Shkup, nuk mund të ketë zgjedhje pa zgjidhje për mediat!

Mediat ishin element kyç në bisedimet mes partive që dolën nga Marrëveshja e Përzhinës si dhe çështje kryesore e cila pasi të  zgjidhej do të caktonte datën e zgjedhjeve në Maqedoni. Partitë politike dhe faktori ndërkombëtar ishin dakorduar që pa zgjedhje të çështjes së mediave nuk mund të ketë zgjedhje. Por, kjo nuk ndodhi. Pas shpërbërjes së parlamentit Maqedonia gjendet në prag të zgjedhjeve të 5 qershorit, ndërkaq problemi me mediat as që diskutohet, shkruan Portalb. Ende më keq, shumica parlamentare të hënën hodhi poshtë propozimin për ndryshime në ligjin për Shërbime në Mediumet Audio dhe Audiovizuele.

Numri një i Shoqatës së gazetarëve Naser Selmani për Portalb vlerëson se është dëshpëruese që në Maqedoni ka parti politike në pushtet, të cilat në një anë nënshkruajnë marrëveshje dhe në anën tjetër refuzojnë të përmbushin obligimet që dalin nga kjo marrëveshje.

“Kjo sjellje e papërgjegjshme e VMRO-DPMNE dhe BDI para së gjithash është fyerje për qytetarët e rëndomtë të vendit. Nëse ata nuk respektojnë marrëveshjet e nënshkruara të ndërmjetësuara nga faktori ndërkombëtare, atëherë kush mund t’u garantojë qytetarëve se këto parti do të përmbushin premtimet e tyre elektorale. Porosia është shumë e qartë, nëse një parti ka mashtruar njëherë, do të mashtrojnë çdoherë. Kjo i bënë të pabesueshme VMRO-DPMNE dhe BDI para votuesve”, theksoi për Portalb Selmani.

Sipas Marina Tuneva, drejtoreshë e Këshillit për Etikë në Mediumet e Maqedonisë (KEMM), në kësi gjendje ku mediat edhe më tutje i thyejnë rregullat e raportimit profesional dhe e kontaminojnë publikun, nuk mundet të shkohet në zgjedhje.

“Fatkeqësisht, duke vëzhguar gjendjen e raportimit të mediave unë jam pesimiste se kemi kushte të pjekura për zgjedhje. Janë të pamundshme zgjedhje demokratike pa media të cilat raportojnë pa anime dhe në mënyrë objektive. Zgjedhjet e lira demokratike nuk e nënkuptojnë vetëm lirinë për të votuar, por nënkupton edhe proces ku marrin pjesë edhe qytetarët. Mendimi i tyre është shumë i rëndësishëm në një debat demokratik, por që të marrin pjesë në të u duhet informacione gjithëpërfshirëse për procesin në tërësi, respektivisht për kandidatët, partitë, politikat e veprimit, që të mund të sjellin vendime të pjekura”, tha për Portalb drejtoresha Tuneva.

Tuneva porositi që mediat duhet të jenë etike, profesionale dhe t’i shërbejnë interesit publik.

“Ata si kanale për komunikim janë rrjedhojë e procesit dekomratik, por që ta luajnë këtë rol duhet të lirohen nga çdo lloj i presioneve dhe të mos jenë viktimë e asnjë qendre të fuqisë”, përfundon ajo.

Ndryshe, Selmani gishtin për dështimin e çështjes së mediave e drejton te pushteti aktual.

“Nuk ka dyshim se partitë në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI mbajnë përgjegjësinë kryesore që nuk u bënë reforma ne media para zgjedhjeve, të cilat ishin parakusht për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të besueshme. Ky refuzim për reforma në media manifeston frikën e partive në pushtet se do humbin zgjedhjet nëse nuk mbajnë kontrollin mbi median. Këto parti median e përdorin si instrument propagande për të kontrolluar opinionin publik dhe për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Mediat e kontrolluara nga pushteti nuk kanë kurrfarë kredibiliteti në sytë e qytetarëve dhe mendoj se ndikimi i tyre në rezultatin zgjedhor do të jetë shumë I limituar.  Mendoj se reforma në media është e pashmangshme padallim se kush fiton zgjedhjet e parakohshme nëse duam të integrohemi në BE dhe NATO”, potencoi për Portalb Selmani.

Nga Sindikata e pavarur e gazetarëve shkurt për Portalb pohojnë se nuk ka zgjedhje kredibile pa media të lira./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button