Hashim Thaçi: Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj

Me një ceremoni solemne në sheshin Skënderbeu, në qendër të Prishtinës, është inauguruar Presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoni morën pjesë mbi 1000 personalitete të ndryshme nga vendi dhe mysafirë nga mbi 50 vende të botës. Përveç përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, akademikë, personalitete të artit, kulturës dhe sportit kosovar, në ceremoninë inauguruese të Thaçit si president të ri të Kosovës, ishin kryetarët e Shqipërisë dhe Kroacisë, Bujar Nishani, respektivisht, Kolinda Grabar Kitaroviq, pastaj kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta, si dhe mysafirë të tjerë të shumtë nga rajoni dhe bota, në nivel të kryeministrave, kryetarëve të Kuvendeve, si dhe udhëheqës të tjerë të lartë institucional të shteteve mysafire.

Në fillim, ish presidentja në largim Jahjaga dhe Presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë parakaluar në tepihun e kuq, duke ecur nga zyra e Presidencës në Kuvendin e Kosovës dhe janë ndalur para Gardës së Nderit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku presidenti i ri i Thaçi mori raportin e parë dhe përshëndetjen si Komandant Suprem i FSK-së.

Më pas, Jahjaga dhe Presidenti Thaçi hipën në binën e vendosur m’u pranë përmendores Skënderbeu, ku presidentja në largim ia dorëzoi pasardhësit të saj, Thaçit, kopjen e Kushtetutës së Kosovës, si simbol të nderit dhe detyrës së re, që përcakton demokracinë dhe themelin e shtetit.

Me këtë rast, Jahjaga kërkoi nga Presidenti i ri Thaçi që ta mbrojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me synim dhe qëllim që të gjithë qytetarët të jenë të lirë dhe të barabartë para ligjit.

“I nderuar President, po ua dorëzoj Kushtetutën e Kosovës e cila përcakton ardhmërinë e Kosovës si shtet të lirë, të pavarur, si shtet demokratik e paqedashës dhe shtet i barabartë për të gjithë qytetarët e saj. Kam mbrojtur këtë Kushtetutë me tërë qenien time. Ky themel i shtetit tonë ka qenë udhërrëfyes në realizimin e të gjitha veprimeve për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për të ardhmen e tyre, në çdo veprim timin. Mbroj këtë Kushtetutë të shtetit tonë dhe synoje qëllimin e saj, që të gjithë qytetarët e saj të jenë të barabartë, të lirë dhe të donë vendin e tyre, të barabartë para ligjit”, tha Jahjaga dhe në mënyrë solemne ia dorëzoi Thaçit kopjen zyrtare të Kushtetutës së Kosovës.

Pas pranimit të dokumentit solemn të Kushtetutës së Kosovës, nga paraardhësja e tij, Presidenti i ri i Kosovës u betua se do të jetë rojë i denjë i saj dhe e ka falënderuar Presidenten Jahjaga për punën dhe kontributin e saj në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës.

“E nderuara Presidente, do ta ruaj dhe do ta kultivoj Kushtetutën e Republikës së Kosovës, simbolin dhe bazën elementare të shtetësisë së Kosovës, në unitetin tonë politikë dhe qytetarë. Do të jem gardian i Kushtetutës , i të drejtave të qytetarëve të Kosovës, i Kosovës si atdhe i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Edhe një herë, më lejoni t’iu falënderoi për punën tuaj të shkëlqyeshme. Zotohem para jush, para gjithë qytetarëve të vendit, institucioneve të Kosovës, miqve ndërkombëtar që do ta respektoj dhe do të jem roje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

Pas dorëzim-pranimit ceremoniale të Kushtetutës, tashmë ish Presidentja Jahjaga zbriti nga skena dhe u ul në rreshtin e parë të mysafirëve, kurse Presidenti i ri Thaçi qëndroi në skenë për të dhënë fjalimin e tij inaugurues.

Fillimisht, Thaçi rikujtoi sakrificën e gjeneratave të tëra që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë që Kosova sot e gëzon dhe se është i nderuar që është president i një populli të heronjve.

“Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Ne po ndërtojmë demokraci qytetare. Sot hero është mësuesi i cili edukon gjeneratat e reja, hero është bujku i cili prodhon bukën tonë, hero është mjeku që shëron, është minatori. Hero është ambientalisti që mbron natyrën, hero është studenti që ec me trendet e diturisë botërore, heronj janë fëmijët që shkojnë në shkollat e ndërtuara me mundin tonë”, ka thënë Thaçi.

Në vazhdim, ai ka folur për katër çështje mnë të cilat do të punoj dhe fokusohet gjatë mandatit të tij presidencial, për të forcuar identitetin shtetëror të Kosovës dhe ka theksuar se, pas betimit të dhënë dje në Kuvendin e Kosovës, ai tashmë është roje e Kushtetutës.

“Jam i vetëdijshëm se muajve të fundit kemi pasur debate të hapura dhe me tone divergjente politike. Si roje e Kushtetutës, unë do të jem i paanshëm politikisht. Do të ofrojë agjendë të dialogut aktiv,me gjithë përfaqësuesit e popullit, pa dallime partiake. Do të përdori instrumentet këshillëdhënëse që të kemi dialog aktiv edhe me komunitetet jo shumicë”, ka thënë Thaçi.

Gjatë fjalimit të tij inaugurues, presidenti i ri premtoi se do të punojë që zhvillimi ekonomik të shkojë me hapa të shpejtë sikurse ai politik. Thaçi theksoi se, njëkohësisht do të punohet në zhvillimin e brendshëm të vendit për të krijuar mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe nga ana tjetër, për të përshpejtuar proceset integruese euroatlantike.

Pas fjalimit inaugurues të Presdientit Thaçi, ceremonia festive vazhdoi me program artistik. Fillimisht me pikën e luajtur nga Kori i Fëmijëve, i përfaqësuar nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovës. Ata interpretuan në mënyrë fantastike këngën “Imagine” të këngëtarit legjendar të grupit Beatles, John Lenon. Në fund, programi përfundoi me koncertin e Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës.

Ashtu si kemi raportuar më herët, para fillimit të ceremonisë së inaugurimit të Presidentit të ri të Kosovës, në afërsi të vendit ku mbahej ceremonia ishte hedhur gazi lotsjellës, duke shtyrë për disa minuta fillimin e solemnitetit.

Sipas informacioneve të Policisë së Kosovës, gazi lotsjellës ishte hedhur nga Rruga Agim Ramadani, prapa ndërtesës së ish-Unionit apo Benetonit të sotëm, pranë Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kjo ka bërë që në pjesën prapa Teatrit të Kosovës, policia të shtoi forcat e sigurisë, ndërsa lidhur me rastin ka arrestuar 6 persona, ku te njëri prej tyre ka gjetur një bombol gazi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button