Fajtor Flori Mumajesi!?

Këngët u rikthyen në vend. Por, shumë nga këngëtarët që ia patën besuar transmetimin e këngëve, në kanalin muzikor ‘YouTube’ ‘Akivës Shqip’, për dy ditë rresht videoklipet e tyre nuk i patën në këtë kanal muzikor. E ndonëse protagonistët e këtij problemi, Flori Mumajesi e Aldor Nini (Arkiva Shqip) ia hedhin fajin njëri tjetrit, disa nga këngëtarët e intervistuar nga Tribuna, fajësojnë të parin për gjithë këtë rrëmujë…

Jemi mësuar që videokëngët e këngëtarëve t’i gjejmë nëpër kanale muzikore, të cilat kujdesen për publikimin e risive, që vijnë nga artistët tanë. Por për dy ditë rresht gjetja e disa videoklipeve në ‘YouTube’ ka qenë e pamundur. Shkaktari kryesor i këtij “kaosi” ende nuk dihet. Por protagonistët e problemit, i cili po qarkullon tash e sa kohë nëpër meidat vendore, Flori Mumajesi e Aldor Nini (Arkiva Shqip) kanë dhënë shpjegimet e tyre duke ia hedhur fajin njëri-tjetrit. E ata që në njëfarë forme janë ‘dëmtuar’ janë këngëtarët, këngët e të cilëve kanë pushuar së shikuari për rreth 48 orë. Sabri Fejzullahut, Dafina Dautit, Gold Ag, Hysni Zeqiri, Albërije Hadërgjonaj, Dj Blunt e Real 1, nuk janë të vetmit këngëtarë që pa dashje u bënë ‘pjesë’ të këtij problemi. Ndërsa disa prej tyre për Tribuna kanë rrëfyer edhe ‘dëmtimet’ që i morën nga kjo shkëputje prej ‘YouTube’.

Sabri Fejzullahu ndjehet i dëmtuar nga Flori

Ende pa shijuar promovimin e dëshiruar, kënga më e re e titulluar “Goditje në Zemër” e këngëtarit të mirënjohur Sabri Fejzullahui është larguar nga ‘YouTube’. E ndonëse largimi i saj ndodhi vetëm për dy ditë, këngëtari nga Prishtina ka rrëfyer ‘dëmtimet’ që ai pati, karshi problemit në fjalë. “Unë nuk do të thosha që ‘ArkivaShqip’ na ka dëmtuar. Më shumë na ka dëmtuar Flori që i ka ndalur të gjitha videot pa arsye. Nëse flasim për këngën time të fundit, ajo është e punuar nga Virusi e Fatmir Muja, kështu që Flori nuk ka pasur gjë aty. Por pavarësisht që videot tona janë ndalë për dy ditë unë besoj që nuk do të prishin shumë punë në klikime, pasi që ata që duan ta dëgjojnë këngën e re do ta bëjnë atë në ditën në vazhdim”, ka thënë këngëtari.

Dafina Dauti, pak dëmtim në klikime

E në anën tjetër edhe këngëtarja Dafina Dauti ndanë mendim të ngjashëm me kolegun e saj këngëtar, ndërsa beson se kanali që ajo ia ka besuar këngët për promovim, nuk është fajtor. “Unë kam bashkëpunim shumë të mirë me ‘Arkivën Shqip’. Edhe pse ndoshta mund të them që jemi dëmtuar pak me klikime ndoshta, nuk mund të them që na e ka bërë këtë Arkiva. Më shumë mendoj që Flori na ka dëmtuar. Ndërsa sa i përket ‘Arkivës’ unë jam shumë e kënaqur me ta dhe bashkëpunimi im me ta do të vazhdojë derisa ata të jenë korrekt me ne si deri tani”.

Edhe këngëtarët kanë pjesën e fajit, sipas Hysni Zeqirit

Ndryshe nga kolegët e tij, këngëtari Hysni Zeqiri ka theksuar se në shumicën rasteve vetë këngëtarët janë fajtor për këso mosmarrëveshje. Largimi i këngëve nga ‘YouTube’ sipas Zeqirit më shumë është një huti për publikun, sesa një dëmtim për vetë këngëtarët, ndërsa largimin e këngës së tij për dy ditë, nuk e ka parë problem të madh. “Nuk është dëmtimi i këngëtarëve. Është një huti që krijohet tek dëgjuesit në vend të parë. E gjithashtu krijohet ajo bindja që po bëhen dallavere nga të gjithë këngëtarët, të afro 600 këngëtarëve që janë prekur. Ky konflikti mes Florit dhe ‘Arkivës’ është diçka që e dinë vetëm ata, dhe askush tjetër. Problemi kryesorë nuk është te Flori apo ‘Arkiva’, por te këngëtarët. Në momentin që ne lidhim një kontratë me ‘Arkivën’ apo me këdo tjetër, ne e marrim përsipër të drejtën të nënshkruajmë atë kontratë që është shumë gabim.

 Për ta nënshkruar atë kontratë ne duhet ta kemi një marrëveshje me autorin, kompozitorin, orkestruesin. Fillimisht duhet ta kesh të drejtën nga ata, kjo është një diçka që shumica e këngëtarëve nuk e kanë. Ata i paguajnë paratë por nuk e kanë atë të drejtë. Andaj unë mendojë që gabimi fillon nga ne. Mendoj se në gjithë këtë lëmsh jemi fajtor të gjithë”, ka shpjeguar ai. Këngëtari gjithashtu ka sqaruar se nuk është Flori ai që ua ka ndërprerë transmetimin e këngëve. “Flori nuk i ka ndërpre këngët tona. Ai ka bërë ankesë për ‘Arkiven’ e cila i ka shfrytëzuar këngët që i ka bërë Flori, që si duket këngëtarët ia kanë dhënë të drejtën pa u marrë vesh me Florin. Pra unë mendoj që Flori ka bërë gabim nëse ka bërë ankesë tek ‘YouTube’ që të hiqet kanali ‘Arkiva’, ku është dashtë të bllokoj vetëm këngët që s’kanë autorizimin e tij, edhe pse unë e lexova deklaratën e tij ku thotë se ‘nuk ka bërë ankesë që të hiqet kanali ‘Arkiva’ nga Youtube’. Mendoj që është një rrëmujë që askush nga ne nuk mund ta dimë ku është faji saktësisht”, ka thënë ai për fund.

Fajtori do të paguaj për Gold AG

E rep artisti Gold AG në lidhje me këtë është deklaruar se ende nuk e di a është dëmtuar apo jo. Por Gold prerë ka theksuar se nuk i intereson konflikti i askujt. Për te e rëndësishme është të mos preket puna dhe integriteti i tij.

“Unë vetëm mund të ju them që mua nuk më intereson konflikti që ata kanë mes vetes. Unë kam kontratë me ‘Arkiva Shqip’ dhe nga ata marr fitimin tim. E nëse Flori Mumajsi mua më dëmton do të jetë borxhli ndaj meje për të gjithë jetën. Jo vetëm ai por kushdo që dëmton punën time”, ka thënë prerë reperi preshevar./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button