PDSH: Me car Dushanin BDI provokon rëndë shqiptarët

Si ndjehen në këtë moment ata që e kanë votuar Ali Ahmetin dhe BDI-në, votë me të cilën Ali Ahmeti shqiptarëve u solli edhe një dhuratë, Car Dushanin? Kështu ka pyetur sot Partia e Menduh Thaçit, PDSH e cila ka reaguar për bustin e vendosur të carit serb në mes të Shkupit.

“E keqja më e madhe në gjithë këtë situatë është se ky nuk është fundi. Gjithçka pritet nga këta njerëz, që ka kohë që e kanë shitur interesin shqiptar, dhe shtrohet pyetja, cili është vrasësi i radhës i shqiptarëve, të cilit do t’i ngrihet përmendore. Janë momente të reflektimit, se çka në të vërtetë po ndodh me votën shqiptare dhe legjitimitetin, në të cilin thirret Ali Ahmeti.” thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Sipas tyre, PDSH që moti ka paralajmëruar për fillimin e pranisë serbe në Maqedoni.

“Atëherë kur Ali Ahmeti dhe BDI i mundësuan me ligj policisë së Serbisë të patrullojë nëpër vendbanimet shqiptare, ne paralajmëruam se ky veprim nuk ishte fundi, por fillim. Më pas vijoji manifestimi i Betejës së Kumanovës, ku Presidenti dhe Kryeministri serb defiluan në hapësirat shqiptare me financim dhe mbështetje të Qeverisë VMRO-BDI. Qeveria i ndau ditës së “Sveti Savës” më shumë mjete nga Buxheti i shtetit se sa të gjitha manifestimeve të shqiptarëve për vitin 2012, përfshirë edhe manifestimit të 100 Vjetorit të Pavarësisë“ thonë nga kjo parti.

Gatishmëria e Alisë dhe njerëzve përreth tij, me një qetësi të habitshme, po tejkalojnë të gjitha parashikimet dhe provokon rëndë të gjithë shqiptarët, thonë nga PDSH.

Ndryshe, askush nuk tregon nga erdhi car Dushani në Shkup, BDI vazhdon të hesht ndërsa Portalb përcjell dhe reagimet e historianëve- Dervishi: Pas Car Dushanit, radhën e ka  Slobodan Millosheviqi.

Sot ka reaguar edhe lëvizja Zgjohu! ndërsa dje partitë opozitare RDK dhe LSDM. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button