Kushtet johumane në Calais, refugjatët ankohen për dhunë, uri dhe vjedhje

Brenda kampit për refugjatë “Jungle”, në qytetin Calais të Francës, refugjatët kanë shkruar në frengjisht parullat “liri, barazi dhe vëllazëri”, ndërkohë që organizata dhe aktivistë të shumtë, kampin e kanë shpallur me kushtet më të këqija për refugjatë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gazetari i AA-së kaloi pesë ditë brenda kampit duke jetuar bashkë me refugjatët dhe gjatë qëndrimit brenda tij, e kishte të pamundur të mos vërejë minjtë e mëdhenj të cilët shëtisin lirshëm breda kampit 280 kilometra larg Parisit.

Kusherinjtë Hosam dhe Homar kanë braktisur Iranin për motive politike, dhe tani ka shtatë muaj që jetojnë në një veturë karavan të cilën ua kishte dhuruar një britanik.

Franca nuk është ashtu siç kemi menduar, thanë ata.

Hosam një burrë me fakultet të kryer në Teheran, thotë se është dëshmitar i dhunës së ushtruar nga banorët e qytetit Calais dhe të policisë franceze në orët e mbrëmjes.

Siç rrëfen ai, tre muaj më parë një grup e kishte sulmuar me thika dhe shufra. Gjatë sulmit atij i kishin marrë paratë dhe celularin, ndërsa ishte rrahur deri në alivanosje për të përfunduar me hundë të thyer.

“Kjo është shndërruar në diçka të zakontë”, thotë ai.

“Kemi frikë të shkojmë në qytet. Qytetarët e Calaisit janë fashistë ndërsa kanë përkrahjen edhe të policisë. Kur fashistët rrahin refugjatët policia vetëm vështron. Përveç kësaj, policia uron ata dhe ua shtrëngon dorën”, tha Hosam për të shtuar se nuk janë të mirëseardhur as nga qytetarët dhe as nga shteti.

Hosam thotë se policia nuk merret me problemet e refugjatëve.

“Në Jungle ka vetëm një logjikë, uria. Sa shumë që refugjatët janë të uritur, aq më shumë mbeten pa energji. Si policia ashtu dhe njerëzit përdorin dhunë sistematike ndaj refugjatëve”, tha Hosam.

Fjalët e Hosamit u konfirmuan edhe nga iraniani tjetër Sasan.

“Kemi të bëjmë me dy lloje të fashistëve, me banorët e Calaisit dhe me policinë franceze. Si policia ashtu edhe njerëzit, kur shohin ndonjë refugjat e rrahin atë. Policia përdor gaz lotsjellës, municion për stërvitje dhe godet me grushta. Njerëzit vjedhin paratë , telefonat dhe rrahin refugjatët deri në alivanosje”, tha Sasan dhe shtoi se ai dhe refugjatë të tjerë janë penduar që kanë ardhur në Francë, por se tani siç thotë është e pamundur të kthehen mbrapa.

Ai thotë se më shumë e dëshiron vdekjen se sa të përjetojë të gjitha këto.

“Për shtatë muaj i humba të gjitha, paratë, mendjen, humanizmin, nderin. Nuk dimë çfarë të bëjmë. Sikur të kisha mundësi të kthehem në Iran. Kam tentuar të ikë, ndoshta rreth 100 herë, përsëri do të tentoj, nuk kam zgjidhje tjetër”, thotë ai.

Halili (42) ka ikur nga Teherani bashkë me familjen. Siç thotë, shpeshherë mendon të kryej vetvrasje. Ka dhënë para për tendën e cila është shkatërruar, ndërsa ka dy muaj që nuk është larë sepse nuk ka para, ndërkohë që jeton në shitoret apo tendat e refugjatëve të tjerë.

“Dhjetë litra ujë kushtojnë tre euro, ndërsa shamponi kushton 50 cent dhe peshqiri një euro. Nuk kam ku të gjejë pesë euro. Edhe sikur ti gjeja, duhet pritur për 10 deri në 15 orë në një rresht për të bërë një dush. Në kamp jetojnë pesë mijë njerëz “, tha Khalil, duke shtuar se më mirë do të vdiste në Iran se të jetojë në këtë kamp.

Djali i tij Suphan (17) thotë se gënjen familjen e tij në Iran kur u thotë atyre se në Francë jetojnë mirë dhe se këtu kanë gjithçka. “Si ti thëm nënës time se na rrahin, se jemi të sëmurë dhe të uritur”, shpjegon ai.

Njëjtë si refugjatët tjerë, edhe Suphan ankohet për brutalitetin e policisë franceze.

“Kur u drejtoheni në anglisht ata nuk përgjigjen. Kemi frikë për atë se çfarë mendojnë. Ne jemi njerëz, jo monstra. Përpiqemi t’ua themi këtë por nuk na dëgjojnë sepse refugjati në Jungle nuk është njeri”, rrëfen Suphan.

Në kampin famëkeq nuk vijnë vetëm refugjatë nga pjesë të ndryshme të botës por edhe një numër i madh vullnetarësh. Më të shumtë janë ata nga Britania e Madhe të cilët në kamp ndërtuan dhoma të vogla dhe të mëdha, në të cilat refugjatët mund të lexojnë, të mësojnë, dhe të kryejnë ritet fetare.

Edhe pse në shikim të parë duket se kampi mbijeton në saj të vullnetarëve, shumë refugjatë ankohen se një pjesë e madhe e vullnetarëve që vijnë e bëjnë këtë sa për t’u argëtuar. Disa madje përdorin dhe drogë të cilën ua ofrojnë edhe refugjatëve.

Refugjatët besojnë se disa vullnetarë të rinj vijnë këtu sa për të kaluar kohën e lirë e disa të tjerë besojnë se ka prej vullnetarëve të cilët punojnë për shërbimet e inteligjencës së Francës. Në kamp mund të gjeni refugjatë me profesione të ndryshme, njërëz që në vendet nga vijnë kanë qenë qytetarë të çmuar. Sidoqoftë, në Jungleu ka vetëm dy mjekë, njëri pediatër dhe tjetri kardiolog.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button