Gjykata lë në burg përgjegjësin e burgut të Drenovës

Gjykata e Korçës ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Albert Tomorrin, përgjegjësin e grupit të gatshëm brenda burgut të Drenovës.

Tomorri akuzohet se futur telefona celularë brenda burgut të Drenovës, telefona të cilët u morën më pas  nga shtatë të arratisurit.

Albert Tomorri u arrestua para tri javësh, nën akuzën e futjes së sendeve të palejuara në burg, ndërsa gjykata vendosi për të 20 ditë burg. Sot u zhvillua seanca për rivlerësimin e masës së sigurisë dhe gjykata vendosi ta lerë në burg pa afat të pandehurin.

Disa ditë më parë, Gjykata e Korçës dha masën e sigurisë “arrest me burg” për 19 gardianët e burgut të sigurisë së lartë të Drenovës, pasi akuzohen se kanë shkelur skemën e sigurisë dhe rregullores, gjë e cila favorizoi arratisjen e shtatë të dënuarve.

Ndërkohë, është vendosur masa “detyrim paraqitje”, edhe për Luljeta Dvoranin dhe Suzana Sejdarasin, me detyrë operatore.

Familjarët protesta

Familjaret e efektivëve të policisë të arrestuar si personat përgjegjës për arratisjen e shtatë të dënuarve, protestuan disa ditë për pafajësinë e tyre, pikërisht përpara dyerve të burgut të Drenovës,aty edhe ku u shënua kjo ngjarje.

Ata janë shprehur se të afërmit e tyre janë të pafajshëm dhe nuk kanë qenë ata personat të cilët kanë futur armë brenda ambienteve të burgut, por përkundrazi, kanë qenë të kërcënuar në kohën kur ndodhi arratisja.

Ata kanë kërkuar nga shteti lirimin e tyre, ose në të kundërt protestat do të shtohen.

Arratisja e 7 të dënuarve nga burgu i Drenovës 

Një javë më parë të dënuarit Admir Tafili, Fran Pal Marashi, Gëzim Gjergj Guri, Gëzim Ndue Toma, Reiz Namik Haxhiraj, Eduard Kujtim Lula dhe Artur Demir Gora, nën kërcënimin e armëve, çarmatosën gardianët, qëlluan me breshëri kallashnikovi për mos afrimin e rojeve dhe më pas ikën nga burgu i Drenovës. 

Tre të arratisurit, Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gezim Guri, janë arrestuar rreth orës 13:00 të së dielës së kaluar në një magazinë në periferi të Përrenjasit. Pas sinjalizimit të banorëve të zonës, të cilët kishin dëgjuar të shtëna me armë në brendësi të magazinës, policia dhe forcat RENEA rrethuan zonën, duke bërë të mundur arrestimin e tyre. 

I dënuari Artur Gora u arrestua pak orë pas arratisjes në Korçë, teksa udhëtonte me një taksi drejt fshatit Pojan, ku banon familja e tij. Gora deklaroi se nuk kishte qenë pjesë e planit të arratisjes, por kishte përfituar për të dalë nga burgu për të vizituar nënën e tij të sëmurë. 

Ndërkohë tre të arratisurit e fundit Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj dhe Eduard Lula u kapën nga policia greke në kufirin shqiptaro-grek pak ditë pas arratisjes./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button