Protesta në SHBA në mbrojtje të Radikës

Pranë selisë së OKB-së në Nju Jork sot është thirrur protesta në mbrojtje të lumit Radika në rajonin e Dibrës së Maqedonisë. Protesta është organizuar nga Shoqata Atdhetare “Dibra”, e cila i bën thirrje të gjithë shqiptarëve në SHBA që ti bashkëngjiten protestës së ditës së premte para OKB-së në mbrojtje të lumit Radika.

Komuniteti Dibran në SHBA do ti dorëzojë një peticion Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon dhe zyrës së OKB-së për ujrat (UN Water) kundër projektit të hidrocentralit “Fusha e Lukovës”, që parashikon ndryshimin e rrjedhës së lumit Radika, duke i`u shmangur Dibrës dhe duke i`a bashkëngjitur lumit Vardar për t`u derdhur më pas në detin Egje.

Një kopje e peticionit do t’i drejtohet edhe Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, ambasadores amerikane Susan E. Rice në  OKB, administratës së Presidentit Obama dhe ambasadave të shteteve të mëdha në Kombet e Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë e Italisë,etj, informon Ina.

Shoqata Atdhetare “Dibra” në Staten Island New York, u ka bërë thirrje dibranëve në Amerikë duke përdorur rrjetet sociale në internet – Twitter dhe Facebook për të organizuar një protestë të premten në mesditë në sheshin para ndërtesës së OKB-së.

Protesta do te fillojë në orën 12 të mesditës sipas orës amerikane dhe do të zgjasë e deri në ora 3 pasdite para selisë së Kombeve të Bashkuara në Manhattan, qytetin New York. Kjo protestë udhëhiqet nga Komisioni organizator, që u ngrit në takimin e e Shoqatës Atdhetare “Dibra” kryesuar nga kryetari i saj Musa Paçuku.

Protesta fton shqiptarët anekënd Amerikës për të përkrahur mesazhin “Stop devijimit të rrjedhës së lumit Radika” përmes peticionit dhe protestës së thirrur. Deri tani janë grumbulluar rreth 7 mijë nënshkrime, ndërsa për të arritur qëllimin duhen rreth 10 mijë nënshkrime. Përfaqësues të OJQ-ve  së bashku me pushtetin  vendor të Dibrës ,bëjnë të pamundurën që  ky projekt të tërhiqet  nga ana e Qeverisë së  Maqedonisë.

“Kjo protestë merr një rëndësi të veçantë, jo vetëm për situatën e krijuar  pas vendimit të Qeverisë së Nikolla Gruevskit, që disa her ka treguar ndjenjat e tija të egra nacionaliste të diskriminimit të shqiptarëve, na kujton kohën e ish sundimit ‘jugosllav’ kur shqiptarët nuk pyeteshin fare, por ka një rëndësi të madhe edhe për mbarë çështjen tonë Kombëtare.

Bashkatdhetarë, lëreni pak orë punën dhe merrni pjesë në këtë protestë mbarëkombëtare. Jemi të gjithë shqiptarë të gjithë Dibranë në këto momente. Le të protestojmë me kulturë dhe rregull! para OKB dhe popullit amerikan në New York”, theksohet në komunikatën e organizatorëve të protestës. 

Lajme të ngjashme

Back to top button