Sasia para kualitetit në lajmet e Bosnjes dhe Hercegovinës

Kur një djalë 14 vjeçar bëri vetëvrasje në Sarajevë në dhjetor 2015, motivet e supozuara pas vendimit për ta marrë jetën e vet u bënë lajmi kryesor i portaleve online në Bosnje dhe Hercegovinë (BiH). Emri i plotë dhe fotografitë e djalit u zbuluan për publikun nga anëtarët e familjes, që pretendonin se djali ishte viktimë e ngacmimit në shkollë. Këto akuza dolën në disa portale të lajmeve, para se të përfundoheshin hetimet për vdekjen e djalit. Akuzat kundër shkollës së djalit vazhdojnë edhe sot, pavarësisht faktit se zyra e prokurorisë e shfajësoi shkollën.

Për shkak të dëshirës së madhe për tregim senzacional, shumica e mediave online të BiH publikuan përshkrime të momenteve të fundit të jetës private të këti të mituri, dhe publikuan përsëri akuzat e prindërve drejt menaxhmentit të shkollës, mësuesve, nxënësve tjerë dhe prindërve të nxënësve tjerë, pa dashur që të dëgjojnë këtë histori nga ndonjë këndvështrim tjetër. Duke shpërfillur objektivitetin dhe standardet etike, gazetarët dhe redaktorët lejuan hapësirë të kufizuar për pikëpamjet e personave tjerë në këtë ngjarje.

Disa portale online madje edhe publikuan një listë të emrave të fëmijëve të dyshuar për sulm fizik ndaj djalit. Publiku i gjërë reagoi me nërvozë. Disa njerëz bënë thirrje për hakmarrje nga vet qytetarët. Vetëm disa media vendosën që të mos publikojnë fare informata për rastin para se të përfundonin hetimet.

Rastet si ky kanë bërë që shumë profesionistë të mendojnë se vetërregullimi i mediave online nuk është mekanizëm i përshtatshëm për ruajtjen e standardeve profesionale në mesin e gazetarëve online.

Vetërregullimi është i barabartë me mungesë të rregullave

Mediat online në BiH janë të vetërregulluara. Kjo do të thotë se, ndonëse Këshilli i Mediave të Shkruara të BiH, organi kombëtar rregullues, merret me ankesa në lidhje me përmbajtje të publikuara, ata nuk kanë fuqi për t’i gjobitur ose pezulluar mediat që shkelin standardet e gazetarisë. Jurisdiksioni i Këshillit të Mediave të Shkruara zgjatet deri te ndërmjetësimi i komunikimit në mes të lexuesve të pakënaqur dhe mediave, dhe zbatimi i Kodit të Mediave të Shkruara nëpërmjet dhënies së rekomandimeve jo detyruese.

Kodi i Mediave të Shkruara është i përbërë prej direktivave për raportim, dhe konsiderohet si moralisht detyrues për gazetarë, redaktorë, pronarë dhe publikues të mediave të shtypit dhe ato online. Megjithatë, portalet online shpesh duket se i harrojnë ato direktiva. Proporcioni më i madh i ankesave të pranuara nga Këshilli i Mediave të Shkruara prej 2010 deri në 2014 ishte në lidhje me media online.

Për shkak të gjuhës së urrejtjes kundër nxënësve, prindërve dhe mësuesve të shkollës, Këshilli i Mediave të Shkruara e dha një paralajmërim për të gjitha mediat online, që të kujdesen më shumë për seksionet e komenteve nën artikujt e tyre, dhe të parandalojnë armiqësi. Megjithatë, shpesh është vështirë të dihet se kujt duhet t’i ipen këto rekomandime saktësisht, pasi që pronësia dhe redaktimi i portaleve online janë shpeshherë botëra të errëta.

Mirna Stankovic Lukovic, gazetare nga revista online Zurnal.ba tha për K2.0 se raportet mediale për rastin e vetëvrasjes nxitën atmosferën e një grupi linçues. Ajo shtoi se disa prej artikujve përmbajtën gjuhë të urrejtjes edhe brenda tyre, përveç seksionit të komenteve, dhe se situata mund të kishte përfunduar me më shumë viktima, pasi që emrat e abuzuesve të supozuar dhe të mitur u bënë publik. “Për mendimin tim, raportet mediale nuk është dashur të jenë për këtë rast specifik”, tha Stankovic Lukovic. “Është dashur të jenë për problemin e përgjithshëm të ngacmimit, mënyrën se si të parandalohet kjo dukuri dhe se si të ndihmohen viktimat, por edhe për mënyrën se si të ndihmohen ngacmuesit, pasi që edhe ata mund të jenë viktima”.

Ky rast është i fundit në një seri të historive shqetësuese në lidhje me përmbajtjet e burimeve të ‘lajmeve’ online. Para dy viteve, protestat më të mëdha sociale të pasluftës filluan në qytete përgjatë BiH. Shumë qytetarë lexuan lajme online dhe i bazuan opinionet e tyre në informata të prodhuara prej këtyre uebfaqeve të lajmeve, i shpërndanë ato lajme dhe planifikuan veprimet e tyre duke u mbështetur në saktësinë e tyre.

