Basha cakton drejtuesit në 12 qarqe, jashtë Topalli e Patozi

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, pak javë pas finalizimit të programit të PD­së, ka përgatitur edhe listën me drejtuesit e grupeve të punës për 12 qarqe të vendit që do të punojnë për zgjedhjet e përgjithshme.

Basha do të thërrasë paraditen e sotme kryesinë e Partisë Demokratike për t’i paraqitur propozimet e drejtuesve në çdo qark dhe për të dalë me një vendimmarrje konkrete mbi strategjinë që opozita do të ndjekë deri në zhvillimin e zgjedhjeve në vitin 2017. Emrat e drejtuesve në 12 qarqe të vendit janë përcaktuar në një takim të zhvilluar në selinë blu mes kreut të PD­së, Basha, dy nënkryetarëve Paloka e Spaho, Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, sekretarit organizativ, Eno Bozdo, sekretarit të burimeve njerëzore, Fatbardh Kadilli, dhe dy deputetëve Ridvan Bode dhe Arben Imami.

Pas rezultateve të marra në zgjedhjet vendore dhe nevojës për të ndërhyrë nga ana organizative në disa prej degëve të vendit, kreu i PDsë ka vendosur të bëjë një rrokadë të deputetëve në të gjithë qarqet e vendit. Gjatë mbledhjes së zhvilluar në selinë blu, Basha është shprehur se me rëndësi në organizimin e punës për zgjedhjet e vitit 2017 duhet të jetë ndërhyrja për funksionimin e çdo funksioni. “Organizimi i partisë duhet të fokusohet te qeliza bazë e strukturës së forcës sonë politike, pra, te seksioni. Duke e nisur nga seksioni përgatitjen për zgjedhjet, do të arrijmë të kemi rezultatet e duhura edhe në ndërhyrjet që do të duhen në grup seksione apo edhe në degë të caktuara”, ka deklaruar kreu i PD­së gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura. DREJTUESIT Kryesisë së Partisë Demokratike do t’i paraqiten sot propozimet për 12 drejtuesit e qarqeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndonëse emrat pritet të zyrtarizohen në mbledhjen e sotme të kryesisë, burimet bëjnë me dije se kreu i Grupit të PD­së, Edi Paloka, do të vijojë të drejtojë grupin e punës në qarkun e Tiranës.

Kreu i PD­së ka vendosur t’i besojë pjesës më të madhe të ishministrave demokratë qarqet më të rëndësishme të vendit. Të palëvizshëm nga drejtimet e qarqeve si në vitin 2013 kanë ngelur deputetët Flamur Noka në Kukës dhe Aldo Bumçi në Lezhë. Në qarkun e Korçës është përcaktuar ish­ministri Genc Ruli, i cili në dy zgjedhjet e fundit ka qenë drejtues në qarkun e Gjirokastrës. Ky qytet i është besuar nga kreu i PD­së kreut të Departamentit të Shëndetësisë, Tritan Shehu. Ish­ministri i Financave, Ridvan Bode, nuk do të drejtojë më Korçën, njësoj si në vitin 2013, por Beratin. Ishdrejtuesi i këtij qarku, Genc Pollo, do të drejtojë qarkun e Fierit, i cili në 2013­n drejtohej nga i ndjeri Sokol Olldashi. Basha ka vendosur që qarkun e Shkodrës, që në 2013­n drejtohej nga Topalli, t’ia besojë Arben Ristanit, ndërkohë që në Vlorë grupi do të kryesohet nga Arben Imami. Nënkryetari i PD­së, Edmond Spaho, do të drejtojë grupin e Elbasanit, ndërkohë që Eduard Halimi do të ngelet i pandryshuar në qarkun e Durrësit. Grupi i punës në qarkun e Dibrës i është besuar deputetit Gent Strazimiri. Topalli e Patozi shmangen nga drejtimi i qarqeve Ndonëse vendimi për drejtuesit e grupeve të punës pritet të zyrtarizohen në mbledhjen e sotme, ajo që bie në sy në listën paraprake është mungesa e emrave të ish­kryetarit të grupit, Astrit Patozi, dhe ish­kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli.

Në seancat plenare, por edhe në media, Patozi ka qenë një zë i fuqishëm i opozitës dhe i betejave të saj, me një gjuhë dhe artikulim ndryshe nga përfaqësuesit e tjerë të opozitës. Ndërkohë që ishkryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ka qenë zëri më kritik i vendimmarrjeve të Lulzim Bashës në drejtimin e PD­së. Kritikat e Topallit ndaj Bashës janë fokusuar kryesisht në mënyrën e drejtimit të partisë dhe në forcën e reagimit ndaj qeverisë. Deputetja e Shkodrës i ka kërkuar vazhdimisht Bashës organizimin e protestave dhe denoncimin e lidhjes së qeverisë me krimin. Me këtë kritikë i është drejtuar edhe gjatë mbledhjes së një javë më parë, kur shfaqi pakënaqësi ndaj Bashës për reagimin e vonuar ndaj arrestimit të Emiljano Shullazit.

Vetë Basha është shprehur se do të mbështesë debatin në PD, ndërkohë që vendimi për të mos e vendosur në drejtimin e asnjë prej grupeve të punës është parë si mënyra më e mirë për të shmangur përplasjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button