Maqedonia nuk punoi për ti hapur dyert e Bashkimit Evropian

Në mungesë të kapaciteteve dhe vullnetit politik, Qeveria dështoi të përmbushte Dialogun e Nivelit të Lartë me BE-në. Njohësit e çështjeve evropiane vlerësojnë se megjithëse u premtua shumë, rezultatet nga përmbushja e obligimeve që parashikohen në Dialogun e Nivelit të Lartë (HLAD), janë minimale.

“Procesi u zhvillua me një rritëm të ngadalshëm, pasi pa një presion më të fuqishëm nga BE-ja vështirë përmbushen gjërat tek ne. Por ngecjes së aktiviteteve në kuadër të HLAD-it i kontribuuan edhe ngjarjet e 24 dhjetorit në parlament, të cilat nxitën krizën politike në vend dhe këto çështje i nxorën në plan të dytë. Ne në fakt iu rikthyem çështjeve bazike që lidhen me funksionimin e demokracisë parlamentare. HLAD kishte për qëllim të mbante gjallë ritmin e reformave me shpresë se do të arrihej përparim në zgjidhjen e çështjes së emrit. Por në vend që këto çështje të përmirësoheshin, ato në mënyrë negative ndikuan njëra-tjetrën”, vlerëson për Portalb Malinka Jordanova nga Instituti për Politikë Evropiane.

Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Bekim Kadriu nga ana tjetër, për Portalb vlerëson se megjithatë dështimi i përmbushjes së Dialogun e Nivelit të Lartë (HLAD) nuk paraqet arsyen për mos marrjen e datës për fillimin e negociatave.

“Unë nuk them se ka progres, mbase në disa fusha kemi bërë dhe hapa prapa, por arsyeja për këtë mendoj se është mos fillimi ende i negociatave për anëtarësimin e plotë të vendit në BE, me ç’rast do t’u jepej shtysë më e madhe zbatimit në praktikë të këtyre reformave”thotë ai.

“Qëllimi i HLAD ishte të ofronte mundësi për zhvillimin e reformave por nuk jepte garanci për fillimin e negociatave apo se do të bëheshim anëtar i BE-së. Me përmbushjen e obligimeve që parashikohen në HLAD vendi do të mund të afronte reformat me qëllim që në momentin kur do të fillonin negociatat e anëtarësimit me BE-në ato nuk do të zvarriteshin me vite të tëra siç ishte rasti me Kroacinë, por të do të ishim më afër përmbushjes së standardeve të kërkuara”, theksoi për Portalb, Bekim Kadriu, profesor.

Kadiru vlerëson se reformat kryesore që duhet të përmbushen janë në fushën e ndryshimit të legjislacionit zgjedhor, reformat në administratë, gjykata, lirinë e shprehjes dhe të mediave, çështje këto që do të trajtohet si kyçe edhe me fillimin e negociatave.

Megjithatë për Malinka Jordanovën, nga Instituti për politikë evropiane, procesi i HLAD ka marrë fund dhe nuk mund të pritet zbatimi i tij i suksesshëm.

“Unë nuk shikoj se HLAD do të ketë mundësi të arrijë sukses sepse nuk ka vullnet politik te kjo përbërje politike për zbatimin e tij, apo të paktën ekziston vullnet i ndryshëm politik tek partnerët e koalicionit në qeveri. Në fakt ne gjithnjë e më shumë kthehemi prapa, ndërkaq janë vënë pikëpyetje edhe përmbushja e kritereve bazë për funksionimin e shtetit të së drejtës”.

Nga ana tjetër nga Sekretariati për Çështje evropiane shprehen të kënaqur me përmbushjen e deritanishme të reformave duke theksuar se Dialogu për Aderim në Nivel të Lartë (HLAD) do të vazhdojë të adresojë reformat e identifikuara, duke përfshirë edhe implementimin e marrëveshjes politike të 1 Marsit si dhe çështjeve të hapura me fqinjët.

“Ashtu siç është cituar në përfundimet e Këshillit, HLAD tashmë ka kontribuar në më shumë sfera të politikës, duke përfshirë edhe reduktimin e çështjeve të pazgjidhura gjyqësore dhe luftën e vendit kundër krimit të organizuar”, theksojnë mes tjerash nga Sekretariati për Çështje Evropiane. Sipas zv/kryeministrit Fatmir Besimi madje edhe pse nuk është zëvendësim për fillimin e negociatave, Dialogu për Aderim në Nivel të Lartë (HLAD) është platformë e rëndësishme për Maqedoninë që të vazhdojë  në rrugën e sajë drejt integrimit Evropian.

Maqedonia edhe këtë Samit nuk arriti të merr datë bisedimesh me Bashkimin Evropian, përpos çështjes së pazgjidhur me Greqinë atë e pamundësuan edhe problemet e lartpërmendura. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button