Ronaldo: Brazili favorit, Neymar do bëhet më i miri i botës

Rrëfim i gjatë i ish fenomenit Ronaldo për faqen zyrtare të FIFA-s, me ish lojtarin e Realit dhe Barcelonës që flet gjërë e gjatë, por pa dyshim i përqëndruar te eventi më i madh futbollistik që do të zhvillohet në vendin e tij, pra te Kupa e Botës.

“Fillimi i kampionatit me një grup të lehtë do të ishte mirë, por nuk ka pse të shqetësohet kombëtarja braziliane. E tregoi në Kupën e Konfederatave që ka një skuadër tepër të fortë dhe është pa diskutim favorite për të triumfuar në Botëror”.

Për Ronaldon, Brazili qëndron në vend të parë në listën e skuadrave favorite, në vend të dytë vendos Gjermaninë e më pas Spanjën e Argjentinën, të cilën thotë se do të ishte një surprizë e pakëndshme, në rast se ndodh e paimagjinueshmja për brazilianët, transmeton Supersport.

Neymari, sipas Ronaldos do të jetë një nga yjet e Botërorit, ndërsa ka edhe një mesazh dashamirës për problematikun Balotelli.

“Neymar u largua i kompletuar nga Brazili, por sigurisht që ka mësuar shumë në Europë, pasi aty luhet me më të mirët e botës. Kur qëndron me më të mirët vazhdon të përmirësohesh dhe unë jam i bindur se Neymar një ditë do të jetë numri një i botës. Për Balotellin mund të them se është një kampion i madh. Nëse do të sillet mirë, patjetër që në Botëror mund të bëjë diferencën”.

Temperaturat e larta në vendin e tij nuk e shqetësojnë aspak ambasadorin e Brazil 2014. Ish fenomeni tha se FIFA ka stafe mjekësore mjaft të përgatitura dhe Kupa e Botës është luajtur edhe më parë me mot të nxehtë, siç ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rekordi i golave nga këmbët e Ronaldos në Botërore mund të thyhet nga Klose, por është shumë sportiv dy herë kampioni i botës. Legjenda e Brazilit tha se ai vetë theu rekordin e dikujt dhe tani është e pritshme që dikush tjetër të vendosë një rekord të ri.

Lajme të ngjashme

Back to top button