Në Maqedoni nuk janë të sigurta zgjedhjet e 5 qershorit

Ngecjet në pastrimin e listës zgjedhore dhe ndërprerja e bisedimeve për reformat në media kanë ngritur alarmin për mundësinë e dështimit të sërishëm të zgjedhjeve të jashtëzakoshme në Maqedoni, të cilat duhet të mbahen më 5 qershor, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), edhe pas tri javë bisedimesh, nuk ka dalë ende me një shifër të saktë të numrit të personave që duhet të fshihen nga lista e votuesve.

Të dhënat janë nga më të ndryshmet. Fillimisht është përmendur numri prej rreth 490,000 personave të dyshimtë, e më pasë kjo shifër ka zbritur në rreth 100,000.

Pas kontrollit të të dhënave nga dhjetë institucione që kanë lidhshmëri me të dhënat e shtetasve, tani KSHZ-ja duhet të dalë në terren për të vërtetuar saktësinë e tyre.

Maqedonia, aktualisht, ka rreth 1.8 milionë votues, por ky numër besohet të jetë më i vogël, krahasur me numrin e popullatës që sillet në rreth 2 milionë banorë.

Partia në opozitë, Lidhja Social-Demokrate (LSDM), mbetet në qëndrimin se pa plotësimin e kushteve, zgjedhje nuk mund të ketë.

“Maqedonia nuk duhet ta lëshojë këtë shans pasi kemi hyrë në një proces shumë të rëndësishëm për nxjerrjen e vendit, në mënyrë paqësore, nga kriza e thellë në të cilën ndodhet. Kjo mund të ndodhë vetëm me zbatimin e marrëveshjes politike, që parasheh zgjedhje të lira dhe demokratike dhe këto zgjedhje mund të arrihen nëse pastrohet lista zgjedhore dhe nëse përmbushen obligimet tjera me angazhimin e të gjitha partive politike“, thotë Oliver Spasovski nga Lidhja Social-demokrate dhe ministrër i Punëve të Brendshme në qeverinë kalimtare.

Ngecjet në procesin e pastrimit të listës zgjedhore, si kushti kryesor për zgjedhje të lira më 5 qershor, i konfirmon edhe krytari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.

Ai mbetet në qëndrimin se mënyra më e mirë për mbylljen e këtij problemi do të ishte regjstrimi i popullsisë.

“Nuk e di, por çështjet nuk lëvizin. Ne fituam pesë javë kohë me shtyrjen e zgjedhjeve, ndërsa tani katër javë grindemi, që do të thotë se nuk kemi lëvizur fare – ky është fakt. Me listën zgjedhore është shkaktuar një tollovi e madhe dhe nuk dihet se çfarë po ndodh. Kjo flet për një mungesë të vullnetit politik të partive që janë pjesë e qeverisë dhe të institucioneve shtetërore për të pastruar siç duhet listën zgjedhore. Unë mbetem në qëndrimin se regjistrimi i plotë dhe i saktë i popullatës do të mundësonte një listë zgjedhore të saktë dhe të plotë“, thotë Thaçi.

Nga partia VMRO-DPMNE në qeveri thonë se lista zgjedhore nuk është edhe aq problematike pasi numri i personave që nuk janë hequr nga lista është shumë më i vogël, sesa që pretendon opozita.

Nga partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski thonë se LSDM-ja tenton të gjejë alibi për “disfatën që e pret në zgjedhjet e ardhshme“.

Por, nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partner i partisë së Gruevskit, thonë se duhet krijuar kushte për zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Ne si parti jemi të interesuar të kemi zgjedhje të monitoruara nga faktori ndërkombëtar, zgjedhje të cilat do të jenë kredibile, të drejta dhe demokratike. Nëse kjo nuk ndodh, ne gjithsesi se duhet të mendojmë se çfarë më tutje, nëse dështon puna e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, e kështu me radhë“, thotëRafis Haliti, nënkryetar i Kuvendit nga BDI-ja.

Se zgjedhjet duhet të jetë të lira dhe gjithpërfshirëse thonë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë. Ata nuk paragjykojnë nëse mbajtja e tyre më 5 qershor do të dështojë, por kërkojnë nga të gjitha palët që të angazhohen seriozisht për krijimin e kushteve për mbajtjen e tyre në afatin e paraparë.

“Zgjedhjet duhet të jenë gjithpërfshirëse. Të gjitha partitë duhet të punojnë së bashku për zgjedhje të pranueshme. Kjo është shumë me rëndësi për procesin e zgjidhjes së krizës politike. Vlerësoj se koha është e shkurtër, ka edhe më pak se tre muaj deri në mbajtjen e tyre, andaj duhet angazhim në këtë drejtim, pasi ka ende shumë punë për të bërë. Kryqëzimi i të dhënave është bërë, tani ka mbetur kontrolli në terren – një proces ky shumë i rëndësishëm për pastrimin e listës zgjedhore“, thotë për Radion Evropën e Lirë ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Kristine Althauzer.

Zgjedhjet në Maqedoni fillmisht ishte paraparë të mbahen më 24 prill, por pikërisht për shkak të mospërmbushjes së kushteve, ato janë shtyrë për më 5 qershor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button