Si qeverisin?

Nuk di politikisht të të përgjigjem kësaj pyetjeje, mikja ime, se tash sa kohë i lexoj vetëm titujt e gazetave sa për të mbajtur një fije kontakti me realitetin, tek-tuk ato kolumna politike që më hyjnë në punë më tepër për shkaqe stilistike se sa përmbajtësore, ndërsa lajmeve televizive nuk ua duroj as edhe xhinglat që më asocojnë o me paperspektivën dhe jofunkcionalitetin e përgjithshëm o me propagandën në kuptimin se si e mësonim në shkollë. Por më kujtohet që më ke shkruar njëherë se të kuptuarit e politikës nuk konsiston në atë se kush është kush dhe kush çka tha, pasi e para kjo mësohet me një klik në Internet dhe e dyta, pasi që e mëson këtë e sheh se kjo nuk është esenca e të kuptuarit të politikës.

Përherë më bëjnë përshtypje fytyrat e lumtura të politikanëve në pres-konferencat pas zgjedhjeve, duket sikur mezi presin të hyjnë (sërisht) në zyrat e veta dhe t’i rreken punës. Duket sikur kësaj here do bëhet më mirë, do bëhen më seriozë, shiko sa janë munduar për të fituar edhe një shansë. Gëzimi është motivim i mirë, të çon disi peshë, pengesat atëherë s’duken pengesa. Përherë naivisht besoj se pas fitores i ka mbërthyer energjia e re dhe kjo s’ka si të mos japë fryte!?

Mandej hyjnë binareve të njohura, nis e u ngrin buzëqeshja. S’kanë më aq entuziazëm as në fytyrat as në fjalët, ose e aktivizojnë vetëm sa zgjat inçizimi, për të treguar se s’është që s’dijnë apo s’duan, edhe dijnë edhe duan, por disi shumë pengesa, ama edhe ato do kapërcehen, nuk lejojnë të dekurajohemi, jo… 

Paramendoni një reality-show në zyrën e një udhëheqësi: sa orë në ditë punon, çka bën për ata që i kanë dhënë mandat të jetë aty, sa ngul këmbë për punët tona, sa është ekonomik me paret tona, sa pjesë të kohës harxhon për dredhitë me benefit personal apo partiak, çka flet me bashkëpunëtorët para të cilëve nuk fsheh gjë?

Provoni të kërkoni takim të shkurtër me politikanin, do ta takoni pas shumë kohe ose s’do ta takoni fare. Nëse janë aq të zënë, pse atëherë mungojnë rezultatet? Nëse vërtet janë aq të zënë dhe kjo s’rezulton me cilësinë e jetës sonë, atëherë çka duhet të mendojmë për shkathtësitë e tyre? Apo është puna e proporcionit të kohës së harxhuar për të mirën e qytetarëve/kohës së harxhuar për të mirën personale ose të Partisë?

Si e kalon kohën e lirë një politikan? Nuk i shohim në teatro përpos në data të shënuara apo raste protokolare. Rrallë i hasim në ekspozita që nuk janë organizime konjukturale. S’janë në park, në shesh, buzë lumit; në cilat kafene dalin kur u duhet çlodhje nga puna? A shkojnë në dyqan, market ose pazar, kush ua blen patatet, domatet? 

Si pasurohen politikanët duke kursyer nga rroga dhe mëditjet? Pse të tjerët e kanë vështirë të blejnë një patundshmëri nga rroga dhe honoraret? Pse përpara ekzistonte e tash jo Komisioni për verifikimin e preardhjes së pasurisë? Kujt iu konfiskua pasuria e paligjshme te ne? E ditur është që korektiv i sjelljes njerëzore përgjatë gjithë historisë ka qenë standardi personal (morali, droja nga Zoti, turpi nga tjerët) ose standardi ligjor. Këto bashkëjetojnë në shoqëritë e rregulluara apo mungojnë të dyjat aty ku të qenit hajdut i Elitave tashmë është standardizur, normatizuar, është bërë çallëm e jo turp. 

Pse janë aq pa shije zyrat e politikanëve tanë, luksoze dhe të shëmtuara? Në një vend të varfër luksi me pare buxheti është vetvetiu i shpifur, duket keq dhe flet keq. 
Dhe sa më i varfër shteti, aq më dorëlirë pushtetarët. 

A ecin në këmbë ndonjëherë, posaçërisht kryetarët e komunave? Apo gjithkund shkojnë me veturat e mëdha me xhama të errësuara prej nga gjithçka rrotull duket si nëpër mjegull? Si njihen me problemet e qytetarëve nëse as nuk i takojnë as nuk kalojnë aty ku ata me hallet e përditshme jetojnë? Gjatë punës si gazetare kam pasur vetëm një shtytje për emision politik, një portret për drejtorin e Ndërmarrjes Publike Komunale në Tetovë Rauf Ramadani. Ai kishte zakon të shkonte në punë në këmbë dhe derisa mbërrinte në zyrë fitonte pasqyrë nga dora e parë si ecin punët dhe ku ngecin. Kështu e niste ditën e punës. Thoshte që edhe natën del dhe ec rrugëve. Qyteti ndërroi pamjen gjatë mandatit të tij të shkurtër, plot me ide dhe energji për t”i shtyer punët deri në fund e jo vetëm për t”i nisur sa për të dhënë deklarata të forta. Mendoj se për këtë mënyrë menaxhimi ishte inspiruar gjatë qëndrimit të tij në Perëndim. K ur qyteti nisi t’i ngjajë qytetit dhe tetovarët, pa dallim përkatësie, nisën ta duan dhe perceptojnë si funkcionar që është në anën e tyre, i gatshëm për ti dëgjuar dhe i aftë për t’ua zgjidhur problemet, kuptohet e larguan prej aty.  

A rezonon ndonjëherë ministri se çfarë nënshkrimi i ka dhënë dikasterit të vet, çka është tipizuese për vitet e tij në atë pozicion dhe për çka do ta mbajnë mend qytetarët? Kur themi për ndonjë prej tyre se ka qenë i suksesshëm, a jemi në gjendje ta detajizojme pohimin?

A u kalon ndonjëherë deputetëve nëpër kokë mendimi: ky njeri që jeton në këtë ndërtesë,  në këtë shtëpi, që mjekohet në këtë spital, stresohet kur ka ndonjë punë në këtë institucion, fëmija e të cilit mëson në këtë shkollë, ky njeri pra i njësisë sime që ka votuar pikërisht për mua çka pret prej meje? Çka bëra dhe çka mund të bëj që ai dhe familja e tij të jetojnë pak më mirë në sajë të votës dhe besimit të tyre paraprak për mua, për ne? A jam faqebardhë para tij dhe familjarëve të tij? A më respekton ai mua apo ka harruar që ekzistoj? 

…kur jemi të vegjël, me qëllim të thjeshtëzimit të realitetit, krijojmë sirtarët ku fenomenet që s’arrijmë t’i zbërthejmë i lidhim me simbole. Kështu i ngjyrojmë kuptimet dhe i mbajmë mend më mirë. Si e vogël kuptimi im për politikën ishin nënsjetullat e setrave të Tahirit që as detergjenti i shtrenjtë, i blerë enkas, nuk ua largonte njollat e djerrsës. Pas një kohe nënsjetullat shkërmoqeshin fare dhe shkonin për riparim te rrobaqepësi, enishtja Sadik në Gostivar. Ai ende e tregon këtë anegdotë për politikën e vaktit.

Vërtet, sa djerrsiten dhe sikletohen për ne pushtetarët e kësaj kohe?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autorja, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button