JEHONA E KAMXHIKUT

Gjysma e dytë e shekullit njëzet… Janë plot skena të përhirta të një kohe kur zhvillohej një nga shumë dramat e dhembshme të jetës sonë. Në këto skena fshihet fshikullima e kamxhikut të pushtetit “popullor” që binte mbi çdo fat individual dhe mbi tërë fatin kolektiv të popullit tonë, fshihet trokëllima e çizmeve të këtij pushteti që shpërndante tmerr, ndjehet ajo dhembja e madhe që shkaktonte gjilpëra e skuqur në flakën e kuqe me të cilën na shponin për të na e bërë tatuazhin e lemerisë që do të jetë vula e jetës së një gjenerate.

Ka mbetur e shkruar tatuazhi i bërë me majë gjilpëre të skuqur në lëkurën time të njomë nga kjo kohë.

Ndjehet jehona e kamxhikut në kujtesë.

Ndjehen trokëllimat e çizmeve.

Një skenë zgjaste shumë. Çdo skenë ishte sinonim i mundimit.

Atëherë jetohej me zgjedhë në qafë.

Komunikacioni bëhej me të bërtitme prej bregu në breg. Dhe, me qerre me qe. Rrallëherë dikush kishte kalë. Dhe, qetë e kuajt e rrallë ishin ashtë e lëkurë.

Këta qe të ngratë duhej edhe të shinin, edhe të lëronin.

Ata ndanin fatin me njerëzit. I kalonin ditët e mjerimit bashkë me ne.

Por ky ishte komunikacioni normal i kohës. Pa telefona. Pa makina. Ishte punë krejt normale që koha që rridhte ngadalë.

Vetëm pushteti nuk ishte normal.

Ishte një pushtet i ilustruar me copa terri dhe me frikë.

Një pushtet që linte vragë në lëkurë e në shpirt.

Ishte një pushtet që ia dilte të mbulojë çdo kënd. Ishte si terri i natës kur bie dhe depërton në çdo birucë. Ishte një pushtet që ishte ngritur për hakmarrje. Ishte një pushtet që vetë kishte vendosur që neve të na rendisë në anën e humbësve të Luftës së dytë botërore. Ashtu ia kishte ënda për shkaqe raciste.

Për atë pushtet të gjitha fshatrat tona ishin ballistë. Si të tillë, njerëzit tonë e kishin të pamundur të bëhen nëpunës. Gjuha jonë ishte e padëshiruar dhe e cilësuar si e egër.

Rrugëve të fshatrave ngrihej pluhuri nga çizmet e gardianëve të pushtetit. Ne duhej të ecnim në majë të gishtave. E drejta e tyre ishte të bërtisnin, ta luajnë kamxhikun, të ngrenë padi, e drejta jonë – të heshtim, të durojmë e të përfundojmë ku ha pula gur. Ditë për dite vinin e shkonin naçallnikët, shumarët, milicët, poreznikët. Vinin me hapa të rënduar nga pija. Në buzët e trasha u lëvarej sharja e rëndë dhe e pazakonshme për traditën tonë. Kur përfundimisht vinin para zadruge, ku e kishin selinë e të ushtruarit pushtet, uleshin duke i hequr setrat e lëkurës e duke ua dhënë të parëve të fshatit t’i mbajnë ose t’i varin në murin e zadrugës. Dukeshin koburet e tyre në brez. Kasketat i hidhnin anash, në bar. Pa përshëndetur kënd, si e do zakoni ynë, bërtisnin që t’ia bëjnë me dije fshatit se kanë ardhur dhe se do të vijnë vazhdimisht deri në amshim. Pastaj binte një qetësi e shkurtër varri, e cila shpejt prishej me një të bërtitur të njërit nga ata:”Në këmbë”!

Pastaj vinte në radhë patrollimi dhe shpërndarja e tmerrit nëpër shtëpitë ku dëgjohej i prridhur vaji i grave dhe fëmijëve. E dinin të shkretët se në pamundësi për ta paguar tatimin, pushteti do t’ua marrë lopën ose qetë, do t’i turpërojë duke i varur teshat e brendshme të grave, publikisht, në murin e zadrugës. E dinin se i pret ai kamxhiku i padukshëm, i pret ajo gjilpëra e padukshme e skuqur në flakë që të shkruan në lëkurë. E dinin se këta gardianë vinin të ta marrin edhe shpresën e fundit. E dinin se pushteti në këtë mënyrë e hapte rrugën drejt Anadollit prej kah nuk ka kthim. E dinin se qëllimi ishte zhbërja e identitetit tonë kombëtar, e gjuhës sonë.

Kanë kaluar shumë vite nga ajo kohë. Qetë kanë mbetur në kujtesën e pleqve. Komunikacioni bëhet me automjete, me aeroplanë, me telefona, me internet. Jetohet shpejt tash, por skenografia është e ngjashme. Dhembja e lëkurës nga gjilpëra nuk harrohet, ende shpërndan frikë, ende kanoset se mund të përsëritet, kurse jehona e kamxhikut ende dëgjohet nga shumë tribuna, nga shumë media.

A thua e dëgjojnë ata që i kanë dalë zot politikës? Ata që thonë se na përfaqësojnë?  A e shohin se pararojë e gardianëve të atëhershëm janë bërë disa gazetarë? A e ndjejnë erën e ndonjë furtune që vjen nga nëntoka?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button