar për të drejtuar një force të re politike,  e cila duhet të jetë e re jo vetëm nga emri dhe koha e krijimit, por duhet të ketë një vizion modern dhe afatgjatë për të ardhmen tonë. Një forcë e re politike, për mendimin tim, nuk duhet të lindë vetëm si pasojë e krizës, por mbi të gjitha si një alternative e re, që sjell shpresë dhe besim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button