SUPERBIA DHE AMNISTIA

Ka një term në gjuhën latine, Saligia, shtatë mëkatet vrasëse. Me kalimin e kohës çdonjëri prej tyre ka filluar të ndërlidhet me qenien djallëzore. Superbia, krenaria, mendjemadhësia, vetëpëlqimi, i është atribuar Luciferit. Avaritia, koprracia, dorështrëngimi, i përshkruhet Mammonit. Luxuria, epshi, ndërlidhet me Asmodeusin. Invidia, zilia, nakari, xhelozia, ambicia, i referohet Leviathanit. Gula, grykësia, pangopësia, lidhen me Beelzebubin. Ira, me zmërimin, destruktivitetin, që i është përshkruar Behemothit. Dhe, Acedia, dembelizmi, përtacia që kanë të bëjnë me Belphegorin.

Njeriu është një qenie që kur arrin një gradë, një pozicion, një pikë më të lartë krahasuar me të tjetër fillon që t’i shohë të tjerët si më të vegjël, si më të pavlerë, t’i përçmojë ata. Kjo është tipar i nje pjese të mirë të njerëzve dhe në këtë drejtim, këtë karakteristikë e vërejmë edhe te ata që e konsiderojnë veten të civilizuar, të ditur, apogje i zhvillimit dhe kulturës. Në fokus pra e kemi superbian, mendjemadhësinë, narcisoiditetin dhe mburravecërinë që janë cene e vese. Të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut theksojnë barazinë mes njerëzve, dinjitetin… Para do ditësh, e martë, 15 mars, mediat shënuan një rast tronditës kur në sheshin Mayor të Madridit lypsaret ishin trajtuar si kafshë nga tifozeria e njërit nga klubet më të njohura hollandeze, PSV Eindhowen. (The Guardian) Mjeranëve rome nën njëzëshmërinë e këngës iu ishin hedhur monedha 5-centëshe dhe copëza buke, madje ishin detyruar të përuleshin, të binin në gjunjë, madje bënin edhe pompa (https://www.youtube.com/watch?v=MWalYNBSbbg). Himnet anti-imigrante (“Mos e kalo kufirin!), djegia e parave ishin veprime të tjera skandaloze sipas El País. Ndonëse Gerbrands, trajneri i këtij klubi sjelljen e tillë e cilësoi si skandaloze dhe kërkoi falje për këto veprime që dërrmojnë reputacionin e klubit. Këta tifozë vitin e kaluar, në ndeshjen kundër Ajaxit kishin kënduar edhe “Wie niet springt die is een Jood” (Nëse nuk kërcen, je hebre). Pikëçuditjet dhe pikëpyeyjet që na ngjallen në kokë janë se si është e mundur që në këtë kohë, njerëzit të tallen me llojin e vet, nga buron kjo ndjenjë mëkatimi në këtë mënyrë: superbia. Krenaria, mendjemadhësia për t’i trajtuar të tjerët kaq poshtërisht, kaq egërsisht. Trumpi nuk është rastësi, është produkt i mendësisë raciste, i mentalitetit të Vernerit, gjahtarit të afrikanëve që pigmeun Ota Benga e kishte ekspozuar në Bronx Zoo, transkaksion dhe keqtrajtim ky që në vitin 1916 Bengën e kishte çuar deri vetëvrasje për shkak të përçmimit të përjetuar si ekzemplar i fazave të mëhershme të evolucionit, pas të cilit 40000 vizitorë kishin ulëritur, përqeshur, angullirë. Ota Benga dhe Madridi, a kanë ngjashmëri. Shumë. Dallimi është se Benga ishte në kafaz, kurse romët e Madridit të lirë, por gjithashtu të poshtëruar.

Në kontekstin tonë ndodh diçka tjetër, diskutohet vrullshëm për një institucion tepër etik siç është falja, amnistia, që është duke u përbuzur nga Gjykata Kushtetuese, e cila në vend se të jetë mbrojtësja finale e ligjit, ligjshmërisë, lançon vendime (Ligjin për falje) që e prishin balancin shoqëror: i jep Presidentit të shtetit të drejtën që të falë kriminelët, pedofilët, vjedhësit-malverzuesit me votat e qytetarëve, pra personat me precedencë penale zgjedhore dhe të abuzimit seksual të fëmijëve, trafiknantët e drogës dhe gjenocidbërësit. Me këtë u suspendua shteti juridik, Parlamenti, ligjvënësia, u suprimua-derogua vetë Gjykata Kushtetuese (Najçejvska). Ky vendim i GJK na përballi me një krizë, me krizën e kredibilitetit (crisis of credibility). Tanimë as presidenti është pastir i besueshëm i demosit, as GJK është mbrojtësja finale e ligjit dhe sundimit të së drejtës. Pyetja që shtrohet tani është kjo: Kush duhet ta mbrojë dhe realizojë drejtësinë kur organi më i lartë açëk shkel drejtësinë, asnjanësinë, i shmanget tërësisht të qenët faktor i Justitia Commutiva (drejtësia baraspeshuese)… Drejtësia është themeli i pushtetit, dhe kur s’funksionon peshorja e drejtësisë, shoqëria deformohet, anarkizohet. Sipas kursit të Gjykatës Kushtetuese, tanimë edhe kriminelët potencialë do të dalin në sipërfaqe duke u nisur nga shpresa se një ditë do të falen. Tanimë edhe pedofilët do të fillojnë të mendojnë se janë “normalë”, se kanë të drejtë që shprehin pasionet e tyre perverse, do të shfaqin hapur epshin e tyre përçudnues. Burgjet janë për t’i disiplinuar njerëzit, për t’i bërë t’i shmangen të së keqes nga droja se do të përfundojnë pas grilave, se do të humbin gjënë më të vlefshme: lirinë. Kur relativizohet krimi, s’kamë më jetë normale. Kur humbet besimi te institucionet, në fuqi hyn jashtëligjshmëria. Besimi te forca, jo besimi te ata që duhet të vendosin ekuilibrin. Në Maqedoni, presidenti i zgjedhur nga populli, tanimë shndërrohet në “mëshirues të pakufishëm”, ai të fal edhe atë që s’falet. Ai i kapërcen kufijt e njërëzishmërisë, bëhet një instancë suprahumane, bëhet mishërim i një monarku absolut, një force majeure.

I zgjedhur me metoda demokratike, ngritet përtej institucioneve demokratike. Drejtësi sui generis është kjo e Maqedonisë. Megjithatë mbetet shpresa në juristë të ndërgjegjshëm, që i respektojnë normat e deontologjisë juridike, që vendosin me sy e veshë të mbyllur e me ndërgjegje të pastër. respket për katërshen Starova, Gaber, Dardhishta dhe Murat, të cilët i thanë jo dominusit, “carit”, që nuk u bënë pjesë e kriminalizimit të drejtësisë, të kësaj vlere universale, pa të cilën s’ka jetë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button