Por ato për të cilat lexojnë lexuesit në BiH shpeshherë nuk janë të vërteta; protestuesit vjedhin në qendra tregtare, policë të rrahur deri në vdekje gjatë patrullimit në protesta, digjen krejtësisht institucionet qeveritare – këto janë disa prej shumë informatave të pavërteta dhe mashtruese që u publikuan në portalet e lajmeve online në shkurt të vitit 2014.

Këto çështje kanë vënë në dyshim besimin e portaleve mediale online, numri i të cilave po rritet shpejtë.

Sa më shumë – aq më mirë?

Depërtimi i internetit në shtëpitë e BiH arriti 58 përqind në 2014, numër që është rritur për kah 2 përqind çdo vit në vitet e fundit. Statistikat gjithashtu tregojnë se qytetarët shpesh i përdorin kompjuterat dhe telefonat mobil për t’u qasur informatave dhe përmbajtjeve të lajmeve, që u ofrohen atyre prej portaleve të shumta kombëtare e lokale. Është e pamundur të kalkulohet numri i saktë i mediave online në BiH, pasi që shumë nuk janë të regjistruara si biznese mediale. Megjithatë, rritja e tyre ka qenë e dallueshme, veçanërisht në dy vitet e fundit.

Një raport hulumtues për transparencën e mediave online, i drejtuar prej Interneës BiH në 2015, tregon se informatat për pronarët dhe redaktorët e shumë uebfaqeve janë shpeshherë të paqarta. Prej tridhjetë online portaleve të zgjedhura në mënyrë të rëndomtë gjatë hulumtimit, vetëm tri kishin deklarata të pronësisë me emra të redaktorëve dhe gazetarëve.

Edhe pse hyrja në tregun e mediave online konsiderohet si e drejtë dhe nuk i ka kufizuar liritë mediale, pluralizmi i lajmeve në internet shpeshherë duket mjaft i pakët. Shumë studime kanë treguar se numri i lartë i mediave online nuk siguron automatikisht një publik më të mirëinformuar, sepse shumica e mediave raportojnë për të njejtat çështje, dhe i përdorin të njejtat burime.

Raporti Media Integrity Matters i 2014 tregoi se: “Mediat online, që u promovuan si mekanizëm për sigurimin e pluralizmit të zërave në tregun e mediave, janë dëshmuar si entiteti më jotransparent në operacionet e tyre; shumë në mesin e tyre operojnë nën patronazhin e grupeve biznesore ose politike, dhe financohen prej parave me origjinë të dyshimtë”.

Lexuesit e uebfaqeve lexojnë me kujdes për të marrë dozën ditore të lajmeve, por ato janë shpeshherë të dyshimta. Shumica e media portaleve online nuk kanë kapacitet për t’i prodhuar lajmet e veta, dhe kështu i ripublikojnë lajmet e agjencive, ose lajme që merren prej uebfaqeve më të mëdha të lajmeve, duke marrë pjesë prej artikujve të tyre pa i cituar ato si duhet.

Media Sustainability Index e IREX për vitin 2015 raportoi se në 2014 Qendra për Raportim Hetues (CIN) në Sarajevë publikoi një seri të artikujve për asetet financiare që disa kandidat të caktuar të zgjedhjeve të përgjithshme kishin dështuar t’i raportojnë. Një entitet tjetër medial e ripublikoi artikullin, por la jashtë informata në lidhje me Fahrudin Radoncic, liderin e Partisë për Përmirësim dhe ish-pronarin e Dnevni Avaz, një gazetë e përditshme. Sipas IREX, raportimi i anshëm dhe mungesa e transparencës për pronësi të portaleve të tilla lë një përshtypje të qartë, që ato temelohen me qëllimin e vetëm të promovimit politik.

Në raste tjera, storje senzacionale por krejtësisht të trilluara në lidhje me fatkeqësi të motit ose aksidente fatale me vetura të personave të njohur janë publikuar vetëm e vetëm për të marrë më shumë klikime dhe për të rritur nivelin e lexueshmërisë.

Por shumë profesionistë të mediave mendojnë se raportimi joprofesional nuk mund të eliminohet thjeshtë duke imponuar rreulla më strikte, pasi që kjo i kufizon liritë mediale. Në vend të kësaj, përgjegjësia duhet të jetë te rritja e etikës së çdo gazetari dhe redaktori që punon në sferën online.

Stankovic Lukovic beson se standardet etike gazetareske nuk mund të ndahen prej normave etike të shoqërisë dhe etikave personale. “Nëse ke standarde të larta etike si person, atëherë do t’i aplikosh ato në punë”, tha Stankovic Lukovic. “Kur si person dhe si gazetar ke standarde të larta etike, atëherë mund t’i thuash vetës: ‘Mirë, mendoj se kjo është gabim dhe kjo është e drejtë, për këtë dhe atë arsye, por ka njerëz që nuk pajtohen me mua, dhe e kam obligim moral dhe punë që t’i paraqes edhe pikëpamjet e tyre, dhe ta lë audiencën që ta formojë opinionin e vet mbi këtë çështje’. Nëse një gazetar nuk arrin ta bëjë këtë për çfarëdo arsye, atëherë është redaktori që duhet të sigurojë paanësi”.

“Kushdo që do të jetë pjesë e sferës publike duhet të jetë llogaridhënës për atë që e bënë”, përfundoi Stankovic Lukovic.

Marrë nga: Kosovo 2.0

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button