Rama: Himara ishte bërë si Bathorja, bashkë me Koçon do pleqërojmë në Vuno

Kryeministri, Edi Rama, i cili prej dy ditësh ndodhet në Vlorë për të prezantuar programet e qeverisë për ndërtimin e rrugëve apo dhe rimëkëmbjen e fshatrave në këtë zonë, është ndalur sot në Vuno, ku dhe ka prezantuar programin e zhvillimit për fshatrat e Jugut ‘Trashëgimia kulturore, motor zhvillimi’.

“Kalaja, fshati, Vunoi dhe Dhërmiu u vendosën në mbrojtje për të identifikuar çdo mur dhe dritare që i përket trashëgimisë.  Kësaj zone turistike do t’i japim një forcë të re për t’u zhvilluar për t’i kthyer në një motor zhvillimi për të gjithë zonën e Jugut.

Në Vlorë janë 110 monumente kulture, por që i gjetëm në mëshirën e fatit. Nuk gjetëm asnjë inventar nga shteti”, tha ndër të tjera Rama.

Vija bregdetare do të ketë një pamje dhe një mundësi tërësisht të re në mënyrë që të gjitha shtëpitë të kthehen në funksion të turizmit sipas projektit të ri.Plani i kryeministri Rama për zhvillimin e bregdetit të Jugut do të nisë nga zgjidhja e çështjes së pronës.

“Janë 11 mijë hektarë tituj të rremë pronësie të zhvendosur nga pronarët legjitime tek pronarë të supozuar, që do t’i rikthehen qoftë shtetit qoftë njerëzve legjitimë, ashtu sikundër do t’u rikthejmë të gjithëve një territor të zaptuar nga çibanët. Himara ishte kthyer në një ‘Bathore’ buzë detit. Zona ishte e mbushur me plehra duke krijuar një imazh negativ për Shqipërinë dh turizmin. Në pak kohë po rilindim bregdetin. Pritshmëria dhe padurimi janë të mëdha dhe kjo po na mundon dhe qytetarët nuk kanë faj, por jo çdo gjë bëhet menjëherë.  Shtetin na e lanë si një magazinë pa inventar dhe mal me borxhe. Deri tani kemi bërë një punë të rëndësishme për të vazhduar me një zinxhirë investime për t’i dhënë bregut të Jonit, rrugën e re të zhvillimit dhe që është e mundur, pasi është bërë e pamundur në gjithë këto gjithë këto vite nga babëzia dhe injoranca në Tiranë që kapën për ‘fyti’ zonën”, shtoi ai.

Në fund të fjalës nuk kishte si të mungonte edhe një batutë. “Dhe si nip nga Vunoi jam i kënaqur që kësaj toke i krijohet mundësia që të rilulëzohet dhe në pleqërinë që po afrohet edhe mua edhe Koços na krijohet mundësia që të kalojmë kohë më të gjatë në sheshin e vogël para lapidarit ku pleqtë mblidhen dhe flasin për problemet e botës”, përfundoi ai.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button