Brazil 2014, ndeshjet eliminatore të trukuara?

Organizata e basteve që është në qendër të skandalit që ka përfshirë së fundmi futbollin britanik mund të ketë trukuar gjithashtu edhe disa nga ndeshjet eliminatore të kampionatit të ardhshëm botëror.

Ndërmjetësi i arrestuar, i cili më pas rezultoi një njeri i futur enkas për të hetuar, u shpreh në fillim të kësaj jave se takimet e trukuara përfshijnë ndeshje të Australisë si dhe skuadrave përfaqësuese në Evropë.

Gjatë një interviste të dhënë në fillim të muajit ai rrëfeu se kishte korruptuar Australinë, Skocinë, Republikën e Irlandës dhe skuadra të tjera të Kontinentit të Vjetër. Ai deklaroi se kishte kontroll të plotë mbi një përfaqësuese të Afrikës, emri i së cilës nuk mund të bëhet i ditur për shkaqe hetimore. National Crime Agency pasi hapi një hetim të gjerë mbi ndeshjet e fiksuara në ligat e ulëta të Britanisë së Madhe tashmë pas arrestimeve të kësaj jave është duke bashkëpunuar me agjensitë e tjera ndërkombëtare për ta shtrirë akoma më shumë këtë operacion.

Drejtuesit e “The Telegraph” shpjeguan se një investigator i maskuar, i cili ishte në bashkëpunim të plotë me FIFA-n, ofroi ndihmën e tij duke përcjellë të dhëna që kanë të bëjnë me një grup bastvënësish aziatikë që trukonin takimet dhe që e kishin shtrirë aktivitetin e tyre gjithashtu edhe në ishull, transmeton Supersport.

Më herët në fillim të këtij muaji në Manchester ai shpjegoi se gjatë misionit të tij të kamufluar ai pa shumë problem mund të blinte gjyqtarët dhe të paguante futbollistë të ndryshëm për të manipuluar rezultatet e ndeshjeve.

Gjatë marrjes në pyetje për llogari të hetuesve britanikë ai zbuloi se ishte në gjendje të manipulonte ndeshje në të gjithë botën, me përjashtim të Singaporit, ku dënimet janë tepër të rënda. Ai pranoi se kishte qenë në gjendje të manipulonte 15 ndeshje eliminatore të këtij edicioni të kupës së botës, madje edhe të blinte vetë një skuadër të tërë nga kontinenti afrikan.

Ai rrëfeu gjithashtu se ka arritur të punojë bashkë me një agjent të FIFA-s, i cili ishte në gjendje të organizonte takime në të gjithë rruzullin. Personi, i cili natyrisht për shkaqe hetimore nuk bëhet i ditur, është me origjinë nga Singapori dhe ai shtoi se ishte shumë mik me këtë agjent të FIFA-s, paratë e licencës së të cilit u paguan pikërisht nga bosi i tij dhe me të cilin mund të organizonte ndeshje miqësore në të gjithë botën, ndeshje të cilat sigurisht më pas mund të manipuloheshin lehtësisht.

Në fund ky person shpjegoi se kontrollonte skuadra në Belgjikë dhe Francë, ekipe me emër por ku futbollistët nuk paguheshin mirë, ndërkaq ai theksoi pagat e ulëta që marrin lojtarët gjithashtu në vende të tilla si Finlandë, Belgjikë e Suedi.

Më parë NCA, National Crime Agency arrestoi gjashtë vetë, me akuzën e trukimit të shumë ndeshjeve në Britani, midis të cilëve tre futbollistë, ku spikat emri i Delroy Facey një ish lojtar i Bolton Wanderers në Premier League, i kthyer më pas në rolin e menaxherit.

Lajme të ngjashme

Back to top button