Maqedoni, rifillon “Revolucioni Laraman”

Lëvizja Civile “#Protestoj” e rifillon “Revolucionin Laraman”, pas pauzës 5 ditore për shkak të festave, njofton Portalb.

Sot është protesta e 15-të me radhë kundër vendimit të presidentit Gjorge Ivanov që me 12 prill i fali 56 politikanë dhe bashkëpunëtorë të tyre që janë nën hetime.

Tradicionalisht, protesta do të fillojë në ora 18:00 para godinës së PSP-së në Shkup, ku fillimisht do t’i jepet mbështetje këtij institucioni, ndërkaq sipas organizatorëve, protesta e sotme në fokus do ta ketë ashtu siç thonë ata, gjykatën korruptive dhe të partizuar.

Nga kjo lëvizje i kanë parashtruar 8 kërkesa që protestat të ndalen:

  1. Tërheqjen e menjëhershme të vendimit të presidentit Gjorge Ivanov.
  2. Të jep dorëheqje Ivanov.
  3. Gjykata Kushtetuese të deklarohet për kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale Publike.
  4. Të formohet një departament special në Gjykatën Penale i cili do të jetë kompetente për lëndët që janë nën kompetencën e PSP-së.
  5. Tërheqjen e menjëhershme të datës së mbajtjes së zgjedhjeve më 5 qershor.
  6. Në bisedimet për krizën politike në vend, të kyçet sektori civil.
  7. Bisedimet për zgjidhjen e krizës të bëhet në territorin e Maqedonisë.
  8. Formimin e një qeverie kalimtare e cila do t’i implementojë deri në fund reformat urgjente nga raporti i Pribe-së.

Lëvizja civile ka bërë të ditur se nëse nuk plotësohen këto kërkesa ata do të vazhdojnë me protestat në rrugë, transmeton Portalb.

Përndryshe, “Revolucioni laraman’, është emri i protestës në të cilën protestuesit në çdo protestë kanë në shënjestër institucionet dhe objektet e shtetit të cilat i gjuajnë me ngjyrë.

Deri më tani janë gjuajtur me ngjyrë Ministria e Kulturës, Ministria e Drejtësisë, objektet e Shkupit 2014, zyra e presidentit Ivanov, Qeveria e Maqedonisë, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, dy përmendoret në formë luani të cilët gjenden në urën “Goce Dellçev”, si dhe në protestën e së mërkurës u gjuajtën me ngjyrë fotografia e Nikolla Gruevskit dhe Gjorge Ivanovit.

Në shënjestër të protestuesve tanimë disa herë me radhë është objekti i Gjykatës Kushtetuese, por deri më tani, policia këtë objekt po e ruan mirë dhe po i parandalon protestuesit që t’i afrohen. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button