Si e ndihmuan formimin e shtetit shqiptar, Austro-Hungaria dhe Italia?

Pavarësinë e saj Shqipëria e fitoi në një nga momentet më të vështira të historisë së saj. Shteti i pavarur shqiptar, i shpallur më 28 Nëntor 1912, ishte projektuar të ishte i cunguar, pasi një pjesë e madhe e territoreve të saj do të mbeteshin jashtë kufijve natyralë të saj.
Fuqitë botërore të kohës, ndonëse dinin për rrezikun dhe politikat sllave të përkrahura nga Rusia, për asimilimin e popullsisë shqiptare dhe copëtimin e trojeve të tyre, në Konferencën e Londrës nuk e përkrahën idenë e formimit të një shteti shqiptar mbi kufijtë e saj natyralë. Por, një rol të rëndësishëm në drejtimin e formimit të shteti shqiptar të 1912-ës, patën, padyshim, dy superfuqitë e kohës: Perandoria Austro- Hungareze dhe Italia.

Shteti kombëtar shqiptar po krijohej pas rrënimit dhe tërheqjes së otomanëve nga Ballkani dhe kufijtë e tij do të përcaktoheshin në një konflikt të hapur me fqinjët e vet, që dëshironin të zbatonin parimin e plaçkës së luftës. Në këtë moment, roli i diplomacisë austro-hungareze, ashtu si në përgatitjen e opinionit diplomatik të fuqive të mëdha për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, rezultoi të ishte shumë përcaktues edhe për caktimin e kufijve të ardhshëm të Shqipërisë. Momentet kryesore ku Austro-Hungaria luajti një rol të padiskutueshëm për caktimin e kufijve, ishte kryesisht përcaktimi i kufijve të saj veriorë.

Historiani, Frashër Dema, thotë se zgjerimi i ndikimit sllav në Ballkan, sidomos përmes copëtimit të trojeve shqiptare, ishin faktorët kryesorë që ndikuan që Perandoria Austro-Hungareze dhe Italia të ndihmonin në avancimin e çështjes shqiptare. “Zgjerimi i ndikimit sllav në Ballkan ishte shqetësues për Austro-Hungarinë. Diplomacia austro-hungareze, duke mbrojtur interesat e saj, mbron edhe çështjen shqiptare dhe për këtë ajo i pa shqiptarët si aleat të saj. Këtu hyn pastaj edhe roli i Italisë, sepse po mos të ishte edhe diplomacia italiane, mund të ndodhte edhe më e keqja, sepse plani i shteteve të Ballkanit, ishte që të pengohej njohja e shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare”, thotë Frashër Demaj.

Interesi i Austro-Hungarisë në kufirin e veriut të Shqipërisë, e sidomos vendndodhja e Shqipërisë në bregdetin lindor të Adriatikut, e bëri atë një territor të rëndësishëm për lidhjen vitale detare të Perandorisë përmes Adriatikut. Për këtë arsye, Monarkia që herët, në vitin 1832, kishte hapur një Konsullatë të saj në Shkodër, e cila u bë në një qendër të rritjes dhe shpërhapjes së influencës austriake në rajon, por ishte edhe dëshmitare e rrënimit të autoritetit të otomanëve dhe rritjes së nacionalizmit ndër popujt ballkanikë, ku mes tyre shquante nacionalizmi serb, që pas formimit të shtetit të vet kombëtar dhe përkrahjes së hapur nga Perandoria Ruse, për t’u zgjeruar në territoret osmane, u bë një kërcënim serioz për vetë Monarkinë dualiste.

Historiani, Fitim Rifati, vlerëson jo vetëm rolin diplomatik, por edhe atë financiar që kishin bërë Austro-Hungaria dhe Italia për ngritjen e vetëdijes kombëtare tek shqiptarët. Rifati përmend edhe vizitat e Ismail Qemalit në këto vende, në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. “Këto dy fuqi ishin mjaft të interesuara për Shqipërinë dhe kishin financuar ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, dhe në të njëjtën kohë kishin përgatitur shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Me vetë faktin që Ismial Qemali, për të realizuar një akt të tillë, të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kishte marr një turne në këto vende dhe ishte takuar me diplomatë të fuqive tjera të kohës, në mënyrë që të merrte mendimin apo qëndrimin e këtyre vendeve, në rast se do të vinte deri tek akti i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë”, thotë historiani Fitim Rifati.

