“Nisma Galdini”, Sazan Guri çon në Prokurori Erion Veliajn

Dy aktivistët e njohur Sazan Guri dhe Arian Galdini pasi i kanë shkruar këtë javë një letër Ambasadorit Amerikan Donald Lu, ditën e sotme kanë shkuar në Prokurorinë e Tiranës ku kanë paditur Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj për ndërtimin e Këndit tek Parku i Liqenit. Galdini dhe Guri kanë kontaktuar me autoritetet e Prokurorisë së Tiranës duke u kërkuar që të përshpejtojnë veprimet hetimore lidhur me shkeljet e renda ligjore që ka bërë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj me ndërhyrjen betonizuese dhe ndërtimin tek Parku i Liqenit.

Galdini dhe Guri deklaruan për mediat pas daljes nga Prokuroria se në Tirane sot po ndodh një rezistencë e gjerë qytetare kundër betonizimit të Parkut të Liqenit. “Kemi një aktivizëm të admirueshëm civil nga djem e vajza te reja, intelektuale të cilët janë stacionuar duke protestuar çdo dite tek vendi ku Bashkia po kryen veprimet e paligjshme me ndërtimin  tek Parku i Liqenit. Kemi aktivizëm e protestë politike nga Opozita. Kemi artistë e njerëz të njohur të këtij qyteti që po e shprehin kundershtinë e tyre kundër betonizimit të Parkut me mesazhe të qarta publike. Tanimë kërkohet që Prokuroria të ndërmarrë të plotë rolin e saj”, thanë ata.

Prokuroria duhet të përshpejtojë veprimet hetimore për ti dhënë përgjigje drejtësie arrogancës dhe paligjshmërisë se Kryebashkiakut Veliaj. Prokuroria dhe Drejtësia duhet të bëhen arbitrat e këtij konflikti të madh social e politik që ka hapur Bashkia kundër qytetarëve të saj.

Galdini dhe Guri thanë se është më mirë të çojmë e dorëzojmë Erion Veliajn në duart e Drejtesisë sesa të dorezojmë Parkun e Liqenit tek betonizimi i Oligarkisë.

Gjithashtu, sikurse edhe në letrën e tyre dërguar Ambasadorit Amerikan Donald Lu, Galdini dhe Guri ripërsëritën sot përpara Prokurorisë së Tiranës se ata kanë dyshime serioze se çështja e Parkut te Liqenit po përdoret nga Kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj si një Projekt Pilot për të bërë prapakthim në të drejtat demokratike dhe të lirisë duke synuar te shuajnë e asgjësojnë çdo rezistencë, aktivizëm qytetar, kundërshti, opozitarizëm apo kriticizëm a mendim ndryshe.

Ndaj edhe është domosdoshmëri që rezistenca qytetare të bëhet e fortë dhe e pakursyer për ti bërë ballë dhe për ta ndaluar këtë Projekt pilot që synon të vrase lirinë dhe demokracinë në vend njëlloj sikurse po mbyt me beton Parkun e Liqenit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button