Peticion- Stop devijimit të rrjedhës të lumit Radikë
Mbi 20 shoqata joqeveritare dhe klube të shumta sportive që funksionojnë në Dibër, filluan peticionin kundër devijimit të ujërave të Radikës, kryesisht pakënaqësia e projektit famëkeq për dibranët ” Fusha e Llukovës”.
Duke parë devijimin e këtillë të lumit Radikë që padrejtësisht po merret uji për interesat e ELEMIT dhe Bankës Botërore, shoqata të shumta dibrane nisën me grumbullimin e nënshkrimeve të dibranëve kundër kësaj padrejtësie që i bëhet Dibrës. Vetëm ditën e parë janë grumbulluar mbi 1000 nënshkrime dhe pritet që numri i nënshkruesve të jetë edhe më i madh gjatë ditëve në vijim.
Të gjitha shoqatat që funksionojnë në Dibër apelojnë për pjesëmarrje masive në peticionin e organizuar në sheshin ,, Skënderbeu,, që të nënshkruajnë për të ardhmen e vendit dhe pasardhësve dibran sepse “Gjaku dhe uji nuk fale”.
Sipas informatave të marra nga përfaqësues të këtyre shoqatave, pas peticionit do të vijojnë edhe protesta deri në ndërprerjen e këtij projekti që është në dëm të lumit Radikë dhe në dëm të Dibrës dhe dibranëve.