Në këtë klimë politike dhe diplomatike që pasqyronte shpirtin e epokës, ishte e vështirë që çështja e caktimit të kufijve të Shqipërisë të gjente një modus vivendi të pranueshëm nga Monarkia Austro-Hungareze dhe sllavët e jugut që kishin mbështetjen e Perandorisë Ruse për pretendimet e tyre. Pranimi i krijimit të shtetit shqiptar dhe moslejimi i daljes së Serbisë në Adriatik, ishte parë si koncesion i madh politik nga ana e Perandorisë Ruse. Historiani Frashër Demaj shpjegon qëllimet sllave në këtë drejtim të copëtimi të tokave shqiptare.
“Serbia kërkonte 50 kilometra dalje në Adriatik përmes Shqipërisë së Mesme dhe marrjen e Kosovës që do të nënkuptonte ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë. Shqipëria e Jugut do të merrej nga Greqia, Shqipërinë e Mesme do të merrej nga Serbia, bashkë me Kosovën dhe Mali i Zi do ta merrte Shqipërinë e Veriut. Përmes kësaj, shtet e Ballkanit do ta kishin kontrollin mbi Mesdhe”, shton Frashër Demaj.

Me aktin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, më 29 nëntor 1912 i njofton për aktin historik gjashtë fuqitë e mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, për këtë vendim, Ismail Qemali i njofton edhe shtetet ballkanike: Rumaninë, Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë, Greqinë dhe Turqinë, duke kërkuar nga ato që të njihnin aktin e pavarësisë, si ndryshim i vullnetit politik të kombit shqiptar.
Dhe, nga një vështrim i sotëm historik, tanimë kur Shqipëria shënon 101-vjetorin e ekzistencës shtet, si shihet roli dhe ndikimi tek fuqitë botërore i Perandorisë Austro- Hungareze dhe Italisë, mbi formimin e shtetit modern shqiptar në një Ballkan të përgjakur nga luftërat?

Historiani, Fitim Rifati, nuk e mohon rolin e këtyre superfuqive të kohës që kanë luajtur rol të madh në avancimin e çështjes shqiptare, por Rifati thotë se e tëra fillon nga dëshira dhe vullneti i shqiptarëve për të pasur një Shqipëri të mëvetësishme.
“Këto dy vende kanë bërë aq sa kanë mundur, sepse nuk kanë qenë të gatshme të futen në luftë me vendet tjera të Ballkanit, apo fuqitë evropiane, për çështjen shqiptare. Por, është një fat i madh i yni që këto vende kanë luajtur një rol të madh për të garantuar mbështetjen e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Natyrisht, elementi shqiptar kishte si qëllim që në momentin kur të realizohej shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, kjo të bëhej në tërë viset shqiptare, por kjo nuk ndodhi atëherë. Elementi i shqiptar nuk ka reshtur së kërkuari të drejtën e tij edhe më tutje, siç është rasti me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por mund të themi se çështja e shqiptarëve në Ballkan, nuk është përmbyllur ende”, shton më tej Rifati.

Ndërkaq, historiani tjetër, Frashër Dema, thotë se, sot, një shekull pas, ato fuqi botërore, përjashto Austro-Hungarinë dhe Italinë, të cilat në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913, copëtuan trojet shqiptare, korrigjuan gabimin e tyre më 17 Shkurt 2008 , duke ndihmuar në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Austria-Hungaria dhe Italia kanë qëndrime goxha miqësore ndaj shqiptarëve, në përgjithësi. Por sot, kjo ka edhe të arritura të tjera. Nëse dikur Franca dhe Anglia nuk kanë mbajtur pozicion në favor të shpalljes së shtetit shqiptar, por edhe në raport me viset shqiptare në përgjithësi, atëherë kjo ndryshoi me rastin e Kosovës, kur këto vende ishin ndër të parat të cilat me mjete ushtarake e diplomatike ndihmuan dhe njohën shpalljen e shtetit shqiptar. Pra, ato vende, të cilat në Konferencën e Londrës nuk i kishim për vete, përjashto Austro-Hungarinë dhe Italinë, tani më i kemi aleatë kryesorë”, shton më tej Frashër Demaj.

Kthesa historike e 28 Nëntorit 1912 ishte premisa politike themelore për organizimin mbi baza më të përparuara të jetës shtetërore të shqiptarëve dhe për zhvillimin më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor të vendit. Duke formuar shtetin e pavarur shqiptar, ajo, objektivisht, krijoi premisat politike, aq të nevojshme, për ta mbajtur të gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave shqiptare, dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan.(RTK)

Lajme të ngjashme

Back to top button