BDI nuk e përkrahë marshin protestues të Këshillit Opozitar
Bashkimi Demokratik për Integrim, vlerëson se protestat paqesore janë instrumente demokratike për të shprehur pakënaqësi të caktuara, dhe të njëjtat paraqesin të drejta kushtetuese të qytetarëve, megjithatë e njëjta nuk e përkrahë marshin protestues të sotëm të iniciuar nga Këshilli Opozitar, sepse sipas tyre bëhet fjalë për, keqpërdorimin e datave të caktuara me rëndësi historike, siç është 9 Maji – Dita e Evropës dhe kundër keqpërdorimit të fatkeqësisë së atyre që pësuan në Kumanovë më 9 maj të vitit të kaluar, njofton Portalb.
“Nuk mund të përkrahim keqpërdorimin e datave të caktuara me rëndësi historike, siç është 9 Maji – Dita e Evropës, dhe jemi kundër keqpërdorimit të fatkeqësisë së atyre që pësuan në Kumanovë më 9 maj të vitit të kaluar. Shqetësimi ynë është se me këtë rast, për përfitime të ulëta politike, subjekte të caktuara parapolitike, pa kurrfarë përgjegjësie, dhe pa kurrfarë adrese, thirrin popullin në protesta, të cilat nuk dihet në mulli të kujt e shpien ujin”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
BDI u bën thirrje qytetarëve shqiptarë të Republikës së Maqedonisë, që të jenë të matur dhe të rezervuar ndaj, si[ thonë ata, këtyre provokimeve të ulëta, që bëhen nga individë dhe subjekte të papërgjegjshme.
“Bashkimi Demokratik për Integrim, është duke u angazhuar me të gjitha kapacitetet e veta, për zgjidhjen sa më të shpejtë të krizës politike në vend me mjete demokratike”, përfundojnë nga BDI.