Gjykata i heq mandatin, Kokëdhima: Rruga ime në politikë vazhdon

Gjykata Kushtetuese zbardhi dje vendimin paraprak mbi heqjen e mandatit të deputetit socialist, Koço Kokëdhima, ndërsa vendimi i plotë pritet të bëhet publik në ditët e ardhshme. Sipas njoftimit të shkurtër për mediat Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesi si dhe prapësimet e paraqitura nga subjekti i interesuar, në mbështetje të nenit 131/e të Kushtetutës, si dhe të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, vendosi konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Koço Kokëdhima.

Disa orë pas zyrtarizimit të vendimit, deputeti Kokëdhima deklaroi se do të presë vendimin e arsyetur të Gjykatës Kushtetuese pastaj të komentojë. Por, përmes një statusi në profilin e tij në “Facebook”, drejtuar për miqtë dhe mbështetësit e tij ai i garantoi se rruga e tij në politikë nuk do të ndërpritej këtu dhe se ajo është vetëm në fillimet e saj. “Me apo pa mandat deputeti, unë do të punoj pa reshtur për Ju dhe për një Shqipëri më të mirë. Gjithë jetën time kam punuar me pasion për një jetë më të mirë jo vetëm për familjen time”- u shpreh, ndër të tjera, deputeti Kokëdhima.

Politika mbi të gjitha

Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese mbyll një gjykim me ritme të përshpejtuara dhe të pazakonta për një çështje të tillë, krahasuar me të tjerat që janë gjykuar nga Gjykata Kushtetuese

Pas disa muajsh deklaratash verbale nga selia blu, më 26 shkurt 2015, PD-ja zyrtarizoi kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit Kokëdhima. Sipas akuzës së opozitës deputeti kishte përfituar të paktën 150 herë fonde publike nga pasuria e qytetarëve, nëpërmjet shoqërisë “Abissnet”, konkluzion i arritur pas një pune disa mujore hulumtimi e hetimi, të bërë nga departamenti anti-korrupsion në PD.

Opozita pranonte se Kokëdhima kishte qenë aksioner i kompanisë deri më datë 06.02.2014, por sipas saj ekzistonin fatura të periudhës dhjetor 2013-janar 2014, se ai kishte përfituar fonde, që në fakt ishin pagesa të bëra nga kontratat e lidhur shumë muaj më parë. Por Kuvendi u shpreh kundër kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimin e mandatit të deputetit socialist, Koço Kokëdhima, duke e rrëzuar më 16 prill 2015 me 68 vota.

Më 28 tetor 2015 Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e avokatit të deputetit Koço Kokëdhima, që socialisti të jetë i pranishëm në seancën që do të mbahej më 23 nëntor 2015 me objekt “Për mosdërgimin në Kushtetuese të çështjes për konstatimin e papajtueshmërisë me detyrën të deputetit Koço Kokëdhima”, si dhe konstatimin e antikushtetutshmërisë së këtij vendimi.

Më 24 shkurt 2016, me vendimin numër 7 Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë opozitës pasi shumica parlamentare votoi kundër dërgimit të dosjes së deputetit kokëdhima në Kushtetuese, duke rrëzuar vendimin e Kuvendit të 16 prillit 2015.

Më 8 mars 2016, Kuvendi vendosi, në senacë plenare që mandati i deputetit t’i kalonte për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese.

Brenda kësaj kohe kaq të shkurtër, për një të ashtuquajtur dosje voluminoze për 150 pagesa të bëra në konflikt interesi, Gjykata Kushtetuese vendosi që t’ia ndërpresë mandatin deputetit të majtë, duke qenë nën presionin e vazhdueshëm të politikës. Ndërsa vendi ishte ngërthyer nga debatet për reformën në drejtësi dhe për ligjin e dekriminalizimit, PD-ja, gati çdo ditë, dilte në konferenca shtypi, duke kërkuar zbardhjen e vendit që ia hiqte mandatin dhe duke denoncuar, sipas saj, presionin që po bënte kryeministri Edi Rama mbi anëtarët e Gjykatës Kushtetuese për të mos ia hequr mandatin deputetit të tij.

Sulmet politike ndaj deputetit të majtë, prej 3 vitesh nuk kanë qenë lajm për politikën shqiptare. Prej fitores së mandatit si deputet i PS-së në Sarandë dhe njëri prej deputetëve të majtë në qarkun e Vlorës, Kokëdhima ka qenë deputeti më i sulmuar nga opozita. Edhe pse deputet për herë të parë në Kuvend, mbi të u përqëndruan sulmet më të egra politike të opozitës, duke e lidhur emrin e tij me çështje që kishin qenë prej vitesh objekt gjykimesh në të gjitha shkallët e gjyqësorit, siç ishte rasti i një ndërtimi të një familjari të tij në bregdetin e Qeparoit, investimet e qeverisë në jug, deri te punësimet. Sulmet ndaj tij prej PD-së, kanë qenë “polikisht korrekte”. I angazhuar thellë në forcimin e strukturave të PS-së në qarkun e Vlorës, Kokëdhima arriti ta “shkrijë” PD-në si parti në shumë bashki të qarkut. Rezultati në zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015 ishte shkatërrues për PD-në, e cila arriti të fitonte vetëm një bashki, Selenicën, në qark, ndërsa 6 të tjera u fituan nga e majta.

