Vrasja e gjimnazistit, vetëdorëzohet autori: E vrava se më ofendonte

Autori i vrasjes së gjimnazistit 16 vjecar në Shkozet u vetëdorëzua në polici në orët e vona të pasdites së sotme. Ngjarja ka ndodhur sot paradite, kur 16 vjecari, nxënës i vitit të dytë në degën mekanikë, është vrarë në ambjentet e shkollës profesionale ‘Beqir Çela’, me armë zjarri, një pushkë automatike e modifikuar, nga nje bashkenxenes i kesaj shkolle.

Autori i kësaj ngjarje, 15 vjecari E.V., nxënës i vitit të parë, është vetëdorëzuar në polici gjatë orëve të pasdites, pas bashkëpunimit edhe të prindërve të tij. Adoleshenti, ndërsa ka pranuar krimin, mësohet të ketë thënë se kishte qëlluar pasi 16 vjeçari e ofendonte gjithmonë. Ai tha se kishte patur konflikt verbal me viktimën përpara se të ndodhte ngjarja e rëndë.
Në vendin e ngjarjes, sipas policise, është gjetur dhe arma e krimit, ndërsa nxënësit e klasës së viktimës dhe të dyshuarit fillimisht si autore janë shoqëruar në polici për të dhënë dëshmitë e tyre.

Arma, me të cilën është kryer vrasja qe është klasifkuar nga policia si e paramenduar, dyshohet të jetë futur pjesë-pjesë në shkollë dhe më pas është mbërthyer pak para krimit nga autori.  Sipas dëshmitarëve, autori ka hyrë në klasë i armatosur duke shtënë në drejtim të bashkëmoshatarit dhe është larguar me shpejtësi.  Krimi ka ndodhur në klasën ku zhvillohet praktika profesionale e shkollës.

Policia tha se në orët e mbrëmjes ka arrestuar dhe një mësues të kësaj shkolle, i cili po zhvillonte mësim në kohën kur është kryer krimi. Mesuesi eshte shoqeruar për moskallëzim të autorit të vrasjes dhe pse e kishte parë.

“Policia e Qarkut Durrës ka arritur të kapë pasditen e sotme shtetasin E.V., 15 vjeç, i cili vrau me armë zjarri 17-vjeçarin A.T. ne mjediset e shkollës “Beqir Çela” në Shkozet. Kapja e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë është realizuar rreth orës 16:45, falë edhe bashkëpunimit të familjarëve të personit të kërkuar. Që prej momentit të ngjarjes, policia kishte marrë masa të shumta, duke kontrolluar banesat e familjarëve dhe të afërmve të autorit të dyshuar, si dhe kishte duke ngritur postoblloqe kontrolli në të gjitha akset rrugore të zonës. Krahas këtyre masave u kontaktua me familjarët e autorit duke ju bërë të qartë situatën në të cilën ndodhej fëmija i tyre. Pas një sërë veprimesh policore për identifikimin e lidhjeve të tij dhe kontakteve të tij më të fundit, falë edhe bashkëpunimit të familjarëve u bë kapja e E.V. në një prej lokaleve të qytetit të Durrësit. Nga deklarimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta të një grindjeje mes adoleshentësh. Vazhdon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet e çështjes do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button