Acarohet beteja për pushtet në BDI

Ali Ahmeti nga frika se do ta humb kontrollin mbi partinë, vazhdimisht po e shtynë mbajtjen e kongresit, i cili duhej të mbahej në shtator dhe ende nuk është e qartë nëse do të mbahet deri në fund të vitit, shkruan gazeta ditore “Vest”. Me shtyrjen e vazhdueshme të kongresit, Ahmeti tenton që të bëjë kthesë në bazën partiake në qytetet më të mëdha siç është Tetova, Shkupi, Gostivari dhe Struga.

Në këto qytete sipas të njëjtës gazetë kontrollin janë duke e marr ish komandantët e UÇK-së, të cilët gjithnjë e më shumë shprehin pa-dëgjueshmëri, thonë burime partiake. Përkrahje të sigurt për momentin Ali Ahmeti ka vetëm në Kërçovë dhe Dibër, kurse në Tetovë dhe Gostivar kryetarët e komunave Teuta Arifi dhe Nevzat Bejta tash për tash qëndrojnë anash, taktizojnë dhe përpiqen që ti forcojnë pozitat e tyre në ndarjen eventuale të forcave në parti. Nuk përjashtohet mundësia që Arifi dhe Bejta ta përkrahin Ali Ahmetin, mirëpo sipas të gjitha gjasave ai do duhet të hjek dorë nga disa bashkëpunëtorë nga këto qytete që deri më tash i ka mbajtur afër, me qëllim që të krijoj bilanc ndërmjet  rrymave të ndryshme në parti dhe që ta ruaj pozitën e liderit. 

Gjithashtu burimet e Vest theksojnë që Ali Ahmeti përpiqet që të pengojë skenarin e Çairit në qytetet tjera. Në Kuvendin e fundit të degës së Çairit, ish komandantët margjinalizuan disa eksponentë të liderit të BDI-së si Artan Grubi dhe Bujar Osmani, të cilët mbetën jashtë kryesisë së degës së BDI në këtë Komunë. Nëse ky skenar realizohet edhe në qytetet tjera, atëherë Ahmetin mundet ta pres edhe ndonjë befasi në kongres. Ndoshta nuk do të zëvendësohet, mirëpo sigurisht do të margjinalizohet, për shkak se në pozitat më të larta të partisë do të vendoset persona që nuk do ta dëgjojnë. 

Sipas gazetës Vest, krahun që ka bashkëpunim shumë të afërt me VMRO-në e udhëheq ministri Abdylaqim Ademi, të cilin pas rekonstrumit të Qeverisë në vitin 2011 e zëvendësuan me Musa Xhaferin në pozitën e zëvendëskryeministrit. 

Burime të gazetës Vest theksojnë që lideri i BDI-së ka dy opsione. E para që para kongresit të shfrytëzojë ndikimin e tij, por edhe nëpërmjet Musa Xhaferit ti forcojë strukturat që e përkrahin maksimalisht nëpër degët, dhe pastaj të shkojë në kongres ku do ta vërtetojë pozitën dominuese. Nëse nuk do ketë sukses në këtë drejtim, Ali Ahmeti mundet edhe që mos ta mbajë kongresin dhe në ndërkohë ti radikalizoj raportet me VMRO-në, eventualisht, ta lëshojë Qeverinë dhe të hap rrugë për bashkëpunim me LSDM-në. Largimi eventual nga Qeveria, pozitivisht do të ndikojë tek shqiptarët të cilët edhe nuk janë të kënaqur nga bashkëpunimi me Nikolla Gruevskin. 

Në BDI askush nuk mohon se në zgjedhjet partiake para kongresit ka fraksione dhe lobime, por këtë e paraqesin si përfitim nga demokracia që ekziston në parti.

Lajme të ngjashme

Back to top button