Takohen partitë opozitare shqiptare. Mungon LR- PDSH

Rilindja Demokratike Shqiptare sot ka thirrur partitë opozitare në një takim me qëllim përafrimin e platformave politike. Thirrjes i janë përgjigjur Lëvizja Besa, partia Uniteti dhe Partia për Prosperitet Demokratik. Në takim nuk ka marrë pjesë vetëm Lëvizja për Reforma – PDSH, raporton Portalb.

Takimi është organizuar nga përfaqësuesit e RDK-së që po e kërkojnë dorëheqjen e liderit të tyre, Vesel Memedi, nga partia.

“Synimi i RDK-së ka qenë që të gjithë partitë shqiptare opozitare t’i përafrojnë platformat dhe shprehjen e vullnetit për të bashkëpunuar. Kemi bërë ftesë për të gjithë partitë opozitare shqiptare. Ftesës i janë përgjigjur, Lëvizja Besa, Uniteti dhe PPD. Kanë qenë të ftuar edhe përfaqësues nga LR-PDSH, deri në momentin e fundit ata nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje konkrete”, është shprehur përfaqësuesi i RDK-së Binaz Pajaziti.

Ai thotë se RDK në parim përkrahë çdo iniciativë për protesta. Sa i përket zgjedhjeve ai konsideron se nuk ka kushte elementare për zgjedhje për zgjedhje. Sipas tij lista nuk është pastruar dhe ende s’kemi departizim të institucioneve.

Ndryshe, në deklaratën e përbashkët të këtyre 4 partive thuhet se:

“Ne jemi të përcaktuar pa mëdyshje për vendosjen e demokracisë dhe sigurimin e plotë të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në vend, si dhe për dekriminalizimin e pushtetit, duke mundësuar sundim të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, që nënkupton funksionimin e papenguar të Prokurorisë Speciale Publike, departizimin e të gjitha institucioneve në shtet, si dhe media të lira, objektive dhe profesionale, të financuara në mënyrë transparente, me çka do të krijoheshin kushte  për mbajtjen e zgjedhjeve kredibile dhe të pranueshme nga të gjithë pjesëmarrësit”.

Nga ana tjetër në deklaratën e tij për Portalb Ziadin Sela, kreu i LR-PDSH thotë se nuk ka pasur ftesë për këtë takim dhe për të njëjtën është njoftuar përmes komunikatës publike të RDK-së, e cila më vonë është mohuar nga vet partia.

“Ftesë direkte te unë nuk ka pas. Në qoftë se llogaritet ftesë kumtesa nëpër media, unë atë nuk e di”, tha për Portalb Sela./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button