Memedi: Me përfshirjen më të madhe të të rinjve në shoqëri do të ndërtojmë ardhmëri më të mirë

Sektori civil në Republikën e Maqedonisë me vitë të tëra është duke tentuar që të ndërtojë vend dhe rol në shoqëri përmes mënyra të ndryshme duke insistuar që ti artikulojë nevojat e grupeve të ndryshme të qytetarëve.

Një nga qytetarët i cili në mënyrë aktive është i kyçur në sektorin civil është politologu Deniz Memedi nga Kumanova. Në bisedën për Anadolu Agency (AA) ai tregon përvojën nga Forumi i 7-të global të Aleancës së civilizimeve të Kombeve të Bashkuara (KB) që u mbajt kohë më parë në të cilën mori pjesë si përfaqësues i sektorit civil nga Maqedonia.

Memedi në fillim të bisedës sqaron se bëhet fjalë për ngjarje e cila ndodh çdo të dytin vit në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

“Aleanca e civilizimeve është iniciativë e mbështetur nga ana e Spanjës dhe Turqisë, qysh në vitin 2005 të Asamblesë së 59-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Atëherë të dy qeveritë propozuan se është momenti se në vend që civilizimet të krijojnë barriera dhe stereotipe të mund që me zërin e përbashkët ta thonë atë që duhet të gjitha civilzimet ta dëgjojnë që të mund të gjitha civilizimet të luftojnë kundër terrorit dhe terrorizmit”, thotë Memedi duke zbuluar në vazhdim se për cilat tema më konkretisht është biseduar si dhe poentën e të njëjtës.

Shoqëri inkluzive

“Në Forumin e shtatë global tema kryesore ishte jetesa e përbashkët, shoqëritë inkluzive, sfidat dhe qëllimet. Poenta e këtij forumi siç u tha edhe në Kombet e Bashkuara është me qëllim që të mund nga shoqëritë multikulturore të fokusohemi në shoqëritë interkulturore, ku bashkësitë etnike do të mund të kenë një bashkëjetesë, ku mund të dalin rezultate të cilat do të mund të ndikojnë edhe në nivel kombëtar por edhe në atë ndërkombëtar”, thotë Memedi.

Në këtë forum, ai ishte një nga 150 përfaqësuesit e sektorit civil nga vende të ndryshme. Në mes tjerash, thekson se është biseduar për elementet kryesore të cilat mund të kontribuojnë për realizimin e qëllimeve të parapara siç është krijimi i shoqërive inkluzive.

“Një nga elementët kyç ishte sistemi arsimor. Në atë pjesë ku të gjitha gjeneratat e reja do të munden më shumë të mbledhin informacione dhe dituri për atë që nënkupton shoqëri interkulturore dhe si ajo mund të implementohet. Ato ishin momentet kryesore ku dhamë kontributin tonë, duke i ndarë edhe përvojat e deritanishme nga sektori civil”, thotë politologu Memedi, duke shpjeguar për detajet rreth temave të Forumit të sivjemë global të Aleancës së civilizimeve.

Memedi vlerëson se përes arsimit joformal mund shumë të kontribuohet në realizimin e qëllimeve të vendosura të forumit, ndërsa të cilat kanë të bëjnë edhe për Maqedoninë si shtet multikonfesional dhe multietnik e cila ka për qëllim përforcimin e shoqërisë funksionale interkulturore, për çka thotë Memedi, duhet të merren edhe përvojat e shteteve perëndimore.

Në Ballkan multikulturalizmi është krijuar përmes rrugës natyrore

Ndër të tjera, Memedi thotë se Ballkani është një nga rajonet e rralla ku ekziston multikulturalizmi përmes rrugës natyrore, duke cituar me këtë rast kryeministrin turk Ahmet Davutoglu.

