Nishani “zbulon” ndarjen PS-LSI për gjykatësit

Për plotësimin e dy vendeve vakante në Kushtetuese, Presidenti thekson se ai ka marrë mbështetjen e shumicës së grupeve parlamentare, përfshirë edhe atë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për vijimin e procedurës për plotësimin e vendeve vakante të anëtarëve të Kushtetueses. PS kërkon që vendet të plotësohen pas miratimit të Reformës në Drejtësi

Debati për dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese ka nxjerrë në pah përçarjen për gjyqtarët brenda aleancës së shumicës.

Një qëndrim i kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, se dy vendet vakante duhet të plotësohen pasi të miratohet Reforma në Drejtësi, ka sjellë dje reagimin e drejtpërdrejtë të Presidencës, ku kreu i shtetit ndër të tjera sqaron se ai ka marrë mbështetjen e shumicës së grupeve parlamentare, përfshirë edhe atë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për vijimin e procedurës për plotësimin e vendeve vakante të anëtarëve të Kushtetueses.

Në një njoftim për shtyp, kabineti i Presidentit të Republikës sqaron se “asnjë parti politike nuk mund të kërkojë ngrirjen e Kushtetutës”.

Dy ditë më parë, pas publikimit të listës me 15 kandidatët që kishin dorëzuar dokumentacionin për dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, (pas mbarimit të mandatit të gjyqtarëve Vladimir Kristo dhe Sokol Berberi), Presidenti i Republikës Bujar Nishani zhvilloi takime të veçanta me krerët e të gjitha grupeve parlamentare.

I pari që mbërriti në Presidencë ishte Gramoz Ruçi, i cili pas një takimi 15 minutash nuk komentoi për mediat qëndrimin e PS-së.

Megjithatë, mediat raportuan se Ruçi kishte shprehur qëndrimin e mazhorancës, të reflektuar dhe me anë të një letre që i është dërguar Presidentit nga ana e tij, se dekretimi i dy gjyqtarëve duhet të bëhej pas miratimit të Reformës në Drejtësi.

Petrit Vasili i LSI-së nuk përcolli ndonjë koment edhe pse Presidenca e sqaroi ekuivokun. Edhe opozita ka kërkuar që procedura për plotësimin e dy vendeve vakante duhet të vazhdojë.

Pas takimit të zhvilluar dy ditë më parë në Presidencë, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka deklaroi se PD-ja nuk mund të ndërhynte në kompetencat e Presidentit.

“U njohëm nga presidenti me kandidaturat. Nuk kemi asnjë preferencë, as kundërshti për emrat, pasi janë zbatuar kriteret. Duhet të zbatojmë ligjet që janë në fuqi, për sa kohë Reforma në Drejtësi nuk është miratuar”, -është shprehur Paloka.

Pak kohë më parë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani njoftoi po përmes një deklarate zyrtare se kush ishte i interesuar për t’u emëruar si gjyqtar kushtetues, duhet të dorëzonte edhe formularin e vetëdeklarimit.

Refuzimi për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit, ose mosparaqitja e tij përbën shkak për mosemërim në funksionin publik nga ana e Presidentit.

Kjo procedurë është mbyllur në muajin Prill, ndërkohë që faza e fundit përfshin konsultimet e krerëve të grupeve parlamentare para se Presidenti t’i dërgojë kandidaturat për miratim në Kuvend.

Nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i LSI-së kësaj here, sa kohë që thyerja e parë me PS-në sapo ka filluar me procedurën që duhet të ndiqet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button