Mustafa: PE-ja përkrahje të madhe për proceset integruese të Kosovës

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, gjatë vizitës që po zhvillon në Bruksel, u takua me deputeten e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek.

Në takim u bisedua për proceset eurointegruese të Kosovës, për procesin e liberalizimit të vizave dhe avancimin e vazhdueshëm të zhvillimeve të tjera në Kosovë.

Kreu i ekzekutivit gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, theksoi se tashmë janë përmbushur të gjitha kriteret dhe rekomandimet për liberalizimin e vizave.

“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, përveç të tjerave, do të mundësonte lëvizjen e lirë të njerëzve dhe qarkullim të shtuar ekonomik, veçanërisht pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, tha ai.

Me këtë rast, ai shprehu mirënjohje për përkrahjen tejet të madhe të Parlamentit Evropian dhe të eurodeputetes Lunacek.

Kjo e fundit theksoi mbështetjen e saj të mëtejshme për Kosovën, duke vlerësuar proceset në Kosovë.

Gjatë ditës në Bruksel, kryeministri Mustafa do të takohet edhe me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, me komisioneren e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë / zëvendëspresidente e KE-së, Federica Mogherini dhe me presidentin e Partive Popullore Evropiane (EPP), Joseph Daul.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button