Ribery, futbollist i vitit në Bundesligë

Franck Ribery shton një tjetër çmim në koleksionin e tij personal, teksa qëndron në pritje të një trofeu më të madh. Francezi i Bayernit të Mynihut, kandidat për Topin e Artë, është zgjedhur si lojtari më i mirë i vitit 2013 të Bundesligas, në një proces votimi ku kanë marrë pjesë 36 kapitenët e klubeve nga dy kategoritë e para të kampionatit gjerman. Ky çmim tregon edhe njëherë vitin e suksesshëm të Ribery, i cili ka kontribuar jo pak në triumfin e trefishtë të bavarezëve, si në Gjermani, ashtu edhe në Europë.

Fituesi i Champions League tashmë ka të drejtë të ndihet edhe më i motivuar teksa do të shkojë me Cristiano Ronaldon e Lionel Messin në krah në ceremoninë e Topit të Artë më 13 Janar. Lajmi për çmimin e fundit u dha nga Goal The Bundesliga Magazine në Twitter, ndërsa po në të njëjtin rrjet social, klubi i tij Bayerni postoi një mesazh urimi për francezin.

Duke marrë parasysh vetëm ndeshjet e kampionatit gjerman të këtij viti, emri i Ribery shoqëron 12 gola të realizuar prej tij dhe 17 asist, shifra që tregojnë impaktin e padiskutueshëm të 30-vjeçarit te kampionët e Gjermanisë, jo vetëm duke bërë diferencën i vetëm, por edhe duke kontribuar për të arritur te finalizimet. Jo më kot Ribery ka arritur të depërtojë mes eklipsimit të dy prej lojtarëve më të mirë të botës, Ronaldo e Messi, dhe sot qëndron si një favorit për Topin e Artë.

Lajme të ngjashme

Back to top button