RDK: Gruevski përgatit skenarin e bankrotit buxhetor

“Edhe ky buxhet në esencë është vazhdim i politikave të gabuara buxhetore me të cilat synohet të blihet lojaliteti i pensionistëve, shtresave sociale të varfëra, administratorëve dhe bujqve në funksion të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pavarësisht nga fakti që me këto politika buxhetore qeveria e Gruevskit definitivisht e përgatit skenarin e bankrotit buxhetor të Greqisë edhe vendit tone”, thuhet në komunikatën e RDK-së, lidhur me amendamentet e propozuara nga ana e deputetëve të kësaj partie. 

Rilindja Demokratike Kombëtare mban qëndrimin se edhe ky propozim buxhet i RM në parim ndjek logjikën e njëjtë të planifikimit të manifestuar vitet e fundit nga qeveria e VMRO-së.
Deputeti Naxhi Xhelili në prononcimin e tij tha se edhe pse deficiti i projektuar buxhetor planifikohet të jetë 3,5% nga PBB e planifikuar, është më se e sigurt se deficiti do jetë më i lart për arsye se projeksionet e rritjes së GDP prej 3,2% nuk ka gjasa reale të realizohen, ashtu siç nuk janë realizuar projeksionet në vitet e fundit. 

“E veçanta e këtij deficiti buxhetor është fakti se nëpërmjet huazimit të ri prej mbi 300 milion euro vendi definitivisht futet në zonën ku rrezikohet stabiliteti i financave publike edhe kur aftësia e kthimit të borxhit vihet në pikëpyetje të madhe në veçanti kur në 3-4 vitet e fundit shteti duhet të kthen 1 miliard euro kredi të marrë paraprakisht. Problemi bazë i projeksioneve buxhetore të kësaj qeverie lidhet me faktin se shteti hyn në borxhe të reja duke i përdorur qindra miliona euro për projekte kapitale joproduktive të cilat projekte në perspektivë do të krijojnë shpenzime të reja fikse për mirëmbajtjen e tyre dhe nuk do të gjenerojnë kurrfarë të hyrash” theksoi Naxhi Xhelili . 

Xhelili, tha se edhe ky buxhet prej 2,6 miliard euro është një barë e rëndë për ekonomin dhe qytetaret e këtij vendi që i kanë te ardhurat personale me të ulëta në Evropë me përjashtim të Kosovës. “Edhe ky buxhet në strukturën e tij ka 52% të shpenzimeve për transfere, për subvencione dhe për transferta sociale dhe është buxhet që synon të blejë qetësin sociale” 

Deputetët e RDK-së, Naxhi Xhelili dhe Flamure Demiri-Kreci kanë propozuar mbi 70 amendamente në propozim buxhetin e vitit 2014 në shumë totale prej 124 milion euro ose mbi 25% nga shuma e investimeve kapitale të parapara për realizim në vitin 2014. Amendamentet përfshinë projekte nga lëmia e arsimit, shëndetësisë, kulturës, infrastrukturës, ekonomisë dhe aspekte tjera më rëndësi për përmasimin e statusit ekonomik dhe social të popullit shqiptar në vendbanimet e tyre. Amendamentet si rekapitullim i projekteve dhe shuma e tyre është pjesë e këtij qëndrimi të RDK-së në lidhje me buxhetin e vitit 2014. 

Lajme të ngjashme

Back to top button