Pse Radusha, Rahoviçi, Svillarja… nuk kanë transport publik?

Në rrethinë të Shkupit ka shumë fshatra të cilat numërojnë mijëra banorë ndërsa nuk kanë transport publik, pasi NTQ nuk vozit deri atje për shkak largësisë.

Disa fshatra madje shërbehen me furgonë privat, por për disa as ato nuk ekzistojnë.

Autobusë asnjëherë nuk ka pasur në fshatrat e Komunës Saraj si Radusha, Dvorca, Svillarja e Epërme, Rahoviç dhe Paniçar, ndërsa për këtë shkak shumë nxënës të kësaj ane mësimin ndjekin në Tetovë.

‘Jetoj në Radushë, për shkak të pa mundësisë për të ardhur në Shkup, si zgjidhje më të afërt nëpërmjet fshatrave jemi lidhur me Tetovën dhe aty kam mbaruar edhe shkollimin e mesëm edhe fakultetin, ndërsa momentalisht jam pa punë’ tha Safije F. nga Radusha.

‘Në Shkup vij çdo ditë, ose me shokët apo kolegët me veturë, ose me kombi privat, ndërsa kjo kushton shumë. Autobusë, jo asnjëherë s’kemi pasur..’tha N.Nuredini.

Në Radushë, fshat ky që gjendet 30 kilometra larg Shkupit, voziten vetëm kombi privat, ndërsa banojnë 4 mijë banorë në mbi 500 shtëpi.

Nga Komuna Saraj kanë thënë se për këtë qëllim kanë realizuar disa takime me përfaqësues të NTQ Shkupi dhe përfaqësues të Qytetit të Shkupit dhe se problem nuk është i ri.

Ndërkaq nga NTQ thonë se për linjat e autobusëve vendos Këshilli i Qytetit të Shkupit.

‘Këto vende janë shumë larg. Megjithëkëtë mendohet që në të ardhmen të bëhen ndryshime në linjat e Komunës Saraj’ përgjigjen nga sektori për marrëdhënie me opinion në NTQ./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button