Përballë këtyre rezultateve mbresëlënëse, ndërsa e djathta ndjehej inferiore dhe pa peshë, e majta në pushtet, përveç vlerësimeve të matura, u ndje edhe pak e xhelozuar.

Modeli i aplikuar nga Kokëdhima në rajonin Vlorë-Gjirokastër, nuk u përcoll mirë prej disa figurave të majta që ishin mësuar me modelin konservator të organizimit të partisë në bazë. Hapja e zyrave të PS-së në rajonin Vlorë-Gjirokastër, transparenca me elektoratin dhe marrëdhëniet me të, si dhe afrimi i mijëra anëtarëve, kryesisht nga të rinjtë, nuk u përtypën mirë nga deputetët dhe figurat e tjera në qendër, që ishin mësuar me modelin e vjetër që kishte çuar në tkurrjen e partisë dhe në fuqizimin absolut të figurës së kryetarëve të degëve dhe të deputetëve të zonës. Por rezultatet në afrimin dhe anëtarësimin e figurave të reja në parti, si pjesë e synimit të PS-së për të dyfishuar anëtarësinë deri në 25-vjetorin e themelimit të PS-së, në 12 qershor 2016, i dhanë të drejtë filozofisë politike të Kokëdhimës. Zgjedhja e tij si sekretar për reformën strukturore dhe emigracionin nga asambleja e mbledhur pak javë më parë ishte vërtetim i dëshirës se në PS të gjithë duan impulse të reja dhe një parti të reformuar nga qendra në bazë.

Dhe në një moment ai u ndje “besëprerë”. Ishte votimi i 8 marsit në Kuvend ku shumica e deputetëve votuan që mandati i tij t’i kalonte për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese. Një javë më parë, ai do të shprehej: ““Ky është një detaj që më ka mërzitur, pasi unë nuk kisha dijeni që do të diskutohej çështja ditën e enjte në parlament. E mora vesh 15 minuta para votimit. Ishte një çështje që nuk ishte përfshirë në rendin e ditës dhe unë nuk kisha se si ta dija. Zakonisht grupi parlamentar informohet për rendin e ditës, gjatë mbledhjes të së hënës. Kjo nuk mund të diskutohej të hënën, pasi Komisioni i Mandateve e kaloi ditën e martë. Kjo, sigurisht, që duhet të më ishte thënë, pasi një deputet duhet të përgatitet për gjithçka. Unë u gjeta i surprizuar dhe i papërgatitur, nuk kisha asnjë letër me vete”, shprehej deputeti.

Biznesmeni si kulak

Kokëdhima është njëri prej dhjetra deputetëve që erdhën nga biznesi. Në mos më të hershmit. E kishte nisur, siç thotë edhe vetë, që në ditën e parë kur u lejua iniciativa private, pas rrëzimit të sistemit kolektivist që zbatonte socializmi i Enver Hoxhës. Prej tetorit 1997, me gazetën “Shekulli” dhe me botime të tjera të rëndësishme, u shndërrua në manjatin kryesor të medias në Shqipëri. Mediat që ai udhëhoqi bënë fushata popullore, jo vetëm mediatike, që të ruhej integriteti ekonomik dhe territorial i Shqipërisë. Mjafton të përmendim këtu, fushatat kundër kthimit të vendit në vendgrumbullim për plehrat e importuara nga Italia, nismë e qeverisë Nano, koncesioneve gjakpirëse dhe antikombëtare si ai i Rinasit, apo marrëveshjen për ndarjen e shelfit kontinental mes Shqipërisë dhe Greqisë, nënshkuar në Tiranë në pranverën 2009, që i hiqte Shqipërisë 355 kilometër katrorë hapësirë detare.

Pas ardhjes në pushtet e Berishës në 2005 dhe për 8 vite ai do të ishte ndër biznesmenët që do të sulmohej më ashpër prej PD-së, duke ia bllokuar pjesëmarrjet në tenderat dhe punët publike si dhe duke ushtruar trysni mbi mediat e tij që të ndryshonte politikën editoriale. Por edhe pse i drobitur ekonomikisht, Kokëdhima nuk pranoi kompromise, duke e paguar shtrenjtë me urrejtjen që ende vazhdon.

