Dibër, Akademi solemne me rastin e ditës së flamurit

Me rastin e festave të Nëntorit, në Dibër u mbajt akademi solemne ku i ftuar ishte  shkrimtari dhe veprimtari dibran Mahmut Hysa. Veprimtari Hysa, pasi përshëndeti të  pranishmit dhe uroi festën e Flamurit kombëtar, shpalosi me një retrospektivë për gjithë historinë e pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e flamurit kombëtar në Krujë nga Skenderbeu dhe në Vlorë nga Ismail Qemali.

Kumtesa  shkencore e tij titullohej “Dita e shenjtë e Flamurit dhe dita e bekuar  e Pavarësisë”  ku e shenjta dhe e bekuara e  historisë së  kombit shqiptar janë zhvilluar të njëjtën ditë , të njëjtën orë dhe janë të lidhura njëra me tjetrën si  metaforë “Dy qershi në një rrëfanë”. Më 28 Nëntor 2013 mbushen plot 101 vjet nga sendërtimi i idealit të madh kombëtar. Sipas Hysës, Dita e flamurit dhe Dita e Pavarësisë janë të shenjta dhe të bekuara se janë ditët e vetme të Panteonit tonë kombëtar, që çdo vit është i bekuar dhe i përgëzuar.

“Çdo popull ka simbol kombëtar por të rrallë janë ata popuj që simbolin kombëtar e kanë ngritur në kulm kombëtar , shqiptarët janë popull që e mbajnë simbolin kombëtar edhe në zemër edhe në shpirt , edhe  kur janë të lirë edhe kur kanë qenë të robëruar. Jemi ne ata që sakrifikojmë edhe bijtë tanë , gjënë më të shenjtë. Shqiptarët me ngjyrën e kuqe simbolizojnë gjakun e derdhur për liri  dhe me ngjyrën e zezë zinë që kanë mbajtur nënat dhe nuset  tona për heronjtë kombëtar dhe me shqiponjën, origjinën e lashtë kombëtare, nënvizoi Mahmut Hysa.

Në këtë akademi pati edhe një recital nga “Lahuta e Malësisë” në të cilën interpretuan artistët Teuta Ajdini- Jegeni, Ylber Nuredini dhe Genci Mirzo.

Lajme të ngjashme

Back to top button