“Kryeministri i Republikës së Turqisë Ahmet Davutoglu thotë se Ballkani është një nga momentet e rralla ku përmes rrugës natyrore ekziston multikulturalizmi. Domethënë, multikulturalizmi nuk është krijuar përmes rrugës së migrimeve siç është edhe në shtetet perëndimore”, thekson politologu Memedi duke shtuar se Maqedonia duhet të japë shembull se si një shoqëri multikulturore duhet të funksionojë për çka vlerëson se theksi duhet ti vihet arsimit.

Në atë mënyrë, beson politologu Memedi, do të mund të hiqen paragjykimet ekzistuese dhe barrierat, kurse gjeneratat më të reja do të dinë se çka është shoqëria multikulturore, si dhe cili është roli i tyre në të.

“Përderisa punohet me të rinjtë të cilët do të dinë se nuk ekziston vetëm një bashkësi etnike në Maqedoni, por se ekzistojnë edhe bashkësi tjera etnike, atëherë do të mund të kontribuojnë. Nuk mundet vetëm për shkak të asaj që një bashkësi etnike është shumicë të vendos për të tjerët, por e kundërta, edhe nga bashkësitë tjera etnike kemi njerëz të cilët do të mund të japin kontribut dhe do të dëshironin që ky shtet të zhvillohet”, vlerëson Memedi për AA.

Sa i përket asaj se si të arrihen të gjitha qëllimet e parapara të cilat politologu Memedi i potencon, ai tregon se Kombet e Bashkuara tashmë kanë filluar disa iniciativa në lidhje me këtë. Gjithashtu realizohen disa projekte edhe në Maqedoni, posaçërisht në qytetet ku ka bashkësi të ndryshme etnike, dhe se një pjesë e madhe e projekteve janë drejtuar në sferën e edukimit të të rinjve, ndërsa rezultatet së shpejti do të duhet ti tregojnë efektet e aktiviteteve të zbatuara.

Përveç arsimit si faktor kyç në krijimin e shoqërisë interkulturore, Memedi si faktorë të rëndësishëm i veçon mediat dhe retorikën politike. Në atë kontekst, vlerëson ai me interes shumë të madh mund të jenë programet arsimore të cilat realizohen në më shumë gjuhë, sipas modelit të disa aktiviteteve arsimore të cilat veç më zhvillohen në pjesë të komunave multietnike të Maqedonisë.

“Programet zhvillohen në dy gjuhë, ndërsa nxënësit mund lirisht ta shprehin mendimin e tyre në gjuhën amtare për shkak se ka nga dy arsimtarë ose përfaqësues nga sektori civil ku flasin në dy gjuhë. E gjithë kjo me qëllim që të mund të kuptohen. Për fat të keq kemi shoqëri multikulturore në të cilën shoqëritë janë të ndara, nuk frekuentojnë njëra me tjetrën, nuk komunikojnë me të tjerë…”, thotë ai.

Me aktivitet më të madh të të rinjve në Asambletë e përgjithshme të KB-ve deri tek krijimi i gjeneratave të shëndosha

I udhëhequr nga përvoja për të cilën ka patur rast të dëgjojë në forumin që u mbajt në Baku, Memedi shpreh bindjen se vendosja e programit ku përfaqësuesit e rinj do të jenë pjesë e ngjarjeve në organizim të KB-ve mund të vjen deri tek përmirësimi i dukshëm i situatës në shoqëri.

“Atë duhet ta ngritin institucionet e shtetit dhe sektori joqeveritar. Nga ana e institucioneve të shtetit duhet të jepet dritë e gjelbër nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Ministria e Punëve të Jashtme, ndërsa gjithashtu duhet të kemi edhe komunikim me Këshillin Kombëtar Rinor që të mund të aplikojmë për këtë program ku në të ardhmen do të mund të dërgojmë përfaqësues të rinj të cilët do ta përfaqësojnë Maqedoninë dhe do të kenë fjalim të tyre në asambletë e përgjithshme në organizim të KB-ve dhe ata do të mund të informohen ndërsa përvojat ti transmetojnë në Maqedoni të cilat do të jenë me interes në nivel kombëtar”, propozon politologu Memedi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button