Berisha parashikon skenarin e ’97-s (VIDEO)

Ish-kryeministri, Sali Berisha duke marrë në analizë projektbuxhetin e vitit 2014, parashikon se, kjo paketë fiskale do të krijojë në Shqipëri një piramidë nga e cila do të duhen 15 vite për të dalë.

Berisha duke akuzuar kryeministrin, Edi Rama si person me mungesë njohurish në ekonomi, tha se qeveria nuk po bën detyrën që i kanë kërkuar ndërkombëtarët.  

“Ka krijuar në kokë një model të një Shqipërie që nuk ekziston. Ndërkombëtarët i kanë thënë: Detyra jote si qeveri është të parandalosh rënien në recesion. Përgjigja e tij ka qenë se, Shqipëria është në recesion dhe e përsërit nga mëngjesi në darkë. Pastaj zgjohet dhe thotë se, pas dhjetorit nuk do të ketë më krizë”, u shpreh ish-kreu i PD-së.

Ish-kryeministri thekson se, rënia në recesion do të thotë për Shqipërinë një fund tragjik. “Ky është një moment kritik. Po ramë në recesion nuk ka kush na ndihmon. Nuk jemi as Itali, as Greqi, as Qipro, Maltë… asnjë nga këto vende. Ata kanë vëllanë e madh, kanë Bankë Evropiane ku marrin kredi me një leverdi të pafundme që parandon rrokullisjen në humnerë përfundimisht. Ne nuk kemi”, u shpreh Berisha. 

“Çfarë kemi? Ka dy muaj që negocion me FMN-në. Nuk ka negociuar një ditë me popullin shqiptar, kaa adaptuar ‘Kodin e Heshtjes’. Fondi i thotë: Të jap unë kaq, por blloko rrogat për tre vite (mos rrit pagat). Në tre vite vetëm nga rritja e çmimeve dhe jo e taksave, çdo shqiptar do të ketë një rënie minimumi minimumit 10% të nivelit të jetesës, vetëm nga rritja e çmimeve.”

Në këtë situatë, Berisha propozon si rrugëzgjidhje protestat për detyrimin e qeverisë që të ndryshojë paketën fiskale. 

“Cila është rrugëdalja? Absolutisht përveç një lëvizjeje qytetare në mbrojtje të interesave jetike. Të mos kemi iluzione! Ai ka një ministër që thotë po rrisë borxhin se dua të rrisë rritjen ekonomike. Thotë këtë vit është 75% (niveli i borxhit) vitin tjetër do të jetë 85%. 85 është fiks skenar grek.”

“Ftesa ime, i madh dhe i vogël, nxënës, studentë, fermerë… ne duhet t’i themi jo kësaj pakete fiskale që ndërton në Shqipëri piramidën më të tmerrshme ndaj shqiptarëve. Nga një piramidë që do na duhen 10-15 vjet për të dalë”, përfundoi Berisha.

Lajme të ngjashme

Back to top button