PD-ja ka marrë disa herë nisma për heqjen e mandatit të deputetëve të majtë, siç ishte sulmi ndaj deputetit Fidel Ylli, që u mbyll në heshtje, por jo kaq egër si në rastin “Kokëdhima”. Shumica e deputetëve të të dy krahëve politikë, zyrtarisht, nuk kanë biznese aktive të rregjistruara në QKR. Biznesi i tyre ka qenë politika dhe me të kanë bërë edhe përfitime kolosale financiare, pa u veshur asnjë ditë me kostumin e biznesmenit. Ky i fundit është parë prej tyre thjesht si lopa që duhet mjelë nga politika dhe shtrydhur deri në fund, dhe nëse ai tenton dhe futet në politikë ai shihet rëndom si “kulaku” në kohën e kolektivizimit socialist. Duke treguar një anomali shterruese për sistemin politik në Shqipëri, ku politika kërkon të bëjë edhe biznesin.

“Cenimi i mandatit tim, cenim i të drejtave të zgjedhësve”

“Ka ndonjë pretendim që thotë se deputeti duhej të prishte kontratat e lidhura përpara se të bëhej deputet. Ne duhet të përfundojmë në mënyrë të ligjshme çdo kontratë dhe punë të nisur e të lidhur në mënyrë të ligjshme. Një kontratë apo punë e lidhur dhe e nisur në mënyrë të ligjshme nuk duhet të përfundojë në mënyrë të paligjshme. Unë kam marrë çdo masë të mundshme e të ligjshme, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe ligji, për të shmangur çdo situatë të konfliktit të interesit. Unë bëra tri gjëra: informova ILDKP-në dhe Kuvendin e Shqipërisë më 25 korrik, dhjetë ditë përpara se të shpallesha deputet, më 2 gusht në mbrëmje, dhe kërkova udhëzime e këshillime prej tyre, të cilat i kam përmbushur plotësisht, 100 për qind. Në datën 31 korrik, dy ditë përpara se të shpallesha deputet, unë bëra dorëheqje nga çdo detyrë tjetër apo funksion që nuk i lejohet deputetit.

Dhe së fundi (së treti), në datën 2 gusht, kur u bëra deputet, urdhërova të gjitha kompanitë e mia që të mos marrin pjesë në asnjë prokurim publik dhe ato nuk morën pjesë në asnjë prokurim publik. Pra unë bëra këto tri gjëra dhe jam i gatshëm të dëgjoj nëse dikush artikulon dhe ndonjë gjë tjetër të cilën mendon se unë duhet ta bëja. Unë nuk bëra dy gjëra, për të cilat mendoj se nuk mund të m’i kërkojë askush në emër të ligjit që t’i bëj. Së pari, nuk zgjidha kontratat e lidhura në mënyrë të ligjshme përpara se të bëhesha deputet, sepse një kontratë e lidhur në mënyrë të ligjshme duhet të përfundojë po në mënyrë të ligjshme. Dhe së dyti, unë nuk hoqa dorë nga pronësia mbi kompanitë, sepse e drejta e pronës sanksionohet në Kushtetutë dhe është e barasvlefshme me të drejtat dhe përgjegjësitë e tjera kushtetuese.

Kush duhet t’i thotë një deputeti që nuk duhet të ketë prona? Kush mundet të thotë se në një vend demokratik, siç janë vendet evropiane apo demokracitë e tjera kushtetuese, i ndalohet e drejta e pronës atij qytetari që dëshiron të ushtrojë të drejtën që të zgjedhë dhe të zgjidhet deputet ose në funksione të tjera të zyrtarit të shtetit. Kjo gjë as nuk ka ndodhur dhe as nuk mund të ndodhë. Asnjë gjykatë nuk mund të vendosë që kush bëhet deputet të shpronësohet nga pronat e tij. Në këto rrethana është mëse e qartë se unë nuk kam bërë asgjë nga ato që nuk duhet të bëja dhe kam bërë gjithçka nga ato që duhet të bëja sipas ligjit. Të nderuar gjykatës, cenimi i mandatit tim pa asnjë shkak ligjor është një cenim i të drejtave të zgjedhësve, është një cenim i rëndë i të drejtave të mia elementare njerëzore e kushtetuese.

Sot unë jam në pozitën e deputetit që i kërkohet shkatërrimi i karrierës së tij pa bërë asnjë faj dhe asnjë shkelje ligji nga njëra anë, por që njëkohësisht ka bërë gjithçka që i kërkon ligji nga ana tjetër. Nesër, në këtë pozitë si unë sot mund të jetë secili nga këta burra e gra që janë sot në këtë sallë, mund të jetë çdo qytetar i Shqipërisë, mund të jenë fëmijët dhe njerëzit tanë të dashur dhe mund të jetë çdokush prej jush që gjykoni mua sot. Kjo nuk është një ftesë, as një lutje për të menduar për mandatin tim të deputetit, as për karrierën time. Duke u zgjidhur drejt çështja ime do marrin fund përpjekjet e ngjashme për të shkatërruar karrierat e zyrtarëve të këtij shteti për shkaqe të paligjshme e përfitime politike”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button