BB: Shqipëria më keq se Greqia! Borxhi 70%, më i larti në rajon

Banka Botërore deklaroi se Shqipëria është vendi që ka shënuar rënien më të madhe të pagave në Europë gjatë 5 viteve të fundit. Në raportin e fundit mbi situatën ekonomike në Europën Juglindore, Banka vëren se në periudhën 2010-2014, paga reale në Shqipëri ka rënë mesatarisht me 2% çdo vit, çka përbën rënien më të lartë.

Kjo do të thotë se për këtë periudhë 5-vjeçare pagat mesatare të shqiptarëve kanë rënë me mbi 10%, çka përbën një përkeqësim të ndjeshëm në standardin e jetesës.

Ky tregues është më i keq edhe se sa ai i Greqisë, e cila pavarësisht se po kalon një krizë të thellë, shënoi rritje pagash me 1.6% vitin e kaluar.

Ndër të tjera BB thekson se punësimi në Shqipëri në vitin 2015 është rritur me 1.9%, ndërsa pohohet se norma e papunësisë mbetet shqetësuese. “Gjysma e papunësisë është afatgjatë.

Borxhi i Shqipërisë 70%, më i larti në Rajon. Konsolidimi ka ardhur nga shpenzimet jo të ardhurat”,- citohet në raportin e Bankës Botërore.

Në vendet e tjera të rajonit, pagat kanë ruajtur fuqinë e tyre blerëse duke mos u ulur, dhe në disa vende madje kanë vazhduar të rriten në terma reale.

Më konkretisht sipas Bankës Botërore, në Serbi pagat kanë rënë me rreth 0.2% në vit, në Maqedoni kanë mbetur të pandryshuara, ndërsa në Mal të Zi dhe Bosnje, ato janë rritur mesatarisht me 0.3 dhe 0.2% në vit.

Serbia u detyrua të ulë pagat në sektorin publik për shkak të krizës së thellë buxhetore. Por pavarësisht krizës fiskale, pagat reale në këtë vend janë ulur më pak se sa në Shqipëri.

Buxheti në vijën e parë

Qeveria shqiptare prej tre vitesh ka vendosur ngrirjen e pagave në sektorin publik, edhe pse çmimet kanë vazhduar të rriten duke çuar kështu në rënien reale të pagës për punonjësit e administratës. Por në sektorin privat rënia e rrogave ka qenë edhe më e lartë për shkak të situatës së vështirë të bizneseve dhe krizës së konsumit.

Në periudhën 2004-2009 Shqipëria ka qenë vendi i dytë me rritjen me të lartë të pagave në rajon. Sipas bankës Botërore, paga reale gjatë kësaj periudhe është rritur me gati 10% në vit duke çuar në një përmirësim të fortë në standardin e jetesës së punonjësve.

Por veçanërisht pas vitit 2012, kjo tendencë u përmbys dhe pagat filluan të uleshin me ritme të shpejta.

Familjet shtrënguan rripin

Sipas Bankës Botërore, pagat përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të familjeve. Kjo do të thotë se ulja e tyre përkeqëson standardin e jetesës për pjesën më të madhe të familjeve në vend, çka është konfirmuar edhe nga një tjetër tregues.

Të ndodhura përballë rënies së të ardhurave familjet ulën konsumin. Sipas Bankës Botërore, konsumi privat në 2015-ën ra me 2.3% për herë të parë në shumë vite, çka frenoi rritjen ekonomike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button