Blushi: Mbledhja e grupeve nga ambasadorët, turp për Parlamentin

Deputeti Ben Blushi, duke folur në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, e ka cilësuar si të turpshëm për klasën politike shqiptare mbledhjen e grupeve parlamentare nga ambasadorët për realizimin e reformës në drejtësi.

“Ambasadorët e SHBA dhe BE kanë vendosur të mbledhin grupet tona parlamentare, pra po mbledhin një seancë jashtë Kuvendit. Në këtë mënyrë Shqipëria po bëhet qesharake dhe ky Parlament ka humbur sovranitetin”, ka thënë Blushi, raporton Top Channel, përcjellë Klan Kosova.

Sipas tij, angazhimi i ndërkombëtarëve në këtë proces është pozitiv, por e gjitha kjo do të ketë një çmim. “Çmimi është tallja me ne, përçmimi i këtij Parlamenti, kësaj klase politike dhe në fund shfarrosja si specie e kësaj klase politike. Jemi shumë afër shfarrosjes, proces që shqiptarët për 25 vjet nuk e bënë dot me votë dhe Shqipëria ndoshta do të jetë më mirë kur ne të ikim”, ka thënë Blushi.

Ai është shprehur se miratimi i reformës me ndikimin e ndërkombëtarëve mund t’u japë shpresë shqiptarëve, por ka edhe një anë tjetër të medaljes.

“Mund t’u japë shpresë njerëzve se me mbështetjen e ndërkombëtarëve pronat e tyre nuk do të vidhen, deti nuk do të falet, stadiumi me majucë nuk do të ndërtohet më. Por kjo situatë tregon troç se ne nuk duam të bëjmë drejtësi, por po detyrohemi të bëjmë reformën në drejtësi”, ka thënë Blushi.

Nëse drejtësinë e marrin nën kontroll ndërkombëtarët, ka vijuar serish ai, atëherë ndoshta ky Parlament nuk do të jetë më sadist. “Sot 3 grupet tona parlamentare duhet të skuqen dhe unë nuk do të doja të isha pjesë e asnjë prej tyre. Koha e sadistëve dhe esadistëve ka përfunduar”, ka shtuar Blushi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button