Dhjetori sjell dështimin, nga BDI kërkohet përgjegjësi

Është e qartë se në Samitin e dhjetorit të BE-së Maqedonia nuk do të marrë datë për fillimin e bisedimeve. Këtë e kishte pranuar edhe vetë zv/kryeministri Fatmir Besimi. Ky dështim konfirmon procesin e eurointegrimeve në krizë dhe ngecjen e kësaj qeverie në këtë drejtim. Duke pasur parasysh se theksi i BDI-së në fushatën parazgjedhore ishin pikërisht eurointegrimet, por edhe ofensivën diplomatike të liderit të BDI-së Ali Ahmeti, partitë opozitare shqiptare vlerësojnë se BDI ka humbur kredibilitetin dhe duhet të lëshojë qeverinë.

“E gjithë kjo veprimtari ka qenë një fijasko e madhe për gjoja ofanzivë diplomatike. Thejshtë kanë qenë disa shetitje ekzotike të Aliut dhe njerëzve përreth tij. Jo vetëm shqiptarët por edhe ata vet e shohin se kanë dështu mirëpo insistojnë në gënjeshtra, mashtrime ta zgjasin jetën e tyre politike në prehër të Gruevskit dhe VMRO- DPMNE-së. Duke marrë parasysh se ata nuk kanë një ndërgjegje politike për t’u larguar nga skena politike, ngelet varianti i vetëm që shqiptarët me votën e tyre ta tensionojnë këtë garrniturë të mashtrimit, spekulimit, vasalitetit ndaj palës tjetër”, deklaroi nënkryetari i PDSH-së, Ernad Fejzullahu. 

“Shqiptarët votuan BDI-në më së shumti për çështjen e procesit të integrimit, antarësimin e Maqedonisë në Nato dhe futjen në BE. Pasi në këto dy shtylla dështoi, nuk e shof të arsyeshme që të jetë pjesë e mëtutjeshme e qeverisë. Duhet ta lëshoj qeverinë. Pasi ta lëshoj qeverinë duhet që së bashku me PDSH-në dhe partitë e tjera politike shqiptare. Të hartojnë një projekt, një platformë të cilës të gjithë duhet ti përmbahen. Çdo parti serioze në botën e përparuar të demokracisë në këtë gjendje si BDI-ja do të ishte moralshme të japë dorëheqje, të tërhiqet së paku nga qeveria por përse jo së paku të tërhiqen ata që kanë poste udhëheqëse, që kanë marrë pjesë direkt në këto iniciativa”, tha deputeti i RDK-së Naxhi Xhelili.

Edhe analisti Albert Musliu vlerëson se BDI-ja duhet të shqyrtojë koalicionin me VMRO-në pas dështimeve të njëpasnjëshme sa u përket eurointegrimeve. 

“Neve nuk na duheshte samiti i dhjetorit për të na treguar se nuk do të marrim datë. Ne këtë e kemi paralajmëruar qëmoti se nuk do të bëhet. BDI duhet ti sqarojnë pozicionet se në prill mund të ketë zgjedhje. BDI-ja pa e sqaruar këtë punë do të ketë pasoja gjatë procesit zgjedhor. Duhet të vendoset a do të vazhdohet me VMRO-në apo do të gjendet ndonjë zgjidhje tjetër”, u shpreh Musliu. 

Nga BDI-ja nuk dëshirojnë të komentojnë mos marrjen e datës dhe çka më tej. Funksionarët e partisë në pushtet shprehen se do të presin konkluzat e samitit para se të bëjnë komente, edhe pse shprehen të vetëdijshëm se datë nuk do të ketë.

Lajme të ngjashme

Back to top button