Saraçini: Intensifikohet bashkëpunimi ndërmjet Kroacisë dhe Maqedonisë

Ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini sot realizoi takim bilateral me përfaqësuesit e delegacionit zyrtar të Republikës së Kroacisë, të kryesuar nga Ministri i Ekonomisë Ivan Vërdolak. Duke i uruar anëtarësimin e Republikës së Kroacisë në Bashkimin Evropian, Saraçini, theksoi se me hyrjen e Kroacisë në BE, bashkëpunimi ekonomik dhe afarist  do vazhdojë në harmonizim me marrëveshjen për stabilizim dhe asocim ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe BE-së. 

“Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kroacisë kanë marrëdhënie politike shumë të mira, kurse detyra jonë si ministra është të përpiqemi që këto marrëdhënie të reflektohen edhe në sferën e ekonomisë. Vetëm pas një muaji  nga vizita në Kroaci i kemi realizuar të gjitha pikat të cilat i patëm kontraktuar. Investimi i paralajmëruar kroat prej 6 milionë eurosh për hapjen e fabrikës për ujë të ambalazhuar “Mali Loshinj”, tani më ka filluar të implementohet”, informoi Ministri Saraçini.

Saraçini, theksoi se nga ky takim bilateral, ajo që doli si përfundim është hapja e zyrave në vetë ministritë e të dy shteteve,  qëllimi i të cilave do  të jetë përkrahja e kompanive në administrim biznesi, si dhe mundësia që kompanitë e Maqedonisë të drejtohen në Zyrën në Kroaci, kurse ato të Kroacisë në zyrën në Maqedoni.

Pas takimit u nënshkrua Marrëveshja për ndryshim dhe plotësimin e Marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, mes dy vendeve, të harmonizuar me legjislaturën evropiane, me të cilën krijohet korniza juridike për thellimin e bashkëpunimit afatgjatë në shumë lëmi si në prodhim makinash, energjetikë, industri elektronike, infrastrukturë, bujqësi, industri ushqimore, farmaceutike, industri kimike, industri e drurit, bashkëpunim në mes ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, turizëm si dhe në lëmi tjera të  bashkëpunimit ekonomik dhe industrial, të cilët në mënyrë reciproke mund të kontraktohen.

Lajme të ngjashme

